Analiza

Nga Rruga e Tretë tek Jeta e Tretë. Pse e majta reformiste mund të mbijetojë, vetëm duke arkivuar metodën Piketty

Në fillim Franca. Më pas Anglia. Pastaj Gjermania. Në fund Italia. Eshtë thënë dhe përsëritur, se zgjedhjet politike që do të mbahen në Evropë gjatë muajve të ardhshme, do të na mundësojnë të kuptojnë diçka më shumë mbi të ardhmen e kontinentit tonë dhe nuk ka asnjë dyshim, për shembull, që fati i Euros është i lidhur ngushtë edhe me rezultatin që do të arrijë në Francë Marine Le Pen, e cila, siç dihet, është në favor të daljes së Francës nga unioni monetar.

Çdo takim elektoral do të jetë vendimtar për shumë arsye, dhe tashmë nuk ka zgjedhje kombëtare, që të mos kenë një reflektim në nivel europian, por mes shumë leximeve që mund të bëhen për t’i dhënë kuptim politik sfidave franceze, angleze, gjermane dhe italiane, është njëri veçanërisht, që meriton të vihet në dukje, dhe që ka të bëjë me një temë jo sekondare, e cila mund të sintetizohet përmes një pyetjeje: çfarë ka në lojë, për të majtën europiane, në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm? Përgjigja është sa komplekse, aq edhe e thjeshtë, dhe ndoshta mund të themi kështu: në muajt e ardhshëm, në lojë është vullneti apo mungesa e tij, për të ecur përpara me vetëvrasjen e asistuar të progresistëve europianë. Një kalim i shkurtër, për të kuptuar më mirë për se e kemi fjalën.

Në Francë, çdo rezultat është i mundshëm, por vetëm njëri jepet i sigurtë në sondazhe: kandidati zyrtar i Partisë Socialiste, Benoit Hamon, rrezikon të marrë më pak se gjysmën e votave të kandidatëve të pavarur Melenchon dhe Macron, dhe shpërthimi i mundshëm i partisë së presidentit aktual, François Hollande, është një prej temave të mëdha të kësaj fushate elektorale.

Në Angli (zgjedhjet janë në 8 qershor) nuk duhet të ketë dyshime, se cila do të jetë fituesja e zgjedhjeve (May), por edhe këtu, nëse ka një të dhënë të qartë, ajo është se rivali kryesor i partisë konservatore, Jeremy Cobyn, sipas sondazheve, ka më pak se gjysmën e votave të partisë që qeveris vendin. Corbyn dhe Hamon kanë të përbashkët jo vetëm fatkeqësinë që i kanë besuar doktor Thomas Pikettysë (këshilltar i të dyve, pasi ka qenë këshilltar edhe i të gjorit Iglesias të Podemos), por kanë edhe një platformë programore demagogjike, të vobektë, proteksioniste dhe antiproduktive, e gjitha e përqëndruar në një vizion antikapitalist, jo shumë larg prej asaj venezueliane të Nicola Maduros. Ky vizion është i destinuar që të jetë humbës, ndërkohë që vizioni i kundërt është i destinuar që të paktën të ketë një shans për të qenë kompetitiv.

Rasti i Martin Schulz, udhëheqësi i SPD në garë kundër Angela Merkelit në Gjermani, është më se domethënës, dhe është simbol i një përmbysjeje totale të politikës progresiste europiane. Schulzi – dhe ky është një tregues i rëndësishëm – është fytyra e një të majte, e cila premton të qeverisë kontradiktat e globalizimit, pa rënë në kurthin e proteksionizmit dhe retorikën boshe të atyre që janë kundër masave të kursimit. Eshtë kompetitive edhe sepse ka zgjedhur që të përballet me qendrën e djathtë duke u përpjekur jo ta eleminojë Merkelin, por të matet me të, si dhe duke tentuar jo ta ndihmojë, por ta hedhë poshtë logjikën antikapitaliste të internacionales së Piketty. Sot nuk e dimë se cili do të jetë modeli i lidershipit fitues që do të afirmohet në Europë, por e dimë se të paktën për të majtën ekzistojnë disa modele që mund të funksionojnë (Schulz, Renzi) ndërkohë që ekzistojnë të tjerë (Iglesias, Corbyn, Hamon) që nuk funksionojnë.

Fati i Partisë Socialiste franceze na tregon që, nëse një e majtë e cila shqetësohet ekskluzivisht për të mos patur armiq në të majtë, është një e majtë e destinuar të vetëvritet. Muajt e ardhshëm të fushatës elektorale do të na e thonë më qartë, atë që dyshojmë: e vetmja e majtë që mund të synojë të mos fundoset përballë konservatorëve është një e majtë e cila përpiqet të mos jetë më e burgosur e Nëntëqindës, siç shkruan Luca Ricolfi në librin e tij “E Majta dhe Populli”. Një e majtë e cila përpiqet t’u bëjë ballë forcave sovraniste me të vetmen alternativë të mundshme ndaj populizmit pikettist.

Pa hedhur në erë idetë e Rrugës së Tretë të Tony Blairit, por duke u përpjekur të realizojë (pas epokave të Thatcherit më parë dhe Merkelit sot) një Rrugë të Tretë të reformizmit europian. / “Il Foglio” – Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button