Analiza

Origjina e brendshme e strategjisë gjeopolitike amerikane

america“[…] por nëqoftëse duhet të përdorim, kjo është sepse jemi Amerika: jemi kombi i domosdoshëm”. Fjalët e Madeleine Albright, Sekretare e Shtetit gjatë administratës së dytë Clinton, janë analizuar, kritikuar, cituar në artikuj, ese dhe libra të panumërta lidhur me Shtetet e Bashkuara. Megjithëse e nxjerrë nga konteksti në të cilin përdoret, kjo shprehje përshkruan me saktësi të madhe jo vetëm mendimin e zakonshëm që mbështet politikën e jashtme amerikane, por edhe dhe sidomos një vizion të botës, unik në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare bashkëkohore.

Veç të tjerash është një pikënisjeje e mirë për të rimenduar strategjinë gjeopolitike e Shteteve të Bashkuara, duke e shikuar si produkt procesesh më shumë të brendshëm sesa ndërkombëtarë. Teoritë klasike e marrëdhënieve ndërkombëtare marrin në konsideratë vetëm shtetet dhe organizatat si agjentë që ndërveprojnë në strukturën ndërkombëtare. Pak hapësirë i kushtohet analizës së proceseve formuese të politikës së jashtme, e konsideruar ndryshore e pavarur dhe jo relevante për qëllime shpjeguese dhe teorizimi. Në fakt, duke përdorur analizën e politikës së jashtme mund të kuptohet gjeneza dhe natyra e politikës së jashtme e një vendi të caktuar dhe si vepron ai ai në fushën ndërkombëtare. Duke shqyrtuar ndryshoret që ndërhyjnë në proceset vendimmarrëse, mund të interpretohet veprimi i jashtëm i Shteteve të Bashkuara dhe qasja gjeopolitike e tyre, si rezultat dinamikash dhe modelesh sjelljeje të brendshëm. Kështu që mund të hipotezohet se, duke përdorur teoritë e analizës së politikës së jashtme dhe veçanërisht modelin e rivalitetit burokratik dhe modelin e procesit vendimmarrës elitar, mund të kuptohen më mirë vështirësitë që Shtetet e Bashkuara hasin në operimin e një riaxhustimi strategjik dhe gjeopolitik që shkon përtej skemave vendimmarrëse mbeturina të Luftës së Ftohtë.

Një prej këtyre mbeturinave njohëse dhe emotive është përsosshmërisht refleks në fjalët e Albright: Shtetet e Bashkuara kanë marrë përsipër detyrën e “policit botëror” dhe në vetëdijen kolektive amerikane perceptimi i të qënit të “jashtëzakonshëm” është i fortë dhe i mirërrënjosur. Ekspesionalizmi amerikan është një konept themelor për identitetin amerikan: një vend i lindur nga një luftë çlirimi kolonial nuk ka sesi të mos jetë, për sytë e qytetarëve të tij, një model lirie për pjesën tjetër të botës dhe të ketë misionin e rimodelimit të botës sipas imazhit të tyre.

Është nga kjo ide eksepsionaliteti që buron prirja “misionare” e Shteteve të Bashkuara për promovimin e demokracisë; nga ana tjetër, as nuk është befasuese që nga ajo të burojë një theksim jetëgjatë mbi supremacionë e vend në rendin botëror. Dy pohimet e fundit janë të lidhura midis tyre: një vend eksepsional që, sipas optikës perëndimore, gëzon sistemin demokratik më të botës, ka jo vetëm përgjegjësinë e të qenit një shembull i mirë për vendet e tjera, por ka edhe përgjegjësinë për ta kontrolluar dhe mbikqëyrur rendin ndërkombëtar. Kështu që nuk është rastësi që në çdo National Security Strategy, dokumenti që profilon drejtimin strategjik amerikan, objektiv konstant është ruajtja e influencës globale (e nënkuptuar kjo si soft power apo si projektim tradicional i forcës) së Shteteve të Bashkuara; influencë që do t’u garantonte kështu autoritet Shteteve të Bashkuara dhe do t’u mundësonte atyre që t’i legjitimojnë veprimet e tyre në nivel ndërkombëtar.

