Bronnie Ware, një infermiere australiane, e cila kaloi disa vite duke u kujdesur për njerëzit gjatë javëve të fundit të jetës së tyre, pyeti në mënyrë rutinore pacientët për çdo pendesë që kishin, apo ndonjë gjë që do të bënin ndryshe nëse do të mundnin. Më vonë ajo postoi një artikull të quajtur “Pendesat e të vdekurve”. Në të, Ware shkroi për qartësinë fenomenale të vizionit që njerëzit kishin fituar në fund të jetës, si dhe për temat e zakonshme që u shfaqën vazhdimisht gjatë këtyre bisedave.
Ky artikull është shpërndarë miliona herë në internet dhe është kthyer në një libër në vitin 2012.
Është një premisë magjepsëse, apo jo? Për çfarë pendohen më shumë njerëzit për jetën e tyre?
Nuk do ta përfshij listën këtu. Në vend të kësaj, dua t’ju pyes: Sa fort doni të dini se çfarë ka në atë listë? Sa të tunduar jeni ta kërkoni në google artikullin në këto momente, në mënyrë që të mund të shihni pendesat kryesore që kanë njerëzit në fund të jetës së tyre? Dhe më e rëndësishmja, nga vjen ajo dëshirë për të ditur pendesën e të vdekurve? A nuk është forca e interesit tuaj, prova se jeni të shqetësuar se mos jeta juaj shkon dëm?
Pse u bë virale një listë për pendesat e njerëzve të tjerë në prag të vdekjes? Kjo ndodh sepse të gjithë e dimë që një ditë do të jemi pranë vdekjes dhe nuk duam të pendohemi kur të arrijmë atje. Dhe gjithashtu, besoj, sepse që tani mund të kemi filluar të pendohemi për zgjedhjet tona të jetës.
Për njerëzit në moshën e mesme, dhe madje edhe për njerëzit në moshë madhore, është e zakonshme të kemi ankth të bezdisshëm se po harxhojmë kohën dhe burimet tona për gjëra që nuk janë të rëndësishme, ndërkohë që nuk fokusohemi mjaftueshëm në gjërat dhe njerëzit që kanë vërtet rëndësi. Dhe ne mund të imagjinojmë lehtësisht se do të na vjen keq për këtë një ditë, nëse nuk bëjmë një ndryshim. Megjithatë ne vazhdojmë, duke e vënë të parëndësishmen përpara imperatives.
Diçka duhet të ndryshojë. Dhe nuk kemi shumë kohë përpara nesh.
Ne gjithmonë do të marrim disa vendime të pamendta gjatë rrugës, që do të dëshironim t’i zhbënim. Pra, ndoshta nuk është e mundur të jetosh një jetë pa absolutisht asnjë pendesë. Por me siguri është e mundur të bëjmë ndryshime që na largojnë nga rruga e kollajtë e zhytjes zhytur në të zakonshmen dhe të menjëhershmen dhe na fusin në një rrugë më të qëllimshme, e cila të çon drejt një jete që kënaq dhe jehon përtej ekzistencës sonë të vdekshme – një jetë e jetuar mirë. A nuk duam të gjithë një jetë me më pak pendesa dhe më shumë përmbushje?
Si ta bëni jetën tuaj mjaftueshëm të gjatë
Në kolegj, kisha një profesor q më këshillonte: “Mendo të lexosh libra nga shekujt e mëparshëm, sepse të gjithë shkrimtarët e gjallë janë duke notuar në të njëjtat rryma kulturore dhe ideologjike si ti. Por një libër nga shekuj më parë do të vijë nga një këndvështrim tjetër dhe do të sfidojë të menduarit tënd në mënyra të reja.”
Jam përpjekur të jetoj sipas kësaj këshille. Në fakt, shumë nga idetë e mia për Zotin, minimalizmin, të jetuarit me qëllim dhe tema të tjera që i kam për zemër janë informuar nga burra dhe gra të mençura të epokave të kaluara. Ata sjellin një perspektivë të re në një mënyrë që studiuesit apo ekspertët modernë nuk mund ta bëjnë. Dhe kam zbuluar se temat që bëjnë jehonë të përsëritur në periudha të ndryshme dhe në vende të ndryshme, janë shpesh tema që mund të na tregojnë ende rrugën drejt një jete më të mirë.
Dhe duke patur këtë në mendje, dua të ndaj me ju një citim që e kam patur fort të rëndësishëm prej shumë vitesh tashmë. Eshtë nga Seneka i Riu, një filozof romak i lindur në pothuaj të njëjtën kohë me Jezusin e Nazaretit:
“Nuk është se ne kemi pak kohë për të jetuar, por ne çojmë dëm shumë nga kjo kohë. Jeta është mjaftueshëm e gjatë, dhe një sasi e madhe e saj na është dhënë për arritje nga më të mëdhatë, nëse ne e investojmë atë siç duhet.
Por, kur shpërdorohet në lukse të kota dhe shpenzohet për aktivitete pa vlerë, ne detyrohemi kur jemi në shtratin e vdekjes, që të kuptojmë se ajo na ka kaluar para syve pa e kuptuar që po ikën. Pra, nuk na është dhënë një jetë e shkurtër, por jemi ne që e shkurtojmë. Nuk kemi mungesë, thjesht e shpërdorojmë…”.
Ky citim i guximshëm i Senekës është ai që kam parasysh kur i referohem një jete kuptimplotë. Do të thotë të jetosh me një qëllim. Do të thotë ta harxhojmë kohën tonë për “arritje të mëdha”, në vend të “lukseve të kota” dhe “aktiviteteve pa vlerë”. Sepse nëse e bëjmë këtë, do të kuptojmë se jeta është mjaftueshëm e gjatë për gjërat që kanë më shumë rëndësi. / Shkëputur nga libri “Gjërat që kanë rëndësi”, me autor Joshua Becker – Në shqip nga bota.al