Ekonomi

Pasojat ekonomike të një sulmi

Screen Shot 2015-11-27 at 09.03.56

Nga Andrea Goldstein

Pas sulmit të dytë terrorist në Paris brenda këtij viti, është e ligjshme të pyesim se çfarë ndikimi do të ketë ai mbi ekonominë franceze. Natyrisht, është e vështirë të parashikojmë evoluimin e situatës në muajt e ardhshëm, por është e mundur të identifikohen disa kanale transmetuese. Shkurtimisht, mund të thuhet, se nuk ka gjasa që ndikimi i sulmeve të nëntorit të jetë shumë i rëndësishëm, por pasojat gjithësesi ka të ngjarë të jenë më të rëndësishme se ato të sulmit të janarit.

Së pari mbi turizmin, që zinte 7.4 përqind e PBB-së franceze në vitin 2014. Franca është destinacioni i parë në botë për numrin e turistëve të huaj dhe e treta në aspektin e të ardhurave prej tyre, ndërsa Parisi është destinacioni i tretë më i popullarizuar, pas Londrës dhe Bangkokut. Ka një numër gjithnjë e më i madh aziatikësh dhe amerikanësh (të veriut dhe jugut), të cilët qëndrojnë më gjatë dhe shpenzojnë më shumë, por si kompensim kanë një frikë më të madhe nga aktet terroriste.

Reagimi ishte i menjëhershëm në fusha të tilla si transporti ajror, hotelieria, restorantet dhe mallrat dhe shërbimet e luksit. “Printemps” dhe “Galeries Lafayette”, kanë humbur përkatësisht 30 dhe 50 përqind të vizitorëve në 2 javët që pasuan sulmet e 13 nëntorit. Në hotele, shkalla e punësimit rame  20 përqind në fundjavën e pare, dhe të ardhurat për dhomë edhe më shumë.

Disa aktivitete janë anuluar (në veçanti konferenca vjetore e kryetarëve të komunave, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës), të tjera të konfirmuara, por me kontrolle të përforcuara. Edhe përsa i përket nivelit, përbërjes dhe mënyrës së konsumit të brendshëm, do të ketë pasoja në një përiudhë afatshkurtër. Përballë një pasigurie më të madhe, konsumatori mund të kursejë më shumë, ndërsa në drejtimin e kundërt do të lëvizë kohezioni social që vjen pas një sulmi. Dëshmia nga ngjarjet e fundit, është se kjo e fundit duket se do mbizotërojë.

Konsumi privat u rrit me 1.5 përqind në SHBA në tremujorin që pasoi sulmet e 11 Shtatorit (përkundrejt 0.2-0.3 përqind në 3-tremujorët e mëparshëm), ndërsa sipas raportit të Bankës së Spanjës në vitin 2004 “edhe pse në fillim të vitit pati pasiguri në lidhje me pasojat e mundshme ekonomike pas sulmeve të 11 marsit në Madrid, në fund ato ngjarje nuk prodhuan efekte të qëndrueshme”.

Konsumatorët pastaj mund t’i drejtojnë blerjet e tyre drejt dyqaneve të vogla, në kurriz të qendrave të mëdha tregtare. Në rastin e hotelierisë, në ditët e para pati një rënie në frekuentim (edhe më e madhe në restorantet me shumë yje), ndërsa nga ana tjetër është rritur përdorimi i shërbimeve në shtëpi.  Në të gjitha këto raste, ndikimi i menjëhershëm është shumë më i fortë sesa në javën e tretë të janarit.

Janë reduktuar me 10 përqind edhe udhëtimet tranzit në metro; ndërsa anasjelltas është shtuar trafiku në rrugë:në 17 nëntor në ora 9 të mëngjesit, vargu i makinash që udhëtonin ngadalë rreth Parisit mbërriti në 530 kilometra gjatësi, në krahasim me 240 km të një marte të zakonshme. Konfirmohen kështu rezultatet e një studimi të kryer nga Geri Beker, se një shpërthim në një linjë autobusi në Izrael, çoi në një reduktim prej 30 përqind të numrit të udhëtarëve në ditët në vijim.

Tregu i pasurive të patundshme

Kanali i tretë është tregu parizian i pasurive të patundshme, sidomos për klientët e huaj, që së bashku përbëjnë 8 përqind të transaksioneve (dhe italianët janë kontigjenti i parë). Është e lehtë të bëhet një parashikim mbi nivelin e sipërm të tregut (mbi 5 milionë), ku 80 përqind e blerësve janë të huaj. Amerikanët, anglezët dhe kinezët do të bëhen më të rrallë në muajt e ardhshëm.

Dhe që në fundjavën e parë pas sulmeve, transaksionet të ndryshme u anuluan në momentin e fundit. Megjithatë, është e mundur që të bëhet fjalë vetëm për shtyrje, dhe tek e fundit për 10 muajt e parë të vitit, pavarësisht nga Charlie Hebdo dhe Hyper Casher, tregu luksoz ka qenë shumë dinamik. Krejtësisht ndryshe paraqitet situata atje, ku terrorizmi është një fenomen i përsëritur:një studim i Asaf Zusman, tregon se në qytetet e veriut të Izraelit, objektiv i sulmeve me raketa nga Hezbollahu gjatë viteve 2006- 2012, çmimet e shtëpive ranë me 7.6 përqind.

Në perspektivë, kanalet kryesore të transmetimit të efekteve nga terrorizmi, mund të jenë ato të tregut të sigurimeve dhe kontrolleve kufitare. Ngjarjet në Francë në vitin 2015 (përveç atij në Stade de France, ku për fat të mirë bilanci i viktimave qe i kufizuar), kanë patur një natyrë shumë të ndryshme sesa episodet e kaluara, kur u prek infrastruktura të tilla si Kullat Binjake, stacionin Atocha apo metroja e Londrës.

Për pasojë, kostoja për siguruesit është shumë e ulët, dhe nuk ka gjasa të rriten tarifat apo reduktohen garancitë. I ndryshëm është rasti për kontrollet mbi tregtinë e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve. Tashmë, masat e zbatuara në Hungari dhe Slloveni, kanë shtuan kohën e kalimit në kufi:sipas CIPS, shpenzimet logjistike për kompanitë gjermane janë rritur me 10 përqind.

Në Francë, pas sulmeve të janarit, PBB-ja u rrit me 0.7 përqind në tremujorin e parë, më shumë sesa në fund të vitit 2014. Ato objektiva ishin përcaktuar qartazi:në nëntor, strategjia e terroristëve ka qenë e ndryshme, dhe s’mund të përjashtohet që të rezultojnë në sjellje më të kujdesshme nga ana e konsumatorëve. Në çdo rast, parashikimet mbi rritjen ekonomike, janë të ndërvarura kryesisht nga orientimi i politikës monetare në eurozonë, dhe politikat strukturore të autoriteteve franceze. /“Lavoce.info”

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button