Kjo mënyrë e veçantë e konceptimit të vetes dhe realiteti ndërkombëtar shpjegojnë qëndrimin unilateral që Shtetet e Bashkuara privilegjojnë në çështjet ndërkombëtare: ndërhyrjet ndërkombëtare, luftërat në Irak e në Afganistan, menaxhimi ambig dhe i çrregullt i çështjes iraniane dhe një prirje e caktuar për t’i konsideruar me shpërfillje rregullat dhe normat e vendosura nga struktura ndërkombëtare. Akte të caktuara të politikës së jashtme mund të interpretohen si simptoma imperializmi apo efekte të një kulture politike realiste; mund të hipotezohet në fakt se vendosmëria dhe koherenca e akteve të tilla i detyrohet një rimendimi të munguar të skemave njohëse dhe interpetuese. Kjo ndodh për shkak të modaliteteve vendimmarrës disfunksionalë që kanë vend në nivel të ekzekutivit dhe në veçanti në grupet dhe departamentet burokratike që kanë detyrën e përcaktimit të politikës së jashtme amerikane.

Shumë është shkruar kohët e fundit mbi të ashtuquajturit BRICS, mbi ngjitjen e tyre në arenën ndërkombëtare, mbi rolin që ata mund të kenë dhe mbi pasigurinë që vende si Kina, Rusia apo edhe Brazili mund të pranojnë që të hyjnë e të bëhen pjesë e një strukture ndërkombëtare arkitektura e së cilës është me origjinë kryesisht amerikane. Ky debat është tregues i një procesi në zhvillim, të cilit vështirë se mund t’i ndryshohet trajektorja: kalimi nga një sistem unilateral në një sistem multilateral. Ky kalim sjell sigurisht një dimension diplomatik të ri, që është përfshirëse dhe negociuese, në qasjen ndaj çështjeve ndërkombëtare; mund të sjellë një ripërcaktim të normave që i rregullojnë zhvillimin. Politika e jashtme amerikane në dekadën e fundit ka shënuar një konfuzion të caktuar lidhur me këtë proces: “doktrina Bush” ishte mbi një shteg krejtësisht unilateralist, ndërsa administrata Obama ka prodhuar ndryshime, por nuk e ka sqaruar rolin e Shteteve të Bashkuara në një botë të re multilaterale. Mungesa e qartësisë lidhur me rolin amerikan (komb i domosdoshëm apo partner multilateral?) ka penguar një rimendim serioz të qasjes gjeopolitike dhe strategjike të Shteteve të Bashkuara: në këtë kuptim aksi drejt Azisë është përsëritja e një skeme të vjetër, që ka si objektiv ruajtjen e një pozicioni supremacie, i maskuar nga ndryshimi strategjik. Shtetet e Bashkuara lëvizin në skakierën ndërkombëtare sipas një logjike prej Lufte të Ftohtë, që imponon supremaci ushtarake dhe ekonomike dhe strategji rajonale të prirura që të mborjnë në mënyrë të pakushtëzuar vendet aleate. Çfarë e pengon një rimendim të këtij modeli anakronik të konceptuari marrëdhëniet ndërkombëtare?

