Gjatë ndërhyrjes perëndimore kundër Gaddafit në vitin 2011, Rusia reagoi me vetëpërmbajtje, duke u bashkuar fillimisht me embargon e armëve, e më pas duke u përmbajtur në votimin e Këshillit të Sigurimit, çka i hapi rrugën krijimit të një “no-fly zone” dhe, në mënyrë të tërthortë, ndërhyrjes së NATO-s.
Më pas, politika ruse ndaj Libisë u distancua nga ajo perëndimore, duke nisur nga dënimi që i bëri Putini vrasjes pa gjyq të kolonelit.
Pas përfundimit të luftës, Rusia zgjodhi rrugën e kujdesit, duke arritur – siç shkruan majori Thomas Arnold nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare – që të sigurojë pjesën më të madhe të objektivave të saj taktike dhe strategjike, pa ndërhyrje të mëdha nga Perëndimi.
Kur përplasja ndërmjet Dhomës së Përfaqësuesve në Tobruk dhe Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar në Tripoli u kthye në konflikt të hapur, u bë e qartë se Moska kishte zgjedhur të mbështeste institucionet lindore, por njëkohësisht synonte të mbante të hapura kanalet edhe me Tripolin.
Sipas analistit, sjellja e Rusisë në Libi ishte pjesë e një strategjie më të gjerë, që synonte të ofronte një alternativë ndaj rendit ndërkombëtar post-sovjetik të udhëhequr nga SHBA, përmes ndërtimit të një sistemi multipolar.
Aksesi në portet “të ngrohta” të Mesdheut ishte një element thelbësor për ruajtjen e përmasës së saj si superfuqi.
Sapo erdhi në pushtet, presidenti Vladimir Putin forcoi marrëdhëniet me Gaddafin, duke fshirë borxhet e Tripolit – më shumë se pesë miliardë dollarë – në këmbim të kontratave për naftën, armët dhe ndërtimin e hekurudhave.
Ai arriti gjithashtu të sigurojë akses në portin e Bengazit, duke vënë në pikëpyetje dominimin e Flotës së Pestë të SHBA, në një zonë që pas Luftës së Ftohtë ishte konsideruar “një liqen i NATO-s”.
Por me rënien e Gaddafit, Moska humbi aksesin në Libi dhe kontratat. Kremlini reagoi duke zgjeruar kapacitetet detare të Forcave të Armatosura ruse, dhe në vitin 2013, Putin shpalli krijimin e një forcë të përhershme detare në Mesdhe, me bazë në portin sirian të Tartus.
Në tetor 2018, inteligjenca britanike raportoi hapjen e dy bazave të Grupit Wagner në Bengazi dhe Tobruk.
Kompania private ushtarake Wagner ishte shfaqur për herë të parë në vitin 2014, në Donbas: luftëtarët e saj kishin stërvitje të avancuar dhe ishin të pajisur me armatime moderne.
Sipas The Sun, gjenerali Haftar kishte dhënë miratimin për vendosjen e trupave ruse në Libi me qëllim minimizimin e ndikimit të Bashkimit Evropian, dhe në veçanti të Italisë.
Në nëntor të po atij viti, Haftar udhëtoi drejt Moskës. Në pritje të tij ishin ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Evgeny Prigozhin, kreu i Wagner-it. U bë e qartë se 1,200 mercenarë të Wagner-it ishin në Libi për të mbështetur ofensivën ndaj Tripolit. Sipas burimeve amerikane, shpenzimet mbuloheshin nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Mbështetja e Moskës ndaj fushatës së Haftarit ishte e plotë, deri në atë pikë sa përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së vuri veton për të bllokuar një rezolutë që dënonte ofensivën ndaj kryeqytetit.
Fitorja më e madhe për Haftarin erdhi në shkurt 2019, me pushtimin e vendburimit të naftës Sharara, më i madhi në Libi, me kapacitet prej 300 mijë fuçi në ditë.
Në atë moment, ai kontrollonte edhe të ashtuquajturën “gjysmëhëna e naftës” në bregdet. Një mercenar i Wagner-it e përshkroi misionin e kompanisë në një intervistë për BBC: “Ekzistojnë tre monumente për Wagner-in. Njëri paraqet një ushtar që mbron një fëmijë me armë në dorë. Por, nëse projektuesi do të ishte i sinqertë, ai ushtar do të ishte duke mbrojtur një rafineri nafte.”
Pas ndërhyrjes së Turqisë në konflikt, ofensiva e Haftarit dështoi dhe u përmbyll me armëpushimin e firmosur më 23 tetor 2020.
Sipas think tank-ut britanik RUSI, kjo “paqe e ftohtë” midis Rusisë dhe Turqisë mund të kthehej në bashkëpunim, me pasoja të padëshiruara për Perëndimin: “Nëse SHBA mbetet e distancuar nga konflikti libian dhe fuqitë evropiane vazhdojnë të kenë agjenda të përçara, Rusia dhe Turqia mund të shohin një mundësi për të margjinalizuar fuqitë perëndimore përmes një marrëveshjeje paqeje.”
Por ngjarjet morën drejtim tjetër me fillimin e ndërhyrjes ruse në Ukrainë. Më 27 shkurt 2022, tre ditë pas fillimit të “operacionit ushtarak special” në Ukrainë, Turqia ndaloi kalimin e anijeve luftarake ruse nëpër Bosfor dhe Dardanele. Deri në tetor 2023, prania detare ruse në Mesdhe ishte reduktuar në një të pestën e mëparshme.
Në Libi mbeti një pjesë e trupave të Wagner-it, ndërsa shumë mercenarë u zhvendosën në Ukrainë. Kjo u konfirmua nga fotografitë e publikuara në Facebook në prill 2022 nga ushtarë ukrainas, ku shiheshin luftëtarë të vrarë të Wagner-it në Ukrainën lindore, të cilët kishin me vete kartëmonedha libiane dhe të Republikës së Afrikës Qendrore dhe numrin e telefonit të Khalifa Haftarit… / l’espresso – bota.al