Bota

Oreksi i Rusisë mund të shtrihet përtej Ukrainës

Nga William Courtney

“The Hill”

Ambiciet revanshiste dhe perandorake të Rusisë mund të mos ndalen në Ukrainë. Në rast  se forcat ruse nuk mposhten në Ukrainë apo nëse nuk tërhiqen nga sundimtarët e rinj të Kremlinit, Moska mund të sulmojë edhe fqinjët e tjerë post-sovjetikë.

Perëndimi mund të përballet me kufizime, në masën në të cilën mund t’i ndihmojë ukrainasit të pengojnë sulme të tilla. Ndërsa është rritur represioni nën presidentin Vladimir Putin dhe Rusia është bërë më autokratike, sjellja e Moskës është bërë më perandorake dhe revanshiste, jo më pak në Ukrainë, një konflikt që do të mbushë plot 1 vit më 24 shkurt.

Por ambiciet e mëdha të Moskës mund të shkojnë përtej Ukrainës. Në vitin 2005, Putin e quajti shembjen e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX”. Në vitin 2008, në atë kohë kryeministër Putin i tha presidentit amerikan George W.Bush se “Ukraina nuk është shtet”.

Po atë vit Rusia pushtoi një pjesë të Gjeorgjisë dhe pretendoi “interesat e privilegjuara” në rajon. Në  vitin 2014, dhe në një shkallë më të madhe vitin e kaluar, Rusia pushtoi Ukrainën.

Në vitin 2022, Putin pretendoi se para sundimit të presidentit Nursultan Nazarbayev “kazakët  nuk kishin pasur ndonjëherë shtet”.

Në vitin 2016, Putin pretendoi se kufiri i Rusisë “nuk ka fund”. Nuk është çudi që fqinjët e Rusisë janë të shqetësuar. Ata kanë arsye të frikësohen se ku mund të godasë më pas Rusia e Putinit, sidomos nëse sundimtarët revanshistë mbeten në Kremlin ose nëse fitojnë në Ukrainë. Po ku mund të shfaqen kërcënimet e reja ruse?

Vendet baltike

Duke pretenduar se ka një mision për të mbrojtur rusët kudo që ndodhen, Moska mund të përpiqet të pushtojë Estoninë që ka enklavën e saj etnike ruse Narva. Apo Letoninë, ku rusët etnikë përbëjnë çerekun e popullsisë. Rusia mund të synojë të pushtojë edhe Lituaninë, një fqinj që nuk është miqësor ndaj Rusisë, i vendosur midis Kaliningradit të armatosur dhe Bjellorusisë. Meqenëse Baltikut i mungon thellësia gjeografike, Kremlini mund të mendojë se forcat ruse mund t’i pushtojnë këto 3 vende të vogla përpara se të mbërrijnë përforcimet e NATO-s, dhe të mposhtin çdo përpjekje për t’i rimarrë ato.

Bjellorusia

Me shumë gjasa i tronditur nga protestat popullore të vitin 2020, Kremlini mund të synojë të përshkallëzojë politikat e nënshtrimit duke e aneksuar Bjellorusinë. Putin mund të jetë i zemëruar që pavarësisht se ka aleat një diktator si Lukashenko, Bjellorusia refuzon që

të dërgojë trupa në Ukrainë apo të lejojë vendosjen e një baze ajrore ruse. Për këtë arsye Kremlini mund të rrëzojë presidentin bjellorus, për të vendosur plotësisht nën kontroll ose ta aneksojë Bjellorusinë pa ndërhyrjen e Perëndimit. Moska mund të shqetësohet për nxitjen e më shumë protestave.

Moldavia

Në fillim të këtij muaji, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov paralajmëroi se Moldavia demokratike mund të bëhet “Ukraina e ardhshme”. Trupat ruse mbajnë aktualisht të pushtuar  Transnistrian separatiste. Nëse Rusia arrin të pushtojë Ukrainën Jugore deri në kufirin moldav, ajo mund të ndërmarrë rrezikun e pushtimi të një vendi të lidhur me Perëndimin dhe që ndodhet në kufi me Rumaninë, një vend anëtar i NATO-s.

Gjeorgjia

Nëse Rusia do të pushtojë vijën bregdetare të Detit të Zi që mbetet nën kontrollin e Gjeorgjisë, do të kontrollonte hyrjen në këtë det për mallrat që vijnë dher shkojnë drejt Kinës, Azisë Qendrore dhe Kaukazin e Jugut. Pavarësisht lidhjeve me Perëndimin, Kremlini mund ta shohë Gjeorgjinë demokratike, si larg pjesës më të madhe të Evropës dhe të pambrojtur.

Kazakistan

Forcat ruse mund të tentojnë të pushtojnë rajonet veriore të Kazakistanit, ku jetojnë pakica të rëndësishme sllave. Revanshistët rusë kanë kërkuar prej kohësh përfshirjen e këtyre zonave, siç bëri disidenti i ndjerë sovjetik Alexander Solzhenitsyn. Kremlini mund ta shohë Perëndimin si të paaftë për të bërë shumë për të ndihmuar Kazakistanin e largët që të zmbrapsë një pushtim rus. Paqeruajtësit nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia, ndërhynë për të ndihmuar në shuarjen e protestave në Kazakistan vitin e kaluar.

Energjia e Kaspikut

Rusia mund të synojë që të pushtojë asetet energjetike të Kaspikut në Azerbajxhan, Kazakistan dhe Turkmenistan. Në dallim nga pushtimet e tjera të mundshme, Kremlini mund të mendojë se ky lloj pushtimi do të kishte përfitime financiare më të mëdha.

Kështu, një njësi ushtarake detare ruse në Detin Kaspik mund të godasë objektivat në zonat bregdetare dhe të ndihmojë në mbrojtjen e aseteve energjetike nga dëmet anësore. Kremlini do të presë opozitë të fortë politike nga Perëndimi dhe sanksione më të ashpra.

Por pavarësisht investimeve të mëdha perëndimore në Kaspik, Kremlini mund të mos presë një ndërhyrje ushtarake në shkallë të gjerë nga ana e NATO-s. Nuk ka dyshim se për revanshistët dhe imperialistët rusë, Ukraina është fushëbeteja kryesore. Por ata mund të duan më shumë. Dhe mund të mendojnë se mbështetja e paprecedentë ushtarake e Perëndimit për Ukrainën nuk do të përsëritet diku tjetër. Lufta e ka treguar vlerën e madhe që ka trajnimi i qëndrueshëm dhe me kosto të ulët nga aleatët e NATO-s i trupave ukrainase.

Për shembull se si të luftohet në mënyra të decentralizuara dhe të shkathët. Nga këto stërvitje kanë përfituar edhe forcat gjeorgjiane. Aleatët mund të promovojnë sigurinë rajonale duke trajnuar më shumë forca nga vendet mike post-sovjetike. Fati i fqinjëve të Rusisë mund të varet kryesisht nga rezultati i luftës në Ukrainë.

Sidomos nëse Kremlini arrin ta portretizojë luftën si një sukses, mund të inkurajohet të përdorë forcën kundër fqinjëve të tjerë. Kjo është një arsye pse Perëndimi ka shumë interes tek tërheqja e Rusisë nga Ukraina dhe për një fund të sundimit revanshist në Rusi. Perëndimi mund të jetë më i guximshëm për të bërë të mundur këtë të fundit.

Shënim: William Courtney bashkëpunëtor në think-tankun “RAND Corporatin”. Më herët ka qenë ambasador i SHBA-së në Kazakistan dhe Gjeorgji.

Back to top button