Histori

Një Skënderbe romantik

Andi Qinami
SkenderbeuNë rrethana krejt të zakonshme, i shtyrë nga kurioziteti për të njohur me shumë veprën e shkruar të burrit të shtetit, Benjamin Disraeli, më ra në dorë“Ngritja e Skënderbeut” – “The rise of Iskander’’, një “novellette”.
Mjaftoi më pas leximi i faqeve të para të veprës për të më konfirmuar se bëhej fjalë pikërisht për “Princin e Epirit”, udhëheqësin ushtarak të gjysëmhënës, Iskanderin, zotërinë e luftës Aleksandër, heroin kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeun. Romani 113-faqësh, i ndërtuar  në 22 kapituj është pjesë e krijimtarisë jo fort pjellore të Kontit të parë të Beaconsfield-it. Disraeli u bë i njohur fillimisht për romanet e tij, mes të cilëve vlen të përmenden “Sybil” dhe “Vivian Grey”, megjithëse shumëkush u njeh një rëndësi të veçantë e kuptime të fshehura disa veprave të tjera të tij.
Benjamin Disraeli (Londër 21 dhjetor 1804 – 19 prill 1881) qe një politikan e një shkrimtar britanik, si dhe njëri nga njerëzit më influentë të kohës së tij, ndoshta më influenti. Dy herë kryeminister dhe përfaqësues reformator i Partisë Konservatore, Disraeli u bë një aktor vendimtar i politikës së brendshme si dhe i ekspansionizmit imperialist britanik. Gjatë mandatit të dytë të qeverisë së tij, në fakt, Mbretëresha Victoria mori edhe titullin e Perandoreshës së Indisë. Për tilla merita Disraeli, i lindur hebre dhe i konvertuar në besimin e krishterë anglikan në moshën trembëdhjetë vjeçare, u lartësua nga mbretëresha Viktoria, në rangun e Lordit (First Earl of Beaconsfield). Ishte po ky, që si protagonist në Kongresin e Berlinit 1878, përkrah Kancelarit Bismarck, bëri vesh të shurdhër ndaj pretendimeve të shqiptarëve.
Po ku duhet kërkuar atëherë interesi i hershëm i Disraelit për heroin e shqiptarëve?
Patjetër që vepra e Bajron-it “Child Harolds pilgrimage”, lexim i konsideruar shumë në modë në atë kohë, por edhe shkrimet e historianit anglez të shekullit të tetëmbëdhjetë Eduard Gibbons, duhet t’i kenë prezantuar djaloshit Disraeli, Shqipërinë dhe heroin.
Ashtu si shumë të rinj të pasur kohës së tij, në kërkim të njohjes së botës, në vitin 1830 Disraeli bashkë me kunatin ndërmori një udhëtim njohës, që e çoi djaloshin premtues, në Spanjë, Maltë, Shqipëri, Greqi e më tej në Lindjen e Mesme. Me shumë gjasa ka qënë ky udhëtim i mrekullueshëm (i quajtur i tillë nga vetë autori në korrespondencën e tij me familjarët) që e shtyu autorin të niste narrativën ekzotike me prijësin epirot në qendër, teksa ishte i vendosur në qytetin e Bath-it gjatë dimrit të viteve 1832-1833.
Në romanin e shkurtër, shkruar në një stil tipik të kohës, personazhi kryesor Iskander, përveç se shpëtimtar e çlirues i njerëzve të tij, banorë të Krujës, është një hero romantik i njerëzimit  që shpalos virtute kalorësiake dhe është i aftë të fitojë dashuri/zemra princeshash. Vepra është një ndërthurje e elementëve historikë me ato të trillimit letrar. Padyshim heroi është Skenderbeu (Iskander), Princi i Epirit. Vepra do që Skënderbeu të takohet personalisht me prijësin Huniad në çadrën e luftës së këtij të fundit, dhe me vajzën e ij Iduna, të cilën më pas i duhet ta rrëmbejë dhe ta çlirojë nga Haremi në Edrene. Për sa i përket takimit të tyre të mundshëm, ndodhur ndonjëherë apo jo, ku si dhe pse, e si i qëndroi ky raport kohës, kjo është çështje tejet interesante, për t’u studiuar si objekt në vetvete. Ndoshta një ditë do të mund ti rikthehemi. Vijon më tej trillimi letrar i cili puqet herë herë me atë që kemi lexuar më parë mbi bëmat e “kampionit” të dinastisë së Kastriotëve.
Megjithëse nuk ndezi ndonjë interes të denjë për shënim në opinionin anglez, romani “The rise of Iskander” u botua rreth 13 herë, e u përkthye gjithashtu në gjermanisht e në sllovenisht.
