MARC SEMO
Kompromisi i arritur në Minsk hapi rrugën për paqe, por nuk i hoqi të gjitha pengesat.
Më e keqja u shmang, domethënë një dështim i mirëfilltë do të thoshte dhe një shkallëzim i menjëhershëm i luftës në Ukrainë. Por marrëveshja e arritur në Minsk pas shtatëmbëdhjetë orë negociatash midis presidentit francez, François Hollande, rusit Vladimir Putin, ukrainasit Petro Porochenko dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, duket mjaft e çalë.
Ajo hap ndofta rrugën e paqes, por pengesat ende mbesin të shumta. E kujdeshme kancelarja gjermane pohon se nuk duhet patur “asnjë iluzion” dhe thekson “rëndësinë e përpjekjeve ende për tu bërë”. Shumë optimiste në përfundim të negociatave, duke pohuar shpresën e saj “të një rregullimi politik global”, ajo ka edhe dyshime, duke pohuar se “marrëveshja është më tepër se një dritë shprese”, por që ajo nuk “garanton për një sukses të qëndrueshëm”.
Përkundrazi, udhëheqësit rebelë të Lindjes ishin të gëzuar si dhe presidenti rus. “U gjet një marrëveshje për thelbësoren”, deklaroi Vladimir Putini, duke shtuar: “Kjo nuk ishte nata ime më e mirë, por një mëngjes i mirë”.
Sigurisht, u përmend solemnisht integriteti territorial i Ukrainës. Por në fakt, një nga çështjet më thelbëssore, ajo e një kontrolli ndërkombëtar të 400 kilometrave të kufirit midis Rusisë dhe zonave separatiste do të konkretizohet vetëm në fund të gjithë procesit, në se ai shkon deri në fund. Gjatë bisedimeve sipas njoftimeve ukrainase 50 tanke ruse depërtuan nga Rusia në Ukrainë.
Bisedimet u zhvilluan në dy nivele. Nga njëra anë, këto katër drejtues duke parë dhe mbështetjen në nivelet më të lartë, kanë peshë të rëndë për të negociuar një kompromis, mbi bazën e marrëveshjeve tashmë të nënshkruara në Minsk në shtator. Nga ana tjetër, “grupi i kontaktit”, i OSBE-së, Organizata për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë (OSCE) me emisarë të Kievit, të Moskës dhe përfaqësues të rebelëve separatistë të cilët u angazhuan në një kalendar për ndalimin e një konflikti, i cili tashmë ka shkaktuar në dhjetë muaj më shumë se 5 300 të vdekur.
Kalendari për armëpushimin i cili hyn në fuqi të dielën me tërheqjen e palëve luftuese dhe armëve të tyre të rënda duke lejuar krijimin e një zone tampon të zgjeruar, dhe që kalon nga 30 kilometra në 50 deri 70 kilometra rreth vijës së frontit.
Luftimet do të mund pra të ndërpriten mjaft shpejt, por më e vështira fillon më pas. Kjo është dhe arsyeja e kujdesit të Barlinit dhe Kievit. Precedentët e mëparshëm nuk janë aspak optimiste. Marrëveshja e paqes të vitit 2008 në Gjeorgji, e arritur asokohe me një përpjekje të madhe nga Nicolas Sarkozy ndërkohë që Moska kërkonte të shtynte ofensivën e saj deri në Tbilisi, nuk u zbatua asnjëhere edhe pse lufta u ndërpre.
Kjo republikë e vogël e Kaukazit u copëtua në rreth një të katërtën e territorit të saj dhe Moska e njohu pas pavarësisë të republikave të vetëshpalluara të Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugut, ku është stacionuar ushtria ruse. Në rastin e Ukrainës, marrëveshjet e para të Minskut nuk janë respektuar asnjëherë dhe rebelët kanë pushtuar 500 km2 qysh me nënshkrimin e tyre. Ato parashikonin sidomos një armëpushim të menjëhershëm, krijimin e një zone të çmilitarizuar, tërheqjen e armëve të rënda, largimin e “forcave të huaja”, kontrollin e kufirit ruso-ukrainas, një status për zonat në duart e separatistëve duke ruajtur integritetin territorial të Ukrainës. Plani i ri kërkon sidomos të “angazhojë” Putinin në vënien e tij në zbatim. Por ai nuk ka nënshkruar formalisht dokumentin mbështetës të kalendarit të veprimeve.
Strategji vështirësisht të pajtueshme
KIevi dhe Moska dështuan përsëri të bien dakord për një nga pikat më thelbësore afatgjata, atë të statusit të zonave në duart e separatistëve. Gjithshka mbetet në mjegulli, megjithëse fjala “federalizim”, e refuzuar nga ukrainasit, nuk figuron në tekstin përfundimtar.
Marrëveshjet e Minskut parashikojnë një dialog kombëtar gjithëpërfshirës dhe një decentralizim real të pushtetit. Autoritetet reformiste të Kievit kanë bërë një ligj për një “status special” shumë bujar. Separatistët i kanë hedhur poshtë këto propozime, duke organizuar zgjedhjet e tyre legjislative dhe presidenciale më 2 nëntor, para se të kërkonin bashkimin e tyre me Rusinë.
Kremlini refuzoi atë çka kishte bërë në pranverë me Krimenë, e aneksuar de jure. Kremlini vazhdon megjithatë të kërkojë një autonomi shumë të gjërë për zonat nën kontrollin rebel dhe zgjedhjen e guvernatorëve rajonalë (aktualisht të emëruar nga Kievi) me qëllim që të legjitimojnë udhëheqësit e republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe të Louganskut.
Marrëveshja parashikon që milicët separatistë të mbesin në ngarkim të rendit publik në zonat nën kontrollin e tyre. Kjo është arsyeja e frikës së Kievit, i cili denoncon një vullnet të Moskës për vasalizimin e vendit të tyre duke ruajtur kontrollin e drejtëpërdrejtë apo të tërthortë të një pjese të territorit të tij.
Në thelb, zgjedhjet strategjike të autoriteteve pro-evropiane të Kievit dhe të njeriut të fortë të Kremlinit janë vështirësisht të pajtueshme. Udhëheqësit ukrainas duan një demokraci perëndimore dhe një Ukrainë të asociuar me Bashkimin Evropian, megjithëse 28 vendet anëtare hedhin poshtë çdo ide të një anëtarësimi.
Vladimir Putini, përkundrazi, dëshiron të vendosë influencën e tij në ish hapësirën sovjetike dhe të ruajë mjetet për të kontrolluar të ardhmen e kësaj republike, e cila me referendum votoi më tepër se 80% për pavarësinë gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Këtu qëndron frika se mos marrëveshja eventuale të mbesë në një copë letër. /Liberation/
s.m./www.bota.al