Sipërmarrësit miliarderë kanë aq shumë ndikim, saqë janë sundimtarë de facto që askush nuk i ka zgjedhur. Dhe janë një rrezik për demokracinë
Shumë njerëz e urrejnë Elon Musk. Nuk është e vështirë të kuptosh pse. Ai është fodull, i bezdisshëm, provokues dhe i pasur në mënyrë të ekzagjeruar. Përhap teori të çuditshme konspirative. Eshtë po aq kokorroç sa një shtatëvjeçar që dëshiron të jetë gjithmonë cool, dhe askush nuk mund t’i thotë se nuk është. Gjithashtu, Musk ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqëri. Ai bleu një rrjet të tërë social, ndryshoi opinionin e amerikanëve për makinat elektrike
dhe krijoi një kompani përgjegjëse për tre të katërtat e objekteve të lëshuara në hapësirë vitin e fundit. Dhe ai bëri gjithçka me vëmendjen dhe ndjenjën e përgjegjësisë së po atij shtatëvjeçari duke luajtur me një tren lodre, që e mori si dhuratë për ditëlindje.
Mund të mendojmë se antipatia ndaj Musk është meskinitet. Ndoshta është thjesht mungesa e vetëvlerësimit që kthehet në përbuzje për një person të suksesshëm. Vdekatarët e zakonshëm gjithmonë përpiqen t’i tërheqin perënditë në tokë.
Por qëndrimi mosbesues i opinionit publik nuk është thjesht pakënaqësi. Musk është mishërimi më i dukshëm i një problemi të veçantë të pushtetit dhe dominimit të shoqërive tona kapitaliste jashtëzakonisht të pasura: problemi i sipërmarrësit.
Sipërmarrësit janë një lloj i veçantë elite. Ata nuk përcaktohen nga një klasë shoqërore dhe as nga një ndikim i veçantë në jetën politike, por nga disa cilësi dhe një mënyrë e caktuar e ushtrimit të pushtetit, tipike për botën e biznesit. Virtytet e tyre sipërmarrëse thuhet se janë të rralla. Disa nga talentet e tyre ngjajnë me cilësitë heroike të elitave të tjera në histori: kalorës, themelues, eksplorues. Përpara se termi francez entrepreneur të adoptohej gjerësisht në anglisht, ata quheshin zakonisht “aventurierë” ose “impresarios”.
Por sipërmarrësit i përziejnë këto cilësi me qëndrimet dhe zakonet e botës së biznesit, derisa të mishërojnë në mënyrë unike parimet dhe karakteristikat e një shoqërie tregu. Kështu bëhen novatorë. Ata jo thjesht shpikin diçka, por dinë të shohin dëshirat e masave, më mirë dhe më thellë se sa dinë të shohin brenda vetes konsumatorët e ardhshëm. Ata jo vetëm që i përgjigjen një nevoje, ata e krijojnë atë dhe më pas shpikin produktin për ta kënaqur. Ato veprojnë sipas ofertës dhe kërkesës. Janë personifikimi i kapitalit.
Për këtë arsye, thonë disa, sipërmarrësit vlerësohen pak nga ata që në përgjithësi nuk e vlerësojnë ose nuk e duan botën e biznesit. Dhe kjo shpjegon pse ata duhet të kenë fuqitë dhe prerogativat e veçanta të sipërmarrjes: fitime të mëdha, kontroll despotik mbi punëtorët dhe vendet e punës, prestigj dhe, mbi të gjitha, kontroll mbi investimet e ardhshme. Edhe kur përçmojmë disa raste të veçanta, shoqëria jonë i lavdëron këta lloj njerëzish.
Çdo kolegj dhe universitet ka një qendër për studimet e sipërmarrjes. Udhëzuesit për edukimin e fëmijëve u mësojnë prindërve metoda të përshtatshme për moshën, për trajnimin e sipërmarrësve të rinj. Vdekja më e vajtuar e dekadave të fundit ishte ajo e Steve Jobs, engjëlli i mirë i sipërmarrjes që do i kundërvihej princit të errësirës, Musk. Sipërmarrja është bërë praktikisht sinonim i vetë krijimtarisë njerëzore.
Një pjesë e këtij admirimi është për faktin se sipërmarrësit fitojnë një liri në dukje të paarritshme. Shumica e njerëzve duhet të luajnë sipas rregullave, të veprojnë brenda kufizimeve normale të ekonomisë: t’i binden një lideri ose të ndjekin me zell një nga shtigjet e ngushta të përcaktuara për t’u bërë i tillë; respekto udhëzimet, përmbush pritshmëritë dhe, me pak më shumë fat, ngjit ngadalë shkallët shoqërore; rolet janë të përcaktuara, aktivitetet e mundshme janë të kufizuara.
Sipërmarrësit nuk kanë ose, të paktën, nuk duket se kanë të njëjtat kufizime: ata investojnë para që nuk i kanë fituar ende dhe marrin kredi për të bërë gjëra që askush nuk i ka bërë ende; projektet e tyre shpesh nuk dallojnë shumë nga fantashkenca, kompanitë e tyre janë një zgjatim i personalitetit të tyre; ata jo thjesht menaxhojnë punët e tyre, ata duket se shpikin rregullat; ato projektojnë një imazh të lirisë së pastër, të mungesës pothuajse totale të kufizimeve. Kush nuk do të donte të ishte i tillë? Platformat online, ndërkohë që ofrojnë një imitim të zbehtë të realitetit, kanë qenë të suksesshme pjesërisht sepse e kanë kuptuar dhe shitur këtë: ata që punojnë aty duan pavarësinë që shoqëria jonë e ofron për pak njerëz.
