Kur u zgjodh president i SHBA-vë në 4 nëntor të vitit 2008 Barak Obama ishte një njeri energjik, me fytyrë të qeshur, flokët e zeza dhe mjaft i qartë në ato që kërkonte të bënte.
Por 7 vite presidencë duket se e kanë konsumuar së tepërmi Obamën.
Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë në emisionin e famshëm “60 minuta” në kanalin CBS Obama mund të shihej tashmë si një lider i perënduar, shumë larg Obamës që u zgjodh në vitin 2008, por edhe atij që u rizgjodh në 2012.
I burgosur i një ëndrre
Gjatë daljes së tij në emisionin e CBS nuk ishin vetëm flokët e tij ngjyrë gri, por gjithçka që bënte dhe reflektonte.
Ai u dik i lodhur, i trishtuar, ndonjëherë edhe i nxehur, dhe i burgosur brenda nje melankolie që ndoshta vjen edhe nga përfundimi i mandatit.
Burri i bindur dhe bindës që bëri gjithë Amerikën dhe botën të ëndërronte, që ndezi entuziazmin e masave dhe të intelektualëve në kërkim të ëndrrave të humbura, tashmë dukej i fikur.
Amerika është gati të ndërrojë faqe nga një lidership që dështoi jo vetëm në përgjegjësitë e tij, por edhe në ato që mbarë bota i ngarkoi: një shpresë e parealizueshme jashtë realizmit të nevojshëm që duhet të gjallërojë kreun e demokracisë më të madhe në botë.
Obama ngeli i burgosur i ëndrrës së tij por edhe të atyre që të tjerët i ngarkuan.
Sikleti i quajtur Siri
Steve Kroft, intervistuesi, një “dhelpër e vjetër” e gazetarisë në SHBA që në 2013 u akuzua se ishte tendencioz ndaj Obamës, u tregua i pamëshirshëm këtë radhë, sidomos për çështjen e Sirisë.
Kroft e thumboi Obamën sidomos për programin e stërvitjes së rebelëve anti-Assad që u kushtoi SHBA-ve më shumë se 500 milionë dollarë në vit dhe duhet të prodhonte 5 mijë luftëtarë të zotë dhe të armatosur dhe në fakt prodhoi vetëm 40 nga të cilët 35 janë jashtë luftimit. Ky është një ndër dështimet më të mëdha në historinë ushtarake amerikane.
Obama deklaroi se ai kishte qenë kundër kësaj lloj ushtrie të krijuar në Siri.
Gazetari Kroft e ngacmoi duke i thënë “Përse e aprovuat diçka ku ju vetë nuk besonit?!”.
Përgjigja e Obamës ishte befasuese.
“Pjesë e atyre që duhet të bëjmë në Siri është të provojmë gjëra të ndryshme. Në një situatë kaotike si ajo e Sirisë nuk ka zgjidhje unike dhe përfundimtare”, tha Obama.
Duket shumë e largët koha kur Obama cilësonte “Dumb Wars”, luftëra idiote, ato që zhvillonte Bush në Irak dhe Afganistan, por vetë Obama u hodh në një luftë edhe më idiote, ajo kundër Libisë së Geddafit.
Obama gjithashtu harron që në 2013 nëse nuk do të ishte për kundërshtimin e Rusisë në OKB dhe kundërshtimin e parlamentit britanik ndaj kërkesës së Kameron për të mbështetur SHBA-në në Siri, sot Siria do të ishte Libia e dytë, por në duart e ISIS.
Obama ka pranuar gjithashtu se SHBA-të ishin të ndërgjegjshëm për ndërhyrjen e Rusisë në Siri, por nuk është e vërtetë: Amerika ngeli e habitur nga shpejtësia dhe eficenca ruse në zbritjen në Siri, e deklaroi admirali Brett Heimbigner, shef i shërbimit të spiunazhit të NORAD, agjencia kombëtare e sigurisë dhe inteligjencës.
SHBA-Rusi, një garë lidershipi
Ajo që ka irrituar më shumë Obamën në emisionin “60 minuta” ka qenë pyetja mbi garën e lidershipit me Putin.
Amerika është në siklet nga arritjet e Putin në Siri.
Rusia bëri në pak javë atë që Amerika nuk e bëri dot në disa vjet.
Putin doli në sytë e botës si i vetmi lider i vendosur për të luftuar ekstremistët islamikë dhe aleatët e tyre arabë.
Ndërsa Obama dhe Amerika braktisën aleatët e tyre historikë si Mubarak apo sakrifikuan sigurinë e aleatëve historikë të Izraelit pas marrëveshjes me Iranin.
Rusia e Putin ndërkohë u shfaq si një aleat i ndërshëm dhe besnik që zbriti në fushë-betejë për të luftuar armiqtë e aleatëve të saj.
Amerika duhet të pyesë veten përse ra kaq shumë në arenën ndërkombëtare.
Ajo po i largohet gjithmonë e më shumë madhësisë së emrit që mban.
Amerika po tregohet e pafuqishme të mësojë nga gabimet dhe të lexojë si duhet kompleksitetin e historisë dhe të vendosë si duhet forcat në fushën e luftimit.
Dhe Obama është përgjegjësi!/ Përshtati në shqip Amarildo Lumani.
CBS, “60 minutes” / gazetatema.net