Populli bask në verilindje të Spanjës dhe jug të Francës, ka qenë gjithmonë një mister. Ndryshe nga fqinjët e tyre, malësorët baskë nuk flasin një gjuhë të bazuar në atë latine të Romës së lashtë. Më tej, gjuha baske është një gjuhë e izoluar, që do të thotë se ajo nuk ka lidhje të dukshme me gjuhët indo-europiane në Europë. Në vitin 2015, Mattias Jakobsson i Universitetit Uppsala të Suedisë, hodhi idenë që baskët janë pasardhës të fermerëve iberikë që kanë migruar në veri dhe janë përzierë me popullsitë vendase të gjahtarëve.
Duke e bazuar argumentin e tij në skeletet e Epokës së Gurit që janë gjetur në veri të Spanjës, Jakobsson beson se iberikët nga Spanja jugperëndimore nisën lëvizjen e tyre drejt veriut 3500 deri 5500 vjet më parë. Pas përzierjes me popullsinë lokale, izolimi gjeografik dhe kulturor ndihmoi që ata të ruanin ADN e tyre unike baske. Ndonëse studimi i Jakobsson forcon besimin e kahershëm se populli bask është i ndarë nga europianët modernë, ai megjithëkëtë hedh poshtë idenë që baskët janë një vazhdimësi e një qytetërimi paraNeolitik. Të tjerë studiues të gjenetikës kanë shkuar më tej, duke hedhur poshtë idenë që baskët janë unikë. Bazuar në një studim të gjenomës së europianëve, disa shkencëtarë gjenetistë kanë konkluduar se baskët nuk janë unikë dhe ndajnë shumë prej materialit gjenetik me europianët e tjerë./bota.al