Bota

Nuk ka krizë të demokracisë, problemi i vërtetë janë udhëheqësit e korruptuar

Nga Paul Rosenberg

“Salon”

“Koncepti se demokracia është në krizë përbën një argument bindës për shumë shkrime politike të kohëve të fundit”- shkruan politologu amerikan Larry Bartels në faqen e parë të librit të tij të ri “Demokracia e gërryer nga lart: Udhëheqësit, qytetarët dhe sfida e populizmit në Evropë”.

Sigurisht, thekson Bartels, kjo nuk do të thotë se demokracia është në një gjendje optimale, dhe as se figura si Donald Trump apo homologët e tij evropianë si Victor Orbán në Hungari apo Giorgia Meloni në Itali nuk japin arsye për t’u shqetësuar. Dhe as që nuk ekzistojnë qëndrime populiste shqetësuese. Bartels mendon se ndryshimet dramatike në opinionin publik nuk janë forca lëvizëse që duhet të na shqetësojë. Ne duhet të fokusohemi tek elitat politike kaotike, të cilat janë shumë më përgjegjëse për situatën aktuale.

Ju e nisni librin tuaj duke thënë “Në demokracitë perëndimore, ka një ndjenjë të dukshme të krizës” dhe citoni disa libra mbi këtë temë. Por nga ana tjetër theksoni se ky perceptim bie ndesh me sondazhet e opinionit publik. Çfarë tregojnë këto të fundit?

Gjatë 2 dekadave të fundit ka pasur një ndryshim të madh në opinionin publik, sidomos pas krizës së euros. Votuesit janë distancuar gjithnjë e më shumë nga qeveritë aktuale si dhe nga Bashkimi Evropian, për të mbështetur sfidantët populistë të krahut të djathtë të një lloji apo tjetër.

Por nëse shohim vendet ku demokracia është gërryer seriozisht -për shembull në Hungari dhe Poloni – nuk ka pasur ndryshime të mëdha në opinionin publik që i kanë nxitur ato ndryshime. Ajo që ndodhi është se udhëheqës të veçantë vendosën të shfrytëzonin mundësitë që kishin për t’u ngjitur në pushtet.

Ju përmendni “rezervuarin” e opinionit populist të djathtë. Sa i madh është ai rezervuar dhe sa i rrezikshëm?

Ka një shpërndarje të madhe qëndrimesh, por grupi i njerëzve që votojnë për partitë populiste gjendet disproporcionalisht më shumë tek e djathta. Kjo nuk është për t’u habitur, por edhe njerëzit me qëndrime të forta populiste nuk janë të sigurt nëse do të votojnë për partitë populiste.

Aspekti më optimist këtu është se politikanët kryesorë kanë arritur të mbajnë rreth vetes shumicën e këtyre njerëzve. Ai pesimist është se ka shumë më tepër potencial nëse sipërmarrësit e suksesshëm populistë të krahut të djathtë mund të arrijnë ta mobilizojnë atë në mënyrë më efikase sesa deri tani.

Cilat forca demografike lidhen apo ndihmojnë në formësimin e kësaj lëvizje?

Disa nga këto pikëpamje populiste të krahut të djathtë – dhe ndoshta më e rëndësishmja, qëndrimet negative ndaj emigracionit – janë shumë të lidhura me moshën. Njerëzit që janë më kundër emigrantëve priren të jenë më të moshuar. Këta të fundit po zëvendësohen nga të rinj, që në përgjithësi kanë qëndrime më të favorshme ose më të buta ndaj emigrantëve.

Kriza globale financiare u prit me një përgjigje të shpejtë dhe të unifikuar në SHBA, por jo në Evropë. Politikat e ngurta dhe të debatueshme të BE-së, u panë gjerësisht si nxitëse e valës populiste të Evropës….

Në përgjithësi, përgjigja ndaj krizës ishte më pak e koordinuar në Evropë sesa në SHBA. Në atë rast pati mospërfillje, veçanërisht nga ana e Gjermanisë, e cila ishte lojtari më i fuqishëm ekonomik, në drejtim të shpëtimit të vendeve të dëshpëruara në periferi të Evropës.