Të bësh histori
Çfarë nuk shkon këtu? Problemi është ndryshe nga ai tashmë i njohur i të pasurve të politikës. Ndërsa është e vërtetë që politika amerikane është një oligarki në çdo drejtim, pushteti që u jepet sipërmarrësve është problematik për arsye të ndryshme. Ata na qeverisin pa kaluar nga politika, drejtpërdrejt përmes fuqisë së tyre ekonomike. Huat që marrin, fondet që mbledhin dhe kapitali që ata menaxhojnë ushtrojnë pushtet mbi drejtimin që do të marrë jeta e komunitetit në të ardhmen.
Pavarësisht nëse vendosin të investojnë miliarda dollarë në inteligjencën artificiale ose kriptomonedha, në kafe me kërpudha ose udhëtime në hapësirë, në gota të realitetit virtual ose në makina me vetëngarje, ata përcaktojnë të ardhmen e zhvillimit kolektiv kulturor dhe social. Në fund ata vendosin se çfarë do të jemi në gjendje të konsumojmë dhe prodhojmë, cilat do të jenë format tona të argëtimit dhe si do të jenë ndërveprimet tona sociale.
Dhe këto vendime i marrin pa i dhënë llogari askujt. Pikërisht për shkak se fuqia e tyre është ekonomike dhe varet nga mënyra se si shpenzojnë kapitalin e tyre të pamasë, ata vendosin për të gjithë, pa na lënë të kuptojmë qartë se çfarë po bëjnë. Ata janë, më së shumti, përgjegjës ndaj kreditorëve të tyre, të cilët duhet t’i shlyejnë ose t’u tregojnë pse kanë nevojë për një kredi tjetër.
Por në sajë të kësaj varësie ekskluzive nga kreditorët, ata mund të injorojnë opinionin publik. Është një lloj pushteti i veçantë. Është pushteti antidemokratik i elitës së biznesit, që nuk kërkon shndërrim të pasurisë në sundim oligarkik, asnjë modifikim të procedurave demokratike apo korruptim të autoriteteve publike. Ata mund të formojnë të ardhmen e shoqërisë, trajektoren e kulturës, pa miratuar asnjë ligj. Në disa mënyra, kjo është një nga karakteristikat më tinëzare të kulturës sipërmarrëse. Me sa duket është plotësisht në përputhje me demokracinë.
Përderisa ata kryejnë veprimtarinë e tyre në sferën ekonomike, duket se nuk ushtrojnë pushtet specifik mbi komunitetin si të tillë. Ne e vëmë re kur ata investojnë pasurinë e tyre në komitete politike të fshehta, grumbullues fondesh private dhe industri specifike, por rrallë e kuptojmë këtë përdorim të drejtpërdrejtë të fuqisë së tyre ekonomike për të formësuar shoqërinë.
Nuk është vetëm kjo fuqi që të bezdis, por adhurimi ndaj tyre. Teoricieni më i rëndësishëm i sipërmarrjes, Joseph Schumpeter, i përkufizonte ata si “burra me një vullnet dhe intelekt të mbinatyrshëm”. Të mbinatyrshme sepse ata jo thjesht reagojnë ndaj luhatjeve të çmimeve, por ndikojnë mbi to.
Ata mund të krijojnë marrëdhënie të reja midis ofertës dhe kërkesës përmes kapitalit të investuar në biznese të reja: për këtë arsye Schumpeter madje i konsideron ata “ndryshues” të historisë. Për shkak se veprojnë “jashtë gamës së praktikave ekzistuese”, ato përfaqësojnë “reagimin krijues” në histori. Dhe nëse ky dikur ishte një karakteristikë e liderëve politikë, sot është domeni privat i liderëve ekonomikë.
Vetëm disa kanë aftësinë për të bërë histori, duke kuptuar vlerën e projekteve që duken si fantazi për njerëzit e zakonshëm: “Në shumicën e rasteve vetëm një burrë ose disa burra shohin një mundësi të re dhe janë në gjendje të përballojnë rezistencën dhe vështirësitë që veprimi ndesh gjithmonë përtej kufijve të praktikave të konsoliduara”. Këta njerëz janë makiavelistët e tregut, qoftë nëse ndërtojnë perandori, apo një bord drejtorësh.
Pavarësisht frikës së përhapur për rikthimin e fashizmit, duket se po na mungon kulti i vërtetë i personalitetit që shtyp shoqërinë. Qëndrimi Schumpeterian ndaj sipërmarrjes është dominues sot. Është kjo festë e ekonomisë despotike dhe mbinjerëzore që zgjon aspektet më të thella dhe më të errëta të kulturës sonë.
Nuk është gabim të dëshirojmë të krijojmë, shpikim ose përpiqemi të çlirohemi nga kufizimet e kota. Një shoqëri jashtëzakonisht e pasur si Shtetet e Bashkuara krijon mundësi të mëdha për rishpikje dhe vetë-transformim. Por për ta bërë këtë, ne duhet të gjejmë diçka që i reziston karakteristikave niçeane të ekonomisë dhe miraton një model alternativ ndaj sipërmarrjes. Ne duhet të gjejmë mënyra për të përcaktuar së bashku llojin e së ardhmes që duam, për ta parë krijimtarinë si një proces të vetëvendosjes kolektive, për të ushtruar kontrollin mbi financat dhe investimet si diçka në të cilën jemi të gjithë të përfshirë. Përndryshe, sado të drejta dhe të pastra të jenë zgjedhjet tona, dikush tjetër ka kontrollin e vërtetë.
Alex Gourevitch është profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Broën, Shtetet e Bashkuara. / Në shqip nga bota.al