Muzike

Një histori e Heavy Metal-it, muzikës “së papranueshme”

Që kur muzika disco ‘’u pranua’’ përfundimisht – veçanërisht edhe nga kritika, e cila rreth 40 vjet më parë i “mallkonte”, si formën edhe përmbajtjen  – Heavy Metal-i mbajti i vetëm, primatin e të qënit e vetmja muzikë e “papranueshme”, (të paktën në terma dekori të përgjithshëm) e planetit. Në qoftëse çdo lloj tjetër muzike, kishte arritur të gëzonte ndonjë dinjitet akademik apo “vlerë sociale”, për të pasur një vend nderi në kopertinat e revistave muzikore “serioze”, metali vazhdonte  të ishte “kushëriri i shëmtuar dhe i keq”, i muzikës së popullit të fundshekullit të kaluar.

Tepër brutalë, tepër eksplicitë, tepër muskolozë, tepër emotivë, tepër të pakedukuar, tepër të thjeshtë, tepër kitarristikë, tepër popullorë. Me këtë sy vazhdojnë të duken, me përjashtime shumë të rralla, grupet metal, ashtu si edhe grupet punk, që prej rreth 40 vjetësh tashmë. E thënë ndryshe, vulg që nuk di të luajë muzikë, ose nëse arrin të luajë, bën një muzikë të padurueshme. Ky trend pati arritur në një pikë paradoksale, aq saqë, menjëherë sapo një grup heavy metal arrinte ndonjë formë suksesi në masë, kërkonte menjëherë të hiqte prej vetes atë prefix të mallkuar. Rock, post-rock, crossover, gjithçka do të ishte më mirë, sesa etiketimi “Metal”, kategorizim që sillte menjeherë vështrime qortuese, apo keqardhje të fshehur jo mirë, nga mbarë kritika.

Por pse kaq urrejtje ndaj kësaj muzike?

Të vjen të pyesësh veten, pse gjithë kjo antipati, që s’do t’ia dijë për ndryshime, rikuperime/pranime a “zhdoganime” nga më të ndryshmet.

Shkaqet janë të shumta. Nuk bëhet fjale vetëm për snobim. Nga njëra anë, Metali ka në ADN një sërë mëkatesh origjinale, që e bëjnë pak të pranueshëm. Është i zhurmshëm, tepër i zhurmshëm, e pavarësisht disa tentativave heroike nga ana e disa grupeve më të kujdesshme, shumë pak i intelektualizuar apo i intelektualizueshëm, gjerësisht jo korrekt, politikisht apo jo, ( ka ekzistuar një tendencë pavloviane për të indentifikuar metalin me të djathën, pavarësisht grupeve si Sepultura, Rage Against the Machine, Napalm Death, a Fear Factory); prek një sërë aspektesh ‘’primare’’, sidomos për sa i përket seksualitetit, vdekjes, dhunës, që i lënë një shije të keqe pjesës tjetër të botës. Metali nuk ka shtigje të qarta etnike që të mund të stimulojë bamirësira tipike ndaj qënieve leshatore, apo instikt paternalist nga ana e publikut (edhe pse, është e qartë që të paktën deri në vitet 2000, më tepër se gjysma e “metalit të prodhuar” deri asokohe, e kishte origjinën në vende latine, aziatike por edhe arabe. Është ndoshta kryesisht mashkullor, është i padepërtueshëm nga moda apo trende që nuk janë të vetat, e aty ku prek zhanre të tjera, ka tendencën t’i gllabërojë e jo të inglobohet ai vetë. Eshtë sintomatike po të konsiderosh që mund të kenë simpati për metalin vetëm artistë të zhanreve më skajore, si noise apo muzika dance më radikale.

Është pra me të vërtetë për t’u habitur se si ia ka dalë të mbijetojë për gjithë këto vite me radhë…

Bota.al në bashkëpunim me “Caffe del Libero Pensatore” do të nisë botimin e një serie, të ndarë në faza, mbi muzikën, si edhe një enciklopedi e grupeve Heavy Metal.

Ne jemi të sigurt se brezi I viteve ’80 dhe ’90 do të gjejë veten në këtë seri, qoftë kjo edhe për shkak të nostalgjisë për një kohë, kur siç të thotë menjëherë, çdo përfaqësues I këtyre brezave, “bëhej vërtetë muzikë!” / bota.al

Leave a Reply

Back to top button