Shendeti

Onkologu i njohur italian Umberto Veronesi:  “Dëshira ime kryesore? Ta shoh të mundur kancerin”

Mund t’ju duket një dëshirë disi e çuditshme për të qenë kryesore, por për dikë që gjithë jetën ia kushtoi onkologjisë, fushës së mjekësisë që lufton tumoret, ishte diçka krejtësisht normale. Kjo jo vetëm është dëshira e tij, por edhe e çdo personi dhe familjari të personave që vuajnë prej ndonjë tumori. Është një sëmundje e tmerrshme që duhet parë vetëm e sfiduar dhe pa mundësi për të rrëmbyer jetë të tjera.

Umberto Veronesi ka qenë një ndër mjekët onkologë të mirënjohur italianë, i cili ndërroi jetë pesë vite më parë. Ja çfarë ka thënë ai përpara vdekjes.

“Dëshira ime kryesore? Do ta quaja dëshirën time të parë. Dua ta shoh të mundur kancerin. Kjo dëshirë është shndërruar në një objektiv, në një mision të jetës sime. Pastaj, në jetën e përditshme, dëshirat e mia janë të njëjta me ato të çdo mashkulli tjetër.

E kam humbur tim atë kur isha vetëm 6 vjeç, pastaj në fillim të profesionit tim si mjek u mora mbi të gjitha me të sëmurët në fazat terminale të sëmundjeve të tyre, me rastet më të pashpresa. Ndoshta për këtë arsye u fiksova për ta ndryshuar konceptin që fjala “kancer” të mos ishte një sinonim i vdekjes së sigurtë.

Në 10 mijë vite histori, shkenca e ka përmirësuar në mënyrë konstante jetën tonë, duke kaluar luftëra, uri dhe katastrofa. Çdo progres shkencor e ka çuar përpara shoqërinë njerëzore. Nuk mundet të mendohet ndryshe, përveç se që shoqëria e sotme dhe shoqëria e të ardhmes do të jetë një shoqëri më e mirë”.

Back to top button