Roberto Esposito
Përse mundohemi kaq shumë, për të kuptuar atë që po ndodh? Ndoshta sepse faktet e këtyre javëve, nga Brexit tek Turqia, e deri tek terrori në Nicë, dhe ai më i fundit në Gjermani, kaq shumë të ndryshme mes tyre, në madhësi, pasoja dhe shkaqe, kanë një pikë të përbashkët: “faktet” e këtyre javëve nuk janë më ata të një herë e një kohe. Vetë ideja e “faktit” apo e ngjarjes është e tillë, sepse arrijmë ta ndërfusim në një kornizë mendimi pak a shumë të konsoliduar.
Tani ajo kornizë, e cila mbajti deri në pjesën e dytë të shekullit të njëzetë, nuk është më. Anglia që shpëtoi Evropën vendos të largohet, mund të shohim në Turqi atë që ishte një grusht shteti kundër një demokracie autoritare, mund të shohim terroristët, të cilët nuk kanë më një marrëdhënie të fortë me një ideologji, të çmendur e totalitare, por e marrin atë hua, me qira, për disa javë, duke vënë në lojë trupin e tyre, jetën e tyre.
E sulmuar është ajo që ne e kemi quajtur për një kohë të gjatë “bota e vjetër” – Evropa dhe Lindja e Mesme, nga Lisbona në Ankara, nëpërmjet Parisit dhe Londrës. Natyrisht, edhe në Amerikë e reja mund të shpallet me profilin, jo tamam sigurues, të Trumpit. Por deri tani dridhjet që e lëkundin duket se vijnë nga larg, nga “barku” i shekullit të kaluar. Nga Alabama në Dallas, në një histori që ka parë të alternohen Ku-Klux-Klan dhe Black Panthers, ndarja racore dhe Martin Luther King. Janë rikthyer fantazmat e një konflikti të lashtë, në dukje i fjetur, por në realitet gjithmonë “rrëshkitës” nën hirin e integrimit.
Në Evropë, dhe në degën e saj të Anadollit, ndryshimi ka pamjen e një katastrofe të vërtetë. Ato që shemben, që përpara kufijve gjeopolitikë, janë kategoritë të cilat kanë shenjuar thellësisht, të gjithë horizontin e modernitetit, deri dje. Të përpiqemi të vëmë në radhë ngjarjet: Brexit, Nica dhe Turqia janë tre valë tronditëse që, në disa ditë distancë, po e shkatërrojnë peisazhin historik dhe mendor, që prej një kohe të gjatë e kemi perceptuar si tonin.
Brexit. Është e vërtetë që Mbretëria e Bashkuar nuk ka qenë vendi më pro-evropian. Është e vërtetë se prirja e saj Atlantike është aq i vjetër, sa edhe kundërvënia mes detit e tokës. Është e vërtetë, me pak fjalë, se Britania nuk ka pu – tejet i pavarur krahasuar me kontinentin. Por është gjithashtu e vërtetë se anija që në vitet dyzetë të shekullit të kaluar shpëtoi Evropën nga demonët e saj të brendshëm, ka thyen spirancën, ka ngritur velat për në një destinacion të panjohur. I panjohur për Evropën, e cila humbet një prej pjesëve të saj në shumë drejtime të pazëvendësueshme, bashkë me fuqinë e saj më të madhe ushtarake. Dhe i panjohur edhe për ekuipazhin e saj, që ende sheh, i përhumbur, vendi nga i cili shkëputet, por pa e ditur se në cilin port do të ankorohet.
Nica. Natyrisht, kjo ishte goditja e fundit e një historie terrorizmi në vend për të paktën pesëmbëdhjetë vjet. Por edhe një hap i madh në tërbimin destruktiv që të lë pa fjalë. Jo vetëm për egërsinë e terroristit, por edhe për anomalinë e figurës së tij. E pangjashme edhe me figurën, tashmë të zhdukur, të partizanit, ashtu edhe me atë të ushtarit të fesë. E ndryshme nga njëra dhe tjetra, silueta e saj humbet në pakuptimësinë absolute të vdekjes, për vdekjen. Nëse mendon se kamikazi ka shkaktuar një numër viktimash, të barabartë me ato të shkaktuara nga grupi i zjarrit në Bataclan, vetëm me një kamion të marrë me qira për disa qindra euro, humbja bëhet edhe më e madhe. Përshkallëzimi nihilist nuk ka të krahasuar. Aq sa e bën edhe më të përthyer panoramën që kemi përpara, edhe më të paqartë armikun që duhet luftuar.
Dhe në fund, Turqia. Në grushtin e shtetit – i vërtetë apo i rreme: të dyja këto, nëshoqërinë e mediave të reja qasen gjithmonë e më shumë – bëhet copë një kategori me të cilën, të paktën në Perëndim, ne kemi qenë veçanërisht të afeksionuar – ajo e demokracisë liberale. Ne duhet të mësohemi të mendojmë, se këto dy terma nuk shkojnë domosdoshmërisht bashkë. Se mund të ekzistojë në lindje të Bosforit, një demokraci joliberale, apo edheautoritare. Jo shumë e ndryshme, për më tepër, nga ajo e Rusisë, me të cilën ka qenë prej kohësh në konkurrencë në të njëjtën zonë. Ne konstatojmë se një demokraci e tillë mund të përfshijë, duke e vënë në funksion të pushtetit të kreut, madje edhe një puç ushtarak. I cili gjithashtu, ka thirrur në ndihmë demokracinë. Si demokratike janë paraqitur nga pasuesit e Erdoganit, metoda represive të përdorura këto kohë, në mes të ditës dhe në errësirën e nëntokës.
Ka mjaftueshëm për të thënë se një univers i tërë po bëhet copë e çikë. Asnjë prej parametrave të vlefshëm deri në fundin e Nëntëqindës, nuk funkskonon më në globalizimin dhe në politikën e jetës dhe vdekjes. Aty ku trupat e njerëzve përdoren si bomba shpërthyese, dhe interneti është e vetmja hapësirë ku mund të praktikohet përballja publike. E gjithë kjo nuk mund të mos na alarmojë. Por, nëse duam që t’i përgjigjemi me efikasitet sfidës që kemi përpara, duhet të kalitemi për të ndryshuar me shpejtësi mënyrën e lidhjes me kohën tonë – për të përballuar rreziqet e saj, dhe shfrytëzuar burimet që ofron.
Autori është Profesor Filozofie / Në shqip nga bota.al