Magazine

“Nuk dua ta di”. Pse shpesh herë ne zgjedhim injorancën?

Kujt nuk i ka ndodhur, herë pas here, të shqiptojë fraza “Preferoj të mos di” ose “Mos më thuaj asgjë”, sepse nuk do që të ndërrojë mendje për një vendim që ka marrë? 

Ky mekanizëm psikologjik përkufizohet si “injorancë e vullnetshme” dhe përdoret shpesh si pretekst për të kryer veprime egoiste ose për të shfajësuar veten përballë zgjedhjeve që përndryshe do të nxisnin skrupuj, si për shembull kur nuk duam të dimë se si prodhohen mallrat që synojmë të blejmë, apo origjinën problematike të modës së shpejtë ose ushqimit të padëshiruar. Por pse zgjedhim të bëjmë të ashtuquajturën “lëvizje të strucit”?

QËLLIMISHT INJORANTË

Kësaj pyetjeje iu përgjigj një artikull i botuar në revistën Psychological Bulletin, që këqyrte në detaje pasojat e injorancës së qëllimshme dhe arsyet e përhapjes së saj. Një ekip studiuesish nga universitete të ndryshme, duke përfshirë Universitetin e Amsterdamit dhe Institutin Max Planck në Berlin, kreu një meta-analizë mbi 22 kërkime shkencore në lidhje me këtë temë. Studimet e ekzaminuara përfshinin mbi 6,500 njerëz dhe përdorën, ndër të tjera, teste dhe sondazhe të kryera gjithashtu përmes platformave virtuale. Analiza e rezultateve zbuloi se, në situata të caktuara, shumë njerëz preferojnë të mbeten injorantë për të mos ditur pasojat e pakëndshme të veprimeve të tyre të përditshme.

Në një nga rastet e cituara në studim, pjesëmarrësve iu kërkua të zgjidhnin midis një shpërblimi prej 5 dollarësh dhe 6 dollarësh. Ata u ndanë gjithashtu në dy grupe: i pari mund të dinte ose jo pasojat e zgjedhjes së tyre, ndërsa i dyti informohej menjëherë, përpara se të zgjidhnin: kushdo që zgjidhte shpërblimin më të ulët prej 5 dollarësh, do t’i jepte mundësinë një personi tjetër të panjohur (ose një bamirësi) për të marrë një shumë të barabartë parash. Ata që zgjodhën të merrnin 6 dollarë, do të dhuronin vetëm 1 dollar. Studiuesit zbuluan se deri në 40% e njerëzve preferuan të mos e dinin se cili do të ishte rezultati i zgjedhjes së tyre në mënyrë që të mund të fitonin shumën më të madhe.

ALTRUISTË APO VANITOZË?

Fakti që përqindja e “injorantëve me dashje” ishte kaq e madhe, lidhej pra me altruizmin e tyre më të ulët. Në fakt, kur pjesëmarrësit zgjidhnin të mos mbeteshin “injorantë” dhe për këtë arsye e dinin menjëherë pasojën e vendimit të tyre, ata kishin 15.6% më shumë gjasa të ishin më bujarë.

Sipas shkencëtarëve, kjo rrethanë diktohet nga dëshira për të ruajtur një imazh të mirë në sytë e të tjerëve.

Me fjalë të tjera, injoranca e qëllimshme ishte një shkurtesë e volitshme për t’u dukur “të mirë” pa pasur nevojë të bënin veprime që kërkojnë një sakrificë të vogël. 

Përkundrazi, pjesëmarrësit që donin të kishin informacion të plotë në lidhje me zgjedhjen midis 5 dhe 6 dollarëve kishin 7% më shumë gjasa të ishin bujarë, duke demonstruar se sa individë me të vërtetë altruistë preferojnë të mësojnë pasojat e veprimeve të tyre. / bota.al

Back to top button