Letersi

Një libër për fëmijën brenda nesh – “Princi i Vogël” mbush 75 vjeç

Antoine de Saint-Exupéry u përpoq me “Princin e Vogël” t’i ikte dimensionit banal të politikës. Për shumë lexues ky tregim është një pleduaje për humanizmin dhe miqësinë.

“Princi i vogël” i Antoine de Saint-Exupery-së e shikon botën përmes syve të një fëmije, por  konkluzionet e tij i formulon me fjalët e një të urti. “Është fare e thjeshtë: vetëm zemra sheh mirë. Thelbi për sytë është i padukshëm” ose: “Është koha që ti ke humbur për trëndafilin tënd, ajo që e bën atë kaq të rëndësishëm”. Janë vetëm dy nga thëniet e famshme të djaloshit të vogël leshverdhë, që vinte nga Asteroidi B612. (Citatet janë marrë nga një version online i përkthimit të Petro Zhejit)

Në tregimin e tij përrallor “Princi i vogël”, i cili u botua për herë të parë më 6 prill 1943 në Nju Jork në anglisht dhe frëngjisht, Antoine de Saint-Exupery ka trajtuar temat thelbësore të kohës kur jetonte, por ato duket se mbeten gjer më sot aktuale.

Ato janë: rënia e vlerave në shoqërinë moderne, me përparimin e teknologjisë, me konsumin dhe pronësinë dhe para së gjithash miqësia dhe dashuria.

“Princi i vogël” konsiderohet si vepra ku Saint-Exupery projekton idealin e tij për një botë humaniste dhe me të cilin, autori i librit, i cili për nga profesioni ishte pilot, e cementoi përfundimisht famën e tij botërore.

Deutsche Welle bisedoi me Joseph Hanimann-in, biografin e Saint-Exupery-së, mbi njeriun që qëndronte prapa bestsellerit botëror dhe për çelësin e suksesit të tij:

Deutsche Welle: Z. Hanimann, pikërisht 75 vjet më parë u botua për herë të parë “Princi i vogël”.  A ju kujtohet hera e parë kur e lexuat atë?

Joseph Hanimann: Fillimisht e kam lexuar “Princin e vogël” si fëmijë. Më duhet të them se atëherë nuk e kuptova menjëherë. Ishte pak i çuditshëm për mua. Dhe, në fakt, enigmatik ka mbetur. Ndoshta ky është shkaku se përse ka kaq sukses.

DW: “Princi i Vogël” është bërë për fëmijë. Por ai nuk kuptohet aq lehtë. Mos vallë Antoine de Saint-Exupéry e ka shkruar atë për të rriturit?

Joseph Hanimann: Kjo është ajo që thuhet spesh për këtë libër: një libër për fëmijë nga mosha 7 deri në 77-vjeçare, ose më saktë, sot mund t’i shtohen edhe njëzet vjetë. Është një libër për fëmijë, për fëmijën që jeton ende brenda nesh.

DW: Sot, “Princi i Vogël” është një nga librat më të lexuar të të gjitha kohërave. Është përkthyer në disa qindra gjuhë dhe dialekte. Cili është sekreti i suksesit të kësaj vepre?

Joseph Hanimann: Figura e Princit të vogël, pjesa me dhelprën dhe gjarprin, e gjitha kanë diçka misterioze. Diçka që shkon me çdo lloj konteksti apo epoke. Historia mund të interpretohet në shumë mënyra. Dikush mund ta kuptojë “Princin e vogël” si një përrallë ekologjike, siç ka ndodhur në vitet e fundit – një princ i vogël që e mban pastër planetin  – ose si një lloj përralle e sheknës fantastike me të gjithë optimizmin ose pesimizmin për të ardhmen. Dhe ajo që e bën këtë libër akoma më të veçantë, “Princi i vogël” është përralla e parë ndërplanetare dhe futuriste.

DW: Antoine de Saint-Exupéry nuk ishte vetëm autor, por edhe pilot. Dy profesione që, në pamje të parë, nuk kanë të bëjnë fare me njëri-tjetrin. Në biografinë tuaj për Saint-Exupery-në ju shkruani, se “ai ishte njëri, nëpërmjet tjetrit”. Çfarë keni dashur të thoni me këtë?

