Osoji është pastrimi me themel në fund të viti. Një traditë e vjetër japoneze që kryhet në të gjitha vendet cep më cep, para 31 dhjetorit duke e lënë vendin tejet të pastër dhe duke hedhur gjërat e vjetra për të pritur vitin e ri me një energji të re. Ky pastrim i përgjithshëm është një nga ritualet e fundvitit. Nuk ka një datë të caktuar se kur mund të fillohet, por pjesa më e madhe e njerëzve e fillon një ose dy javë para datës 31 dhjetor.
Ky pastrim i lodhshëm bëhet në shtëpi, në zyra, në tempuj deri edhe në shkolla, ku njerëzit hedhin vjetërsirat për t’i lënë vend gëzimit dhe prosperitetit të vitit që po vjen. Gjatë osojit njerëzit pastrojnë shtëpitë në ekstreme duke hequr çdo papastërti dhe pluhura. E njëjta gjë edhe në zyra e sipërmarrje, shefat së bashku me punonjësit i lenë sallat të pastra. Në shkolla, nxënësit me mësuesit pastrojnë çdo cep për ta lënë shkollën të ndritshme.
Në tempuj gjithashtu punohet dhe nxjerrin në diell tatamët, shtroje babuje, për të hequr lagështinë. Përpos pastrimit të mundimshëm gjatë ditëve të fundit të këtij rituali disa njerëz duan edhe të përfundojnë punë të lëna përgjysëm dhe përpiqen t’i realizojnë para datës 31 si: pagesa e borxheve ose objektiva që janë shtyrë. Domethënia e këtij rituali është pritja e Vitit të Ri në formën sa më të rregullt dhe të pastër. Është një mënyrë e të ndryshuarit të energjisë dhe sjelljes së prosperitetit dhe karikimit me qëllime të reja.
Mendohet se kjo traditë e ka zanafillën në periudhën Edo dhe përfundoi së qëni një ritual i tërë për të gjithë. Në atë periudhë, në Japoninë antike nga data 13 dhjetor bëhej “Susuharai“, një ritual shumë i ngjashëm që konsitonte në heqjen e blozës dhe pluhurit nga shtëpitë, kështjellat dhe tempujt për t’i uruar mirëseardhjen zotave të vitit të ri. Me kalimin e kohës ky ritual, nga heqja blozës dhe e pluhurit, mbeti tek tempujt, ndërsa në shtëpi njerëzit e bënin vetëm në fund të vitit, atë që sot njohim si osoji. / Bota.al