Përfundimi i Luftës së Ftohtë jo vetëm i ka lënë Shtetet e Bashkuara në pozicionin e superfuqisë globale të vetme, por ka risjellë në jetë konflikte etnike, kombëtare dhe fetare të mbytura për më shumë se 40 vjet. Kjo situatë mikro dhe makro – konfliktualiteti rajonal e lanë të dyzuar një komb të hyrë në skenën ndërkombëtare me luftën e parë të madhe dhe të bërë superfuqi pas të dytës: qasja amerikane ka qenë gjithmonë globale, jo rajonale. Vështirësia në interpretimin e fenomeneve të vjetër e të rinj, të çliruar nga një kontekst balance of power ndërkombëtare, ka shkaktuar një konfuzion strategjik të madh në vitet nëntëdhjetë, konfuzion që vetëm është përkeqësuar pas sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001. Të paafta për ta interpretuar terrorizmin si një fenomen taktik dhe jo strategjik, Shtetet e Bashkuara e kanë zëvendësuar me komunizmin si kërcënim të ri ekzistencial dhe i kanë dhënë jetë një politike katastrofike të Lindjes së Mesme në fillimin e mijëvjeçarit. Konteksti i Lindjes së Mesme i përshtatet mirë analizës së një politike të jashtme ngurruese ndaj rimendimeve strategjike dhe ideologjike, pasi vështirësisë për të krijuar një rol të ri për Shtetet e Bashkuara në rajon i shtohet një “orientalizëm” i rrënjosur si komplikim i mëtejshëm. Koncepti i orientalizmit, i zhvilluar nga teoricieni paskolonialist Edward Said, e rimendon kontradiktën midis Lindjes dhe Perëndimit duke e interpretuar si rezultatin e një deformimi intelektual të kryer nga shkrimtarë, teoricienë dhe politikanë perëndimorë, të cilët kanë kontribuar të krijohet një perceptim i Lindjes (dhe i Lindjes së Mesme) si tërësi realitetesh të “tjera”, të stereotipizuara dhe të pandryshueshme. Orientalizmi amerikan, shumë i pranishëm në vetëdijen kolektive të grupeve vendimmarrëse, e ndjek këtë teorizim klasik dhe i shton elemente mosbesimi dhe dyshimi të thellë kundrejt besimit fetar islamik.

Për pasojë, skema të vjetra njohëse janë të gjalla e të forta në politikën e jashtme amerikane. Vështirësia në zëvendësimin e tyre gjen një shpjegim në modelin e veçantë vendimmarrës të adoptuar nga Shtetet e Bashkuara, model që ekzaltin funksionin e ekzekutivit, në radhë të parë në figurën e Presidentit, dhe i inkurajon natyrën elitare, duke favorizuar kështu fenomene si rivalitetet burokratike dhe “groupthink”. Të kombinuara me kokëfortësinë e Kongresit në mbrojtje të natyrës “ekspesionale” të Shteteve të Bashkuara, këto modele mund të hedhin dritë mbi modalitetet disfunksionale me të cilat vendoset politika e jashtme dhe, për pasojë, sesa vetë politika e jashtme, sapo implementohet, është false apo dështake.

Koncepti i groupthink është përpunuar nga Graham Allison në vitin 1969 dhe merr si shembull krizën e raketave të Kubës për të shqyrtuar dinamikat vendimmarrëse në një grup elitar. Në këtë model, individët që operojnë në një grup të ngushtë tentojnë që t’i konformohen mendimit mazhoritar, duke eliminuar përpunimin kritik dhe vlerësimin objektiv e të dhënave. Ndryshore të ndryshme ndërhyjnë në këtë proces dhe rezultati varet edhe nga personaliteti i Presidentit, nga afrueshmëria ose jo e agjentëve të jashtme ndaj grupit, nga lloji i hierarkive që krijohen dhe nga struktura e brendshme e tij. Ky model është i dobishëm sidomos në rast krizash ndërkombëtare, ku pushteti është në duart e Presidentit dhe enturazhit të tij, që këshillon dhe jep informacione. Prania e groupthink është më probabël në grupe kohezivë dhe është vërejtur se modeli i përshtatet mirë ekzekutivit amerikan. Natyrisht që këshilltarët presidencialë janë stakeholder në grup: secili prej tyre avancon propozimin që akordohet më mirë me interesat veta (qofshin ato politike, ekonomike, ideologjike, personale) dhe hyn në konflikt me të tjerët. Zgjidhja e këtij konflikti mund të jetë kompromisi apo paraliza vendimmarrëse, në raste kohezioni të brendshëm më të vogël. Por nëqoftëse grupi është më koheziv, zgjidhja e politikës së jashtme është shpesh një vendim mazhoritar. Kështu, konformiteti apo emëruesi i vogël i përbashkët përcakton politikën e jashtme: në të dyja rastet, mosmarrëveshja dhe kërkimi i metodave dhe i interpetimeve të reja pengohen nga groupthink.