Pati shumë komente rreth rolit të Bashkimit Evropian në koordinimin e një përgjigjeje. Edhe në momentet më të këqija njerëzit kishin më shumë besim tek BE sesa në qeveritë e tyre kombëtare. Me zbehjen e krizës, mbështetja për Bashkimin Evropian dhe për integrimin e mëtejshëm nisi të rritet sërish. Pra gjykoj se ideja se kriza ishte një goditje e madhe për legjitimitetin e projektit evropian apo mundësinë e integrimit të mëtejshëm evropian është e gabuar.

Në libër keni një kapitull mbi krizën e supozuar të legjitimitetin demokratik, nga BE-ja e deri tek partitë politike specifike. Çfarë na tregojnë të dhënat për këtë?

Në thelb nuk ka ndryshim gjatë gjithë kësaj periudhe. Nëse shihni besimin tek liderët politikë, do të vini re kënaqësinë me mënyrën se si funksionon demokracia. Me kalimin e kohës ka ulje-ngritje të vogla në vende të veçanta. Por në përgjithësi nuk ka ndryshim në qëndrime mbi asnjë nga këto dimensione. Për aq sa ka pasur ulje-ngritje, ato duken të lidhura kryesisht me ulje-ngritjet ekonomike.

Ju analizoni në veçanti rastin e Hungarisë dhe Polonisë, ku erozioni demokratik ka qenë më i theksuar. Si krahasohet ajo që ndodhi në ato vende me narrativën e “valës populiste”?

Në fakt nuk ka ndonjë lidhje shumë të fortë. Njerëzit shpesh flasin për rreziqet e populizmit të krahut të djathtë në Evropë, dhe tregojnë shumë raste në të cilat parti të veçanta populiste të krahut të djathtë kanë fituar mbështetje dhe më pas thonë: “Mendoni të gjitha gjërat e këqija që mund të ndodhin. Shihni Poloninë dhe Hungarinë!”.

Por ajo që ndodhi në Poloni dhe Hungari ka pak lidhje me llojin e ndjenjës populiste të krahut të djathtë që ka qenë një burim shqetësimi në pjesë të tjera të Evropës. Në Hungari, sondazhet përpara se Orbán dhe partia e tij Fidesz të vinin në pushtet në vitin 2010, tregonin se mbështetësit e tyre ishin konservatorë mjaft konvencionalë.

Sërish, historia kryesore ka të bëjë me korrupsionin dhe kolapsin e qeverisë së kohës, që i detyroi njerëzit të kërkonin një alternativë. Dhe Fidesz ishte alternativa më e dukshme, ndaj ajo parti mori 53 për qind të vota. Por duke pasur parasysh mënyrën se si funksionon sistemi zgjedhor hungarez, kjo përqindje u përkthye në një shumicë prej 2/3 të vendeve në parlament.

Dhe duke pasur parasysh mënyrën se si janë ngritur institucionet atje, ata miratuan të gjitha llojet e ndryshimeve në kushtetutë, rregullave zgjedhore, rolit të gjykatës, goditjen e medias së pavarur etj. Pra, pas zgjedhjeve, pati një erozion të konsiderueshëm të demokracisë, por nuk kishte asgjë në fushatë apo në qëndrimet e njerëzve që e mbështetën atë parti përpara se të zgjidheshin që sugjeronte se kishte të bënte me populizmin e krahut të djathtë, apo një etje për autoritarizëm.

Po Polonia?

Ngjashëm, përpara zgjedhjeve në të cilat partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) erdhi në pushtet, mbështetja e tyre nuk dukej të kishte të bënte me llojet e qëndrimeve që kanë nxitur mbështetjen për populistët e krahut të djathtë në pjesë të tjera të Evropës.

Pasi u zgjodhën, ata ndoqën shembullin e Orban dhe filluan të forcojnë pushtetin nëpërmjet mënyrave që ishin një problem më serioz nga pikëpamja e demokracisë, por jo diçka e shtyrë në ndonjë mënyrë të dukshme nga ndjenjat publike apo nga modeli në të cilin ata u zgjodhën.

Marrë me shkurtime

Back to top button