“Njeriu më i pushtetshëm në botë është gjithmonë RRËFIMTARI”, thoshte Steve Jobs. Por për fat të keq, shumica e njerëzve nuk dijnë se si të rrëfejnë një histori. Ja 13 teknika të rrëfimit, që do t’ju bëjnë të pandalshëm në jetë dhe në biznes.
Fillo me një “grep” të fortë
Jobs tërhoqi menjëherë vëmendjen, kur bëri prezantimin e të parit iPhone në vitin 2007:
“Kjo është një ditë, të cilën e kam pritur me padurim prej dy vitesh e gjysmë”.
Koha e audiencës tuaj është e vlefshme. Mos e humbisni me formalitete.
“Goditi” menjëherë me diçka që nuk mund ta injorojnë.
Krijo personazhin “e keq” (zuzarin)
Për prezantimin e iPhone, Jobs foli pak edhe për telefonat inteligjentë të deriatëhershëm. I quajti të ngathët dhe ua paraqiti si antagonistë:
“Problemi është se ata nuk janë aq inteligjentë dhe nuk janë aq të kollajtë në përdorim”.
Çdo histori e rrëfyer ka nevojë për konflikt. Prandaj, vizatoji audiencës diçka që nuk shkon me mënyrën se si janë gjërat për momentin.
Jepi audiencës diçka, kundër të cilës të bëjë “tifozllëk”.
Thekso problemin
Jobs e vinte theksin tek zhgënjimet e përdoruesve të telefonave inteligjentë, me teknologjinë që ekzistonte deri në ato momente.
Prandaj, identifiko pikat ku audiencës tënde “u dhemb” diçka. Dhe drejtojuni në mënyrë të direkte, me qëllim që të krijosh emocione për zgjidhjen që je duke u ofruar.
Bëje audiencën të tundë kokën dhe të mendojë: “Ekzakt, ja pikërisht ky është problemi im”.
Krijo pritshmëri
Steve Jobs i ngacmoi duke u folur në fillim për “3 produkte revolucionare”, përpara se të zbulonte se këto “tre produkte” ishin të gjitha e njëjta pajisje: iPhone.
Krijo suspansë. Bëje audiencën ta dëshirojë atë që vjen më pas.
Mos u jep gjithçka dhe menjëherë. Lëri që të dëshirojnë pak më shumë.
Shfaqe atë që do u tregosh, mos ua thuaj me llafe
Steve Jobs nuk u mjaftua duke përshkruar me fjalë veçoritë e iPhone. Ai i demonstroi ato drejtpërdrejt, në kohë reale.
Përdor ndihmësat vizuale, demonstro dhe shoqëro me to rrëfimin, për t’i bërë sa më të prekshme konceptet.
Lëre audiencën ta përjetojë vetë atë që ti ke zgjedhur për ta. Me një fjalë, jepu jetë ideve të tua.
Përdor përsëritjen strategjike
“Eshtë iPod, është telefon dhe është komunikues në internet”. Jobs e përsëriti këtë për të përshkruar sa më mirë dhe fort vlerën e iPhone, si 3 pajisje në 1.
Përsërite mesazhin kyç në mënyrë sa më krijuese, jo në mënyrë robotike.
Bëje ngjisë. Bëje të paharrueshëm.
Lidhe me një vizion më të gjerë
Steve Jobs e lidhi iPhone-in me historinë e produkteve revolucionare të Apple, duke e ndryshuar emrin e kompanisë nga “Apple Computers” në “Apple”.
Oferta jote duhet të shërbejë për një vizion dhe mision më të gjerë, që po e ndani me audiencën.
Tregoju pyllin, jo vetëm pemët.
Bëje sa më personal
“Nuk kam vënë gjum në sy mbrëmë, kisha shumë emocione”, tha Jobs që në krye të herës.
Dobësia krijon lidhje me audiencën. Lëre audiencën të shohë se ka një njeri prapa prezantimit.
Origjinaliteti është arma jote sekrete.
Mbylle me frymëzim
Steve Jobs e përfundon duke cituar Ëayne Gretzky:
“Unë rrëshkas në akull në drejtimin ku po shkon topi, jo atje ku ai ka qenë më herët”.
Lëre audiencën të frymëzuar dhe të motivuar për të vepruar.
Jepu një vizion të së ardhmes, ku nuk mund të mos jenë pjesë.
Praktiko pa pushim
Steve Jobs bënte prova për orë e orë të tëra para prezantimeve. Donte që çdo detaj të ishte i përsosur.
Rrëfimi i mirë duket diçka e kollajtë, por është VETËM rezultat i praktikimit.
Trajtoji prezantimet njësoj si trajton atleti stërvitjen.
Përsosmërinë e sjell vetëm përsëritja.
Thjeshtoji idetë komplekse
Steve Jobs e bëri teknologjinë revolucionare të prekshme nga të gjithë.
Audienca nuk duhet të ketë nevojë për doktoraturë, që të kuptojë atë çfarë je duke i propozuar.
Nëse nuk mund t’ia shpjegosh idenë një 5-vjeçari, thjeshtoje derisa të mundesh.
Krijo një eksperiencë
Jobs nuk bëri thjesht nxjerrjen në treg të një produkti. Ai krijoi një moment të paharrueshëm.
Bëje prezantimin një përvojë gjithëpërfshirëse. Përpiqu që të angazhosh të gjitha shqisat.
Bëje audiencën të ndihet sikur është pjesë e diçkaje të veçantë.
Zotëroje sa më mirë PAUZËN
Steve Jobs bënte pauza strategjike për të krijuar tension dhe për të theksuar pikat kryesore të asaj që ishte duke thënë.
Mos nxito! Jepi audiencës kohë për të përvetësuar mesazhin.
Një pauzë herë pas here, mund të jetë më e fuqishme se fjalët.
Heshtja është një mjet në arsenalin tënd si rrëfimtar. / bota.al