Joseph Hanimann: Saint-Exupéry kishte një imagjinatë të jashtëzakonshme. E gjithë jeta e tij ishte një kaos i madh, mahnitës dhe shumë simpatik. Por ai ishte shumë i dhënë edhe pas teknikës. Fantazia e tij është parë qysh herët, nga pjesët teatrore që shfaqte, tekste të vogla, që i pat shkruar qysh fëmijë. Dhe kundër kësaj rrëmuje ai vuri disiplinimin nëpërmjet teknikës – natyrisht në mënyrë të pavetëdijshme. Në fakt, ai asnjëherë nuk e vendosi përfundimisht se çfarë do të bënte, ose më saktë ai nuk donte të vendoste.

DW: A mund të thuhet konkretisht se sa pasqyrohet piloti Saint-Exupery te “Princi i vogël” dhe se sa autobiografike është kjo vepër?

Joseph Hanimann: Ka qenë ajo përplasja e famshme e avionit midis Libisë dhe Egjiptit, në vitet 1930. Saint-Exupéry dhe mekaniku i tij kaluan disa ditë në shkretëtirë. Dhe për një fije i shëtuan vdekjes. Shfaqja e papritur e princit të vogël në shkretëtirë në librin e tij ka një lidhje konkrete me këtë. Se mund të merren me mend se kur etja është tepër e madhe, krijohen haluçinacione. Dhe ai e ka shfrytëzuar pikërisht këtë përjetim për skenografinë letrare, kornizën e të gjithë historisë.

DW: Kur libri u botua për herë të parë në vitin 1943 në Nju Jork, ishte Lufta e Dytë Botërore. Si ishte kjo Si u kuptua ky tregim asokohe?

Joseph Hanimann: Gjatë periudhës dyvjeçare të qendrimit të tij në SHBA, Saint-Exupery vuajti jashtë mase. Nga njëra anë, sepse e vriste ndërgjegja – të afërmit e tij, ndër ta edhe ema, kishin mbetur në Francë – dhe së dyti, sepse ndodhej mes dy kampeve. Përsa kohë që ishte në SHBA ai refuzonte ta kritikonte publikisht Francën kolaboratore, gjë për të cilën e kritikonin francezët e tjerë në ekzil. Shkoi aq larg, saqë ata e akuzuan si simpatizant të regjimit Vishy. Por kjo nuk ishte e vërtetë. Ai ishte shumë i trishtuar. Dhe “Princi i Vogël” ishte për të një mënyrë për t’u arratisur në një botë fantastike. Ky është një refleks, të cilin ai e kishte vazhdimisht. Dhe unë do të thoja edhe se “Princi i vogël” ishte një përpjekje për të kapërcyer dimensionin banal të politikës që e mërziste atë gjithmonë dhe me të cilin asnjëherë nuk ndjehej mirë, dhe për të thënë, se ka gjëra shumë më të rëndësishme, si për shembull njerëzimi. Njerëzimi është një kategori jopolitike dhe këtë ai e ka idealizuar shumë në “Princin e vogël”.

DW: A është ende i rëndësishëm ky tregim në kohërat  e sotme?

Joseph Hanimann: Sot, ndoshta mund të nxirret prej librit kuptimi i gjithë qenies. I qenies, i Universit, i ekzistensës, pa qenë nevoja t’u referohemi besimeve ekzistuese, pra një transcendencë pa Zot. “Princi i vogël” gjithnjë ripërtërihet vetë dhe kësisoj tregon vazhdimisht horizonte të reja interepretimi.

Joseph Hanimann, i lindur më 1952 në Chur (Zvicër) jeton dhe punon si korrespondent kulturor, eseist dhe autor në Paris. Artikujt dhe kronikat e tij janë botuar në “Neue Zürcher Zeitung” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Sot ai shkruan për “Süddeutsche Zeitung”. Në vitin 2013 u botua biografia e tij për “Antoine de Saint-Exupéry – The globetrotter melankolik” nga Orel Füssli. / Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button