Modeli i vendimit politim elitar shpjegon shumë prej vendimeve të marra nga Shtetet e Bashkuara lidhur me rajonin e Lindjes së Mesme. Në librin e tij të fundit, Fawaz Gerges e vë theksin mbi mungesën kronike të ekspertëve të zonës në enturazhin presidencial. Kjo është e vërtetë për çdo zonë të botës dhe, për pasojë, edhe për Lindjen e Mesme; çfarë sjell kjo për zhvillimin e një politike të jashtme efikase? Ekspertët e zonës njohin hollësitë dhe dinamikat e një rajoni dhe do të ishin kështu në gjendje të jepnin një vlerësim korrekt të informacioneve dhe të sugjeronin përgjigje komplekse për probleme komplekse. Por përfaqësojnë një pjesë minoritare të grupeve vendimmarrëse, ku mbizotërimi i një procesi vendimmarrës konform pengon kërkimin e zgjidhjeve të reja dhe zhvillimin e strategjive të reja.

Modelit të groupthink i duhet shtuar modeli i rivaliteteve burokratike. Në prani të rivaliteteve burokratike, politika e jashtme është zgjidhja apo ndërmjetësimi i një konflikti midis degëve dhe departamenteve qeveritare të ndryshme: secili prej tyre ka një ide të saktë dhe të ndryshme se cili është interesi kombëtar dhe si duhet ndjekur ai: nga këto përkufizime të ndryshme lindin konfliktet burokratike. Kongresi, Departamenti i Shtetit, personeli diplomatik, komuniteti i inteligjencës janë shpesh në konflikt me dhe përballë ekzekutivit për sa i përket politikës së jashtme. Një shembull i thjeshtë është qasja ndaj çështjes së bërthamores iraniane: në këtë rast, Kongresi, ku praktika e lobizmit është e përhapur (në këtë rast qe e fortë shtytja ndaj ndërhyrjes nga ana e American Israel Public Affairs Committee) ushtroi presion për një ndërhyrje të armatosur gjatë administratës Bush, ndërsa CIA dhe Departamenti i Shtetit u shprehën ashpërisht kundra kësaj lloj zgjidhjeje. Gjithsesi, rivalitetet burokratike shfaqen më lehtësisht në kontekste me rëndësi më të vogël, kur është mungues presioni i diktuar nga urgjenca e një krize ndërkombëtare. Ky lloj modeli mund të përdoret për të shpjeguar kontrastet që shpesh ndajnë ekzekutivin e Kongresin dhe mund të shpjegojnë ngurrimin ekstrem nga ana e këtij të fundit për të marrë pjesë në hartimin e normave ndërkombëtare dhe, për pasojë, t’i respektojë ato. Traktate të panumërta, që diplomatët amerikanë kanë kontribuar të hartojnë, nuk janë ratifikuar kurrë nga Kongresi, një mungesë e justifikuar nga një kërcënim i supozuar ndaj sovranitetit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Duket kështu logjike të afirmohet se Kongresi beson si prioritare ruajtjen e statusit të kombit mbi palët në konsensusin ndërkombëtar.

Duke i bashkuar dy teoritë, del kompleksiteti i madh i procesit vendimmarrës të politikës së jashtme amerikane. Rivaliteti midis Kongresit dhe ezkekutivit, i rënduar në dekadën e fundit nga ashpërsimi i luftës politike, është pjesë e vështirësisë në gjenerimin e një qasjeje gjeopolitike korrekte: supremacia amerikane dhe superioriteti ndaj rregullave ndërkombëtare i përshtaten keq një skenari global multilateral. Këtij keqfunksionimi politik i shtohen efektet e groupthink dhe impakti devijues që kanë mbi përpunimin e një politike të jashtme efikase dhe dinamike. Konformitet, përpunim kritik i munguar, difekte informacioni dhe vazhdimi i skemave njohëse demode drejtojnë politikën e jashtme duke ndjekur skema sjelljeje familjare dhe jo problematike. Zgjidhje të reja, që e kanë origjinën nga skema njohëse të rinovuara, nuk janë as të kërkuara, as të gjetura.

Kështu, strategjia gjeopolitike amerikane mund të interpretohet si produkt procesesh të brendshme. Është për shkak të tyre që Shtetet e Bashkuara kanë vështirësi në ripërcaktimin e idesë së vetëvetes, rolit të tyre në botë dhe, për pasojë, të adoptojnë një vizion strategjik të ri që mban parasysh nevojat dhe problemet e një bote multipolare.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button