Habit jo pak fakti, se ky roman që vlerësohet të jetë e para vepër e prozës letrare angleze me një temë shqiptare, lajmëruar edhe përmes  shkrimeve të Robert Elsie-t, dalë në vitin 1993 në revistën “Südost-Forschungen”, Münich, dhe “Hylli i Dritës”, Tiranë, e që përbën pra një kontribut në prezantimin e Shqipërisë ndaj lexuesit britanik, deri atëherë nuk u vu re nga askush – apo pse mos ta mendosh – me dashje u injorua.
Është për t’u çuditur edhe më, se si edhe pas shkrimit te Robert Elsie, shkrimtarit, përkthyesit dhe studiuesit gjerman të “gjërave shqiptare”, po prapë askush nuk mori iniziativën të publikojë në shqip këtë vepër. Në epokën e internetit bëhet e vështirë për t’u besuar se askush nuk eshtë “penguar” mbi romanin e vogël të Benjamin Disraelit mbi princin Skënderbe. Kjo është tjetër arsye që nuk lë vend për të justifikuar injorimin e gjatë ndaj kësaj vepre, nga ana e studiuesve apo edhe e botuesve.
Një mik gazetar, që më ndihmoi në një kërkim më të kujdesshëm lidhur me gjurmë të këtij shkrimi në media, informoi se një tjetër gazetare e kishte ripërmendur, ca vite më parë,  romanin e vogël të Disraeli-t.
“S’do jemi duke thënë ndonjë gjë të re”, ishte mendimi i tij, që bëri që këto rreshta të prisnin edhe më.
Por nuk mjafton. Habia këmbëngul.  Akoma më e çuditshme…më kujtohet të më kenë zënë sytë një kopje të romanit – në gjuhë të huaj – ekspozuar një stendë të shtrirë në një nga ambjentet dedikuar heroit në Muzeun e Krujës, aty ku ishin mbledhur objekte dhuruar këtij Muzeu.
Nëse cilido tjetër albanolog apo studiues eshtë stepur të hedhë hapa përpara në bërjen publike të ekzistencës së kësaj vepre vetëm ngaqë autori i saj, në mënyre konfuze përmend aty, herë Epirin me kryeqytet Krujën, herë Greqinë, herë princ epirot e herë princ grek, kur botërisht dihet që dhe nëse në atë kohë ekzistonin vështirësi objektive mbi emërtimin e krahinave, Kruja, banorët dhe i zoti i saj ishin përtej çdo dyshimi shqiptarë, që flisnin gjuhën e tyre shqipe, visheshin me kostume pamohueshmërisht shqiptare.
Disraeli “i ri”, po ashtu, në korrespondencën e tij, përmend Janinën si kryeqyteti i Shqipërisë së atëhershme. E si mund të pritej nga ky djalosh, i cili e nisi udhëtimin e tij shtatëmbëdhjetë-muajsh në gadishullin Iberik për ta përfunduar atë në Lindjen e Mesme i prirë nga dëshira për të njohur botën, një qartësi gjeopolitike me kriteret e sotme, për krahinat që ai vizitoi. Nuk duhet parë me bezdi, pra, që autori përmend Iskanderin prijësin e Epirit midis prijësave të tjerë “grekë”.
A mos ndoshta stepja vjen dhe si pasojë e heshtjes së Disraelit ndaj çështjes shqiptare, kur ky mbulonte pozicionin e kryeministrit? Është i njohur qëndrimi i tij mosveprues ndaj Memorandum degli Albanesi – letra që shqiptarët i drejtuan me shpresë se ky do të mbështeste çështjen e tyre. Dikush thotë se ka qenë hershëm prirje e botës politike britanike ndaj Shqipërisë të tregonte indiferencë. Sido që të jetë, janë reflektime që nuk kanë pse të ndikojnë aspak në perceptimin e shkrimin e Disraelit dhe heroit të tij kalorësiak.
Sado relativ që mund ishte në epokën viktoriane koncepti i promovimit të një vendi dhe heroit më të famshëm të tij përmes “letrave”, kjo vepër e Disraelit mbetet një shërbim i vyer që një mik spontan i bën popullit me shije të zhvilluar estetike – “popull që dashuron kostumet – për ta thënë sipas vetë Disraelit – e nuk duhet të vazhdojë të ngelet me gjatë në harresë”.
Meriton pra të shohë sa më shpejt, dritën e botimit në gjuhën shqipe. Ndonëse nën gjykimin e me shume se ndonjë botuesi, sipërmarrja në pamje të parë, mund te mos duket fitimprurese.

Leave a Reply

Back to top button