EkonomiMagazine

Nga guackat tek telefonat celularë: Si kanë ndryshuar paratë gjatë historisë

Në një formë apo tjetrën, monedha ka ekzistuar prej mijëra vjet si një njësi e fuqisë blerëse. Të përdorura për të blerë mallra apo shërbime, materialet dhe formatet e tyre kanë evoluar me kalimin e kohës. Por në çdo rast kanë qenë gjithmonë një përfaqësim i vlerës nga një shoqëri e caktuar.

Nga shkëmbimi mall me mall, tek monedha fizike te dixhitale, ka pasur një evolucion të vazhdueshëm mbi mënyrën sesi njerëzit e kanë përdorur paranë për pagesat. Le të shohim 5 mënyra se si kanë ndryshuar paratë përgjatë historisë.

Guackat

Ato kishin shumë cilësi që i bënin të përshtatshme për këtë funksion. Ishin fizikisht të qëndrueshme, lehtësisht të identifikueshme, të transportueshme dhe gati të pamundura për tu falsifikuar. Edhe madhësia e tyre uniforme i bënte të lehta për t’i numëruar ose peshuar.

Me zgjerimin e përdorimit nga evropianët, guackat u bënë monedha kryesore e përdorur në tregtinë e skllevërve, dhe u përdorën zakonisht përgjatë rrugëve tregtare të Afrikës Perëndimore. Përdorimi i tyre arriti kulmin gjatë shekullit XVIII, dhe mbetën një burim pagese dhe njëpasqyrim i statusit social deri në shekullin XX.

Monedhat

Hera e parë që dihet se janë përdorur monedhat metalike, ishte midis viteve 550 dhe 600 Para Erës Sonë në Lidi, një mbretëri e lashtë që ndodhej në Turqinë e sotme. Lidianët kishin arritur të nxirrnin një përzierje metalesh të quajtur elektrum nga lumi Paktolus, të cilin e përdornin për të bërë monedha.

Mbreti Krezus e çoi monedhën në një nivelin tjetër. Në kohën e tij u prodhuan monedhat e para prej ari dhe argjendi të pastër, përmes një procesi që ndante arin dhe argjendin, të pranishëm në elektrum. Të gjitha monedhat kishin imazhet e një luani, por madhësia e figurës tregonte vlerën e tyre.

Monedhat më të vlefshme kishin figurën e plotë të luanit, ndërsa ato me vlera më të vogla kishin vetëm njërën nga putrat e luanit. Metoda e Krezusit për standardizimin e monedhave, shtoi qarkullimin dhe përdorimin e tyre, dhe kryeqyteti i Lidias, Sarda, u bë një qendër biznesi për rajonin.

Paratë prej letre

Kinezët ishin të parët që prodhuan paratë prej letre në shekullin VII-të, si një mënyrë më efikase për të kryer transaksione, në krahasim me monedhat metalike. Këto lloj parash nisën të përdoren në Evropë vetëm në vitet 1600, duke filluar nga Suedia. Nga fundi i viteve 1700, paratë e letrës po përdoreshin në të gjithë Evropën.

Koncepti dhe përdorimi i parave të letrës mbërriti edhe në SHBA në vitin 1690. Fillimisht u përdor në Koloninë e Gjirit të Masaçusets, në funksion të financimit të ekspeditave ushtarake. Në vitin 1913, Rezerva Federale krijoi një sistem bankar kombëtar për të adresuar nevojat financiare. Dhe në vitin 1914, emetoi kartëmonedhën e parë federale, një prerje 10-dollarëshe.

Kartat e kreditit

Karta e parë e kreditit me shumë funksione ishte ajo e “Diners’Club” në vitin 1950 , e ndjekur nga karta “American Express” në vitin 1958. Këto karta krediti kërkonin nga mbajtësit një tarifë vjetore, së bashku me një faturë mujore. Karta e parë kombëtare e kreditit në SHBA, filloi të lëshohej nga Banka e Amerikës në fundin e viteve 1950, dhe më vonë u riemërua si ‘Visa Cardnë vitin 1976.

Inxhinieri i kompanisë IBM, Forrest Perri, krijoi shiritin magnetik që do të përdorej në kartat e kreditit, si një mënyrë për të ruajtur informacionin dhe garantuar sigurinë. Pasja e një PIN-i dhe një çipi u bënë normë në mesin e viteve 1990.

Pagesat elektronike nëpërmjet celularit

Me hyrjen në treg të PayPal në vitin 1998, pagesat elektronike ose dixhitale u bënë të mundshme në një shkallë të gjerë, duke e transformuar rrënjësisht mënyrën se si mund të kryheshin transaksionet financiare. Më pas pagesat me celular evoluan përmes përdorimit të aplikacioneve, si Apple Pay, Venmo, Google Pay, Samsung Pay dhe Cash App.

Përmes celularëve dhe në varësi të aplikacionit, mund të kryhen një sërë funksionesh. Disa mundësojnë pagesën për mallra ose shërbime, ndërsa të tjera transferojnë fondet bankare. Nganjëherë të referuara si një portofol dixhital, këto aplikacione janë një metodë e përshtatshme për të bërë pagesa, si dhe për të ruajtur informacione të tjera financiare. Disa kuleta dixhitale, mund të organizojë dhe të aksesojë kartat tuaja të kreditit/debitit, kartat e dhuratave, kartat e shpërblimit të besnikërisë, rezervimet e hoteleve dhe biletat e koncerteve.

Back to top button