Joan Smith
Dy ngjarje i dominonin lajmet, faqet e informacionit në internet dhe rrjetet socialë, në mbrëmjen e 17 korrikut. Nga Ukraina lindore vinin pamjet e avionit të Malaysia Airlines që ishte rrëzuar. Në të njëjtën kohë, në Gaza, qielli i natës ishte bërë dritë prej shpërthimeve të njëpasnjëshëm, teksa ushtria izraelite niste një sulm nga toka pas ditësh të tëra bombardimesh. Atë ditë, në rrëzimin e avionit mbi Ukrainë gjetën vdekjen 300 vetë, pasagjerë dhe ekuipazh dhe në Gaza gjetën vdekjen të paktën 24 palestinezë dhe një ushtar izraelit.
Konfliktet në Ukrainë dhe në Gaza janë shumë të ndryshëm, por kanë një gjë të përbashkët: ashtu si në të gjithë luftërat moderne, personat që vuajnë më shumë janë civilët. Pasagjerët e MH17 nuk ishin aspak të lidhur me luftimet që ndodhnin dhjetë mijë metra poshtë avionit; funksionarët në Gaza deklarojnë se tre të katërtat e personave të vrarë nga operacionet ushtarakë të Izraelit janë civilë.
Format moderne të luftës kryhen kundër civilëve. Pak më shumë se një shekull më parë, raporti mes viktimave ushtarake dhe civilëve ishte tetë me një. Në vitet nëntëdhjetë shifrat u përmbysën. Nëse mendojmë për cilindo prej konflikteve modernë – Irak, Siri, Sierra Leone, Bosnjë, Kosovë – pamjet që na vijnë në mendje janë ato të kolonave të pafundme të refugjatëve dhe kufomat e grave dhe fëmijëve të mbuluar prej rrënojave. Përhapja e frikës mes civilëve është një element themelor i luftërave moderne. Dy luftëra botërore kanë krijuar një tmerr të kuptueshëm për konfliktet në shkallë të gjerë, por një pasojë jo e qëllimshme ka qenë adoptimi i përhapur i taktikave që nuk bëjnë dallim mes ushtarëve dhe civilëve. Jemi rritur me idenë që civilët mund të sulmohen prej grupeve terroristë në rrugët e Nju Jorkut, Londrës apo Madridit. Por taktika të ngjashme përdoren nga disa qeveri përmes militarëve që veprojnë me miratimin e tyre: në këtë fushë, një mjeshtër i vërtetë i lojës së dyfishtë është presidenti rus, Vladimir Putin, i cili inkurajon nacionalizmin ekstremist për të ndezur konflikte etnikë në vendet fqinjë, dhe më pas dënon publikisht cdo formë dhune.
Në Ukrainë, në vendin e fatkeqësisë ajrore, separatistët e mbështetur nga Rusia kanë bërë gjithcka për të fshehur provat e një krimi lufte. Kjo nxjerr në pah një tjetër të dhënë trazuese: në vitet e fundit, ndërkohë që qeveritë dhe ojf-të u kanë bërë presion gjykatave ndërkombëtare që të ndëshkojnë krimet e luftës, rreziqet për civilët janë rritur në mënyrë eksponenciale. Sipas studiueses Mary Kaldor, sjellje që në të kaluarën ishin të ndaluara në luftë, duke përfshirë krimet kundër civilëve, janë shndërruar në një komponent “thelbësor” të luftërave moderne.
Ka një rrezik kur vdesin kaq shumë civilë: fillon të tingëllojë si fakt i pashmangshëm. Dhe kjo ndodh sepse komuniteti ndërkombëtar nuk angazhohet për të forcuar shtetin e të drejtës. Korrupsioni, pabarazitë dhe rikthimi tek nacionalizmi ushqejnë zjarre konfliktesh dhe faktet e 17 korrikut demonstrojnë që asnjëri prej nesh nuk është i sigurtë nga pasojat e luftës moderne. Nuk duhej të ishte e nevojshme një vrasje në masë në qiejt e Ukrainës për të bindur udhëheqësit tanë për detyrën e tyre të identifikimit dhe ndëshkimit ata që janë përgjegjës për krime lufte, pavarësisht rëndësisë së tyre. /The Independent/
Përshtatur në shqip nga bota.al
2 minutes read