Qetësi e madhe në lëvizje: marrin me qetësi edhe një këpucë që u ka rënë në rrugë. Por gabojnë adresë. Dhe kryqëzojnë hapat ndërkohë që përparojnë me kallashnikov, ashtu si bëjnë rekrutët
Atentatorët kryejnë që në minutat e para një gabim sa i përket zbatimit të planit. Gabojnë adresë, me disa numra: ndalojnë në Nr. 6 të Nicolas Appert dhe ulërasin “ky është Charlie Hebdo?”, por janë arkivat e të përjavshmes satirike, nuk është shënjestra e tyre.
Me kallashnikovët hedhur krahëve, fytyrat e mbuluara rendin drejt Nr.10 të të njëjtës rrugë dhe hyjnë në zyrat e revistës, hipin në katin e dytë ku po mbahet mbledhja e redaksisë. Gabimi i parë nuk i ka bërë konfuzë, kanë mbërritur në shënjestrën e masakrës. Kanë mbetur të qetë.
Eshtë pikërisht kjo qetësi që i ka befasuar ekspertët, të cilët flasin për stërvitje ushtarake pasi kanë analizuar disa prej filmimeve të sulmit terrorist që janë realizuar prej dëshmitarëve me telefona celularë. “Shfaqen gjakftohtë në të gjithë fazat”, komenton një ish truprojë për agjencinë France Presse.
Nerva të fortë dhe vëmendje për detajet: një prej atentatorëve rend që të marrë një këpucë tenisi që ka rënë prej makinës së përdorur në operacion, nuk dëshiron të lërë gjurmë. Por nuk kupton se ka harruar një kartë identiteti në makinën që më pas e ka braktisur. Nerva të fortë dhe egërsi: një polic vritet me një plumb kokës ndërkohë që është i shtrirë përtokë, i plagosur, terroristi qëllon teksa vrapon, pa u ndalur. “Nuk i çojnë dëm plumbat – thotë i njëjti burim për agjencinë AFP – është e qartë se dinë t’i përdorin mirë automatikët”.
Kallashnikovi është arma më e përhapur në Lindjen e Mesme, ekstremistët e konsiderojnë kaq të lehtë për ta përdorur “saqë edhe një fëmijë mund ta shtypë këmbëzën”. Dy atentatorët e mbajnë pranë trupit, nuk pengohen, janë të saktë, njëri pranë tjetrit. “Janë në kontroll total të emocioneve të tyre dhe armëve të tyre”, shpjegon për televizionet francezë Rene-Georges Querry, shef i një skuadre antiterrorizëm të policisë. Bill Roggio, i cili boton Long ëar Journal hedh hipotezën se janë ish ushtarakë.
Thomas Gibbson Neff, veteran i marinsave amerikanë, është më skeptik. Thotë se karikatorët që mbajnë janë pajisje për ushtrinë dhe nga zhurma e të shtënave dallon dy lloje të ndryshëm të automatikut: Ak74 dhe AK47.
Por përvoja i lejon të dallojë një pasaktësi në lëvizjet e komandos: ndërkohë që dalin në rrugë dhe përgatiten të largohen, i kryqëzojnë hapat e tyre “një veprim për të cilin u tërhiqet vëmendja rekrutëve sepse redukton zonën në shënjestër”.
Edhe pse hetuesit dhe ekspertët bien dakord për përgatitjen profesionale, nuk janë ende në gjendje të rindërtojnë se në cilët kampe stërvitorë të përhapur mes Sirisë, Irakut dhe Afrikës së Veriut duhet të jenë stërvitur.
Personat janë lokalizuar në zonën e Reims nga policia dhe që kanë lindur në Paris. Dy prej tyre janë vëllezër. Kishin shkuar të luftonin në Siri, por gjatë atentatit thërrisnin: “Thuajini gazetave se i përkasim Al Kaedës në Jemen”.
Një tjetër element që nuk përputhet del nga një prej filmimeve. Njëri atentator i thotë tjetrit: “Largohu, mbaroi” (i referohet policit) dhe urdhëri ka një intonacion të vuditshëm. Nuk ka dakordësi për theksin e tyre francez: disa dëshmitarë thonë se nuk kanë dëgjuar se nuk e flisnin mirë gjuhën, të tjerë thonë jo.
Të rinjtë me origjinë franceze që kanë shkuar të luftojnë në Siri me ushtrinë e Shtetit Islamik janë të paktën 700, grupi më i madh ndër ata europianë, sipas një studimi të King’s College në Londër. Rekrutimi i afrikano-veriorëve dhe perëndimorëve konsiderohet më i madhi që nga kohët e luftës në Afganistan kundër sovjetikëve: “të huajt” kanë arritur në 12 mijë në tre vite, në malet përreth Kabulit arrijnë në total 20 mijë.
Shërbimet e fshehtë europianë kanë lëshuar alarmin mbi rrezikun që paraqet kthimi në shtëpi i këtyre luftëtarëve. Të vështirë për t’u kontrolluar, shpesh herë i planifikojnë sulmet brenda një dhome, krijojnë grupe të vegjël si ai i Parisit. Nuk presin dritën jeshile nga kampet jashtë vendit, nuk ka nevojë për një urdhër nga lart. Ai është dhënë: Perëndimi është shënjestër. /corriere.it/
e.gj./www.bota.al