Nga Emily Tamkin
“Bota jonë është në rrezik, dhe e paralizuar!”- shkroi në Twitter më 20 shtator, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. “Bashkëpunimi dhe dialogu janë e vetmja rrugë që duhet ndjekur. Asnjë sfidë e madhe globale nuk mund të zgjidhet nga një koalicion i vullnetarëve. Ne kemi nevojë për një koalicion të botës!”- shtoi.
Një ide e shkëlqyer, zoti Sekretar i Përgjithshëm! E si duhet ta quajmë? Shtetet e Bashkuara?Njerëzit e mbledhur bashkë? Apo ndoshta diçka të ngjashme me termin “Kombet e Bashkuara”? OKB-ja mbylli javën e kaluar sesionin vjetor të Asamblesë së saj të Përgjithshme.
Por ideja se Kombet e Bashkuara mbeten ende një organizatë deri diku e aftë për të garantuar paqen dhe sigurinë, është kompromentuar rëndë. Ndërsa liderët botërorë u mblodhën për të mbajtur fjalimet përkatëse në lidhje me rolin e vendeve të tyre në botë dhe vizionet se si duhet të jetë i organizuar komuniteti ndërkombëtar, Vladimir Putin njoftoi mbajtjen e 4 referendumeve, që do ta “lejojnë” Rusinë të pretendojë si të vetin një pjesë të territorit të Ukrainës.
Votimet farsë nisën gjatë fundjavës, dhe do të vazhdojnë deri në fillim të kësaj jave. Po ashtu, ai la të kuptohet se në një moment, mund të mendojë edhe për përdorimin e armëve bërthamore. Ndërkohë, statusi i Rusisë si një nga 5 anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nënkupton se ajo ka të drejtën e vetos edhe ndaj kritikave më të ashpra të veprimeve të saj.
Për më tepër, Rusia ka të garantuar një hapësirë në OKB, nga e cila mund të legjitimojë gënjeshtrat e saj. Për shembull, ndërsa Putin Vladimir po fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës në fundin e muajit shkurt, Rusia ishte ironikisht pjesë e një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ishte mbledhur pikërisht mbi atë çështje.
Disa mund të thonë se edhe SHBA-ja është sjellë në mënyrë të ngjashme. Për shembull në vitin 2003 kur dërgoi në OKB Sekretarin e Mbrojtjes, Kolin Pauell, për të këmbëngulur se Iraku zotëronte armë kimike, dhe se ky ishte një justifikim i mjaftueshëm për pushtimin e tij.
Por edhe ky fakt vetëm sa nxjerr më tej në pah të metat e këtij institucioni ndërkombëtar.
Le të jemi të qartë mbi një gjë:Kombet e Bashkuara nuk janë tërësisht të padobishme. Fakti që ekziston një forum ndërkombëtar, ku vendet dhe diplomatët mund të bisedojnë me njëri-tjetrin është diçka e mirë, duke pasur parasysh edhe rrugët e pakësuara për ta bërë diçka të tillë.
Po ashtu, ka disa fusha – ndryshimi i klimës, zhvillimi i qëndrueshëm, uji, ndihma për refugjatët, arsimimi i vajzave – në të cilat OKB-ja ka ende një rol të qartë. Por kur bëhet fjalë për sigurinë, OKB-ja po dështon që të parandalojë mizoritë. E megjithatë, ajo vazhdon të pretendojë se ka një lloj roli në ndalimin e tyre.
Më pas kur del se është e paaftë për ta bërë këtë, ngre supet dhe ç’është më e keqja vazhdon që të sigurojë hapësirë për ata që i kryejnë ato. (Nuk është vetëm Rusia. Raporti i OKB-së për abuzimet e Kinës kundër ujgurëve myslimanë, të cilat vazhdojnë prej vitesh, u publikua vetëm në gusht të këtij viti).
Është thënë shpeshherë se OKB-ja nuk ekziston për ta sjellë bërë botën një Parajsë, por për ta shpëtuar atë nga Ferri. Por ndoshta gjëja më e dobishme që mund të bëjë tani, është të pranojë se as nuk mund ta bëjë as këtë të fundit. / “New Statesman” – Bota.al