Shendeti

Nga vjen fjala diabet?

Çrregullime të caktuara që i atribuohen sëmundjes së Diabetit, si etja e madhe, dhe një rritje patologjike e urinimit, gjenden në dokumentet historike shumë shekuj para se sëmundja të kishte një emër.

Dëshmia e parë historike e simptomave tipike të Diabetit, shfaqet në vitin 1550 Para Erës Sonë në Papirusin Ebers, papirusi më i gjatë mjekësor i njohur deri më sot, i hartuar gjatë mbretërimit të faraonit egjiptian Amenhotep I. Dokumenti i referohet një gjendjeje, që e çon pacientin në rënien e madhe të peshës trupore dhe urinim të shpeshtë.

Si mjalti

Pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, në vitin 50 Para Krishtit, mjeku indian Susruta përshkroi raste të pacientëve, urina e të cilëve tërhiqte mizat dhe milingonat, pasi ishte shumë e ëmbël. Termi mellitus, sot i referohet pikërisht pranisë së sheqernave në urinë tek pacientët diabetikë. Susruta e quajti atë “sëmundja e të pasurve”, pasi ata ishin të vetmit që mund të përballonin konsumin e karbohidrateve të pranishme në sasi të mëdha të orizit, miellit dhe sheqerit.

Origjina e emrit

I pari që përdori termin Diabet ishte në vitin 150 Pas Krishtit, mjeku grek Areteo i Kapadokias, që e ushtronte profesionin e tij në Romë. Në traktatin e tij të përgjithshëm mbi sëmundjet, ai e përshkroi Diabetin si një sëmundje që karakterizohet nga lëngëzimi i gjymtyrëve në urinë, sikur trupi tretet në ujë (folja greke diabaino, do të thotë “të kalosh përmes”, “të shkrihesh”).

Pacienti nuk pushon së piri ujë dhe urinuari, dhe etja që ka nuk i qetësohet kurrë, pasi ajo që pi është ende pak në krahasim me lëngjet që nxjerr jashtë trupi. Nëse pushon së hidratuari për një moment, goja thahet dhe trupi dehidratohet.

Para trajtimit me ilaçe

Bëhet fjalë për përshkrimin dramatik të fillimit të diabetit të Tipit 1 që në atë kohë, pa një terapi me insulinë, çonte shpejt në vdekjen e të sëmurit. Për të arritur tek dallimi midis dy formave kryesore të diabetit, të tipit 1 dhe 2, duhej të pritej mjeku persian Avicena, që

në vitin 1025 e përshkroi sëmundjen në “Ligjet e mjekësisë”, duke ia atribuuar atë një mosfunksionimi të mëlçisë dhe jo pankreasit. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button