“Sonte do të takoj miqtë e mi. Mendoja të vishesha kështu, me një fustan mjaftueshëm të shkurtër, me çantë dhe taka. Më pas u kujtova se kur të kthehesha, duhet të merrja trenin e fundit, të ecja një pjesë në këmbë në një rrugë të errët dhe paksa të izoluar. Kështu që vendosa të vishja më mirë xhinse, bluzë dhe atleta.
Jam një vajzë tepër e pavarur. Eci e vetme ditën dhe natën, në vendin tim dhe jashtë vendit tim. E di shumë mirë se ajo çfarë vesh, nuk ka asnjë lidhje me atë që të ndodh. E di se nëse një mashkull do të të bëjë keq, do ta bëjë me çdo kusht, pavarësisht çfarë ke veshur (apo nuk ke veshur). Dhe problemi nuk është i yni, por i tyre. Por pavarësisht kësaj, mendova “pse duhet të jem unë shkak për diçka të keqe”? Jam feministe, informohem, debatoj, lexoj. Takat shkonin shumë me xhinset që kisha veshur, por me taka nuk mund të vrapoj njësoj si me këpucë ose atleta të sheshta. Juve mund t’ju duket një arsyetim i ekzagjeruar, por në botë, dhe sidomos në botën e shumë vajzave që lexojnë, nuk është një arsyetim i tillë”. – M. B. Pagani
Ky është ndoshta arsyetimi që çdo femër duhet të ketë. Ndonjëherë teprohet me veshjen, sidomos gjatë natës. Bie dhe shumë në sy, sidomos në kohët e tanishme, kur edhe bën ftohtë. Më ka rastisur të isha për kafe në një lokal pranë një rruge tepër të frekuentuar dhe u habita nga disa femra që po kalonin. Të veshura me fustane, me taka, ndërkohë që bënte tepër ftohtë (temperaturat me minus). Nuk dua të paragjykoj asnjë person për veshjen, është zgjedhja e tyre. Por ndonjëherë teprohet dhe për këtë askush nuk ka dyshim. Teprohet duke mos u përshtatur me motin, me lagjen ku jeton, apo me ambientin ku do të shkosh. Mendoj se shumë ngjarje të pakëndshme, të cilat janë shtuar kohët e fundit, mund të shmangen përmes një veshjeje më të përshtatshme (dhe mbi të gjitha, më të rehatshme).