Udhëheqësit po i bëjnë thirrje kombit të marrë një rol më të fuqishëm në cështjet politike dhe ekonomike të botës
Duke iu drejtuar të pranishmëve në seancën e hapjes së KOnferencës së Mynihut për Sigurinë, një takim i përvitshëm të kryediplomatëve perëndimorë dhe zyrtarëve të mbrojtjes, që u zhvillua në fund të janarit, Presidenti i Gjermanisë, Joakim Gauk shprehu mendime që jo shumë vite më parë, do i kishin bërë njerëzit të dilnin e të protestonin në rrugë. Gjermanët, deklaroi ai, duhet të pushojnë së fshehuri pas ndjenjës së fajit për të kaluarën e tyre militariste, dhe duhet të marrin më shumë përgjegjësi për të ndikuar në cështjet ndërkombëtare. E nëse kjo do të kërkojë përdorimin e ushtrisë gjermane, “Gjermania nuk duhet të thotë ‘Jo’, në parim”.
Këtë herë nuk pati protesta publike, gjë që tregon se Gjermania është tani e hapur për më shumë debat publik nëse duhet të ketë një prani më të madhe të Gjermanisë, për të ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve përreth globit. Argumenti bazë i Gauk ishte se Europa dhe NATO duhet të marrin një rol më të madh në cështjet ndërkombëtare, dhe Gjermania në mënyrë të vecantë duhet të bëjë më shumë, sic i takon statusit të saj si vendi me popullsi më të madhe dhe më i industrializuar i Europës.
Vitet e fundit, Gjermania ka filluar të dalë nga pacifizmi i thellë që erdhi e u forcua si reagim ndaj krimeve të saj të Luftës së Dytë Botërore, duke dërguar trupa në Afganistan, Kosovë dhe gjetkë. Por sërish, shumë gjermanë mbeten hezitues për t’u bërë edhe më aktivë ushtarakisht jashtë vendit.
Presidenti Gauk nuk është udhëheqësi i parë që sfidon heshtjen ushtarake të Gjermanisë. Por vendi dhe koha e komenteve të tij – dhe vetë historia e tij si një pastor anti-komunist nëish Gjermaninë Lindore – jepnin garanci që thirrja e tij do të siguronte një audiencë të gjerë. Dhe ai nuk është vetëm në thirrjen për më shumë pjesëmarrje të Gjermanisë në cështjet ndërkombëtare. Në prag të konferencës, Ursula fon der Leien, ministrja e parë femër e Gjermanisë, deklaroi se është e përgatitur të dërgojë më shumë trupa gjermanë në zona konflikti.
Nuk ishte e qartë nëse fjalimi i Z. Glauk ishte konsultuar edhe me Znj. Merkel. Edhe nëse jo, presidenti ka bërë një goxha kthesë duke nxitur një debat shumë të rëndësishëm dhe në kohën e duhur. Ishte e drejtë që gjermanët të reagonin ndaj militarizmit që i zotëroi ata 70 vite më parë, por sic argumentoi edhe Presidenti Gauk, ajo ndjenjë faji nuk u jep më gjermanëve të drejtën të kthejnë kokën në anën tjetër, kur Perëndimi thirret për të ndihmuar njerëzit që rrezikohen prej gjenocidit, spastrimit etnik apo krimeve të tjerë kundër njerëzimit.