Psikologji

“Një femër e fortë dashuron, fal, përpiqet e këmbëngul, pavarësisht se në çfarë sfidash e vendos jeta”

Të jesh një femër e fortë dhe e pavarur është gjëja më e mirë për tri arsye. Së pari, një femër e pavarur ka një mentalitet të fortë dhe nuk ankohet lehtë. Ajo nuk heq dorë kollaj në situata të vështira, përkundrazi, i përballon ato me guxim. Një femër e pavarur lufton për të arritur synimet e saj. Për të nuk ka rezultate të mira pa sakrifica.

Së dyti, një femër e pavarur mund të bëjë gjithçka pa u varur nga të tjerët. Kjo gjë i siguron asaj edhe më shumë eksperienca në jetë. Ajo ka parime që nuk lëkunden lehtë nga të tjerët dhe mbi të gjitha, mund ta motivojë veten edhe kur të tjerët nuk e mbështesin. Një femër e pavarur do të vazhdojë përpara në jetë, edhe kur të gjithë të largohen prej saj. Nëse ajo ka bindjen se zgjedhja që ka bërë është e duhura, nuk ka asnjë person që do të mund ta kundërshtojë e t’ia ndryshojë mendjen. Kjo është dhe arsyeja pse një femër e pavarur jeton me optimizëm, pasi e di se çfarë do, se si ta arrijë dhe se si të mos ndikohet nga mendimet e të tjerëve.

Së treti, një femër e pavarur është më e vlerësuar nga meshkujt. Kur një femër është e pavarur, sidomos në aspektin ekonomik, nuk nënvlerësohet dot nga meshkujt. Meshkujt duan një femër të tillë, të aftë t’i zgjidhin vetë problemet dhe të jenë të pavarura ekonomikisht. Një femër e pavarur nuk ka nevojë të domosdoshme për të pasur një mashkull pranë, pasi mund t’ia dalë mjaft mirë e vetme, por në një marrëdhënie, nuk ndihet aspak e varur nga një mashkull. Kjo gjë e bën edhe vetë femrën të jetë më e qetë dhe më e realizuar. Nga ana tjetër, edhe pse duket e fortë në karakter, një femër e fortë dhe e pavarur dashuron me shpirt dhe është tepër besnike në një marrëdhënie.

Për arsyet e mësipërme, çdo femër duhet të mundohet të jetë e pavarur në çdo aspekt dhe të jetë e fortë për të përballuar çdo situatë.

Back to top button