Bota

Një fushatë e shëmtuar, e “distiluar” në skenën e debatit

screen-shot-2016-09-27-at-14-12-17The New York Times

“Debat” është një fjalë e dyshimtë për një ushtrim, në të cilin kandidatëve u kërkohet prej një moderatori që të japin, një çikë e nga një çikë, fjalimet e tyre, nën dritat e forta të skenës, ndërkohë që një orë numëron sekondat dhe ku çdo lojë fjalësh, goditje me fjalë, apo ngecje fjalësh, përdoret për të shënuar pikë dhe për të shpallur një “fitues”.

Por kur vetëm një kandidat është serioz, dhe tjetri është një kokorroç krejt bosh, ky term e humbet krejt kuptimin.

Përballja e të hënës mbrëma, mes Donald Trumpit dhe Hillary Clintonit ishte një spektakël, sigurisht: vetë rëndsia e tij, në kuptimin e reality-tv, audienca si prej finaleve të Super Boël-it. “Debati i shekullit”, thoshte Drudge Report. “Amerika në teh”, thoshte Huffington Post. Për një herë të vetme, gjithë kjo fryrje mund të ketë qenë e drejtë, po të kesh parasysh sondazhet kokë më kokë dhe datën e zgjedhjeve që afrohet.

Kishte një asimetri themelore në këtë ushtrim, për shkak të të vërtetës së tmerrshme, që njëri prej pjesëmarrësve nuk kishte asnjë të vërtetë për të ofruar. Por, të parit e tyre mbi të njëjtën skenë, në fakt distiloi ekzaktësisht atë që kanë qenë gjatë gjithë kësaj fushate.

Në podium, duke ndërprerë dhe bërtitur, duke luajtur fizarmonikën e padukshme me duart e hapura, penguar, trazuar sallatën e tij të fjalëve – vendet e punës dhe terrorizmi dhe NAFTA dhe Kina dhe çdo gjë e tmerrshme – Trumpi tha shumë. Por teksa debati vazhdoi, ai u lodh shumë për të konkurruar me një konkurrente, e cila ishte shumë më e përgatitur se cilido prej republikanëve që ai kishte ndeshur në zgjedhjet brenda partisë.

Nëntëdhjetë minuta nuk mund të kishin mjaftuar kurrë për Trumpin që të shpëtonte kandidaturën e tij, edhe nëse për shkak të ndonjë mrekullie ai do të kish dashur, po ta zëmë se krejt papritur do të kishte zhvilluar një seri koherent politikash dhe parimesh, një agjendë përkundrejt të cilës propozimet e Clintonit do të mund të peshoheshin dhe shqyrtoheshin, apo edhe një nivel bazë sinqeriteti.

Moderatori, Lester Holt i NBC shpalli temat e “arritjes së prosperitetit”, “drejtimin e Amerikës” dhe “sigurinë e Amerikës”, më pas thjeshtë u tërhoq në heshtje, teksa Trumpi u hodh në sulm, duke fajësuar Clintonin për ISIS-in dhe papunësinë dhe globalizimin, duke e përshkruar vendin si një ferr për zezakët e Amerikës, një vend ku kanë pllakosur imigrantët e paligjshëm dhe bandat me armë, dhe me oficerë policie që kanë frikë t’i ndalojnë. “Të gjitha vetëm fjalë”, tha ai në një moment, në përpjekje për të shpërfillur Clintonin, por që krejt pa dashje, po përshkruante zbrazëtinë e vetë fjalëve të tij.

Në varësi të polarizimit të lenteve që mban, Trumpi i përmbushi/tejkaloi/nuk i përmbushi pritshmëritë, të cilat ishin të ulëta që në krye të herës. Ai ka gënjyer vazhdimisht që kur ka hyrë në garë, dhe u kap sërish të hënën mbrëma duke gënjyer (duke përsëritur, mes gënjeshtrave të tjera, se kish qenë Clintoni që e kishte nisur sulmin për vendlindjen e Obamës). Por sido që të fliste Trumpi në këtë debat, ai sërish mendohet të ketë mbështetjen e një pjese të madhe të elektoratit amerikan.

Edhe Clintoni i përmbushi/tejkaloi/nuk i përmbushi pritshmëritë, që ishin të ndryshme për të. Ajo duhej që të ishte e ashpër por jo çjerrëse, e këndshme por jo e shpenguar, e zgjuar por jo pedante, në gjendje që t’i bënte ballë ngacmimeve. Nëse e vendos në ekuilibër, ia doli, duke përballur me forcë sulmet e tij dhe duke lëshuar plot siguri kritikat e saj, nga një pozicion më i lartë dhe më i qëndrueshëm.

Një seri kandidatësh më të aftë mund ta kishin ndalur këtë. Një Parti Republikane e përgjegjshme, me mendje tek interesi kombëtar, jo e fiksuar pas goditjes së presidentit Obama, mund ta kish ndalur. Në një epokë politike më të mirë, të dy parttë – jo vetëm demokratët – do të kishin kandidatë të kualifikuar që do t’u përgjigjeshin shqetësimeve të Amerikës për terrorizmin dhe luftën, klimën dhe ekonominë, imigrimin dhe tensionet racore, arsimin dhe sigurinë publike.

Por jo këtë vit. Fushëbeteja e republikanëve ishte e mbushur me më të dobëtit e më të dobtëve. Gjë që i dha debatit dimensionin e tij të çuditshëm, mbase tragjik. Eshtë absurde që fati i garës, dhe e ardhmja e kombit, mund të shkojë në një drejtim apo në një tjetër, bazuar në një ritual televizin nëntëdhjetë minutësh, kaq të njollosur prej gënjeshtrave. www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button