Nga Andreas Matthias
Leon Tostoi ka shkruar një tregim të mrekullueshëm me titull “Sa tokë i nevojitet një njeriu?”. Ai rrëfen historinë e një njeriu që iu dha mundësia të merrte aq shumë tok sa do të mund të përshkonte në këmbë duke ecur gjatë gjithë ditës. Burri nisi të ecte, dhe në çdo moment mendonte se po lodhej dhe mund të kthehej pas, lakmia e nxiste të ecte edhe pak më tej.
Tek e fundit pse duhet ta linte pa marrë edhe atë copë tokë që nuk i përkiste askujt. Kështu ai ecën i lumtur deri në orët e vona të pasdites. Por në një moment e kupton se dielli është gati të perëndoje dhe se duhet të nxitojë për t’u kthyer në pikën e nisjes për të mbyllur rrethin, përndryshe do ta humbasë gjithë tokën që kishte rrethuar deri në atë momente. Kështu ai nisi të kthehet me vrap.
Ai vrapon dhe vrapon dhe arrin pikën e nisjes pikërisht në momentin e fundit kur dielli sapo po fshihej në horizont. Por në çastet e fundit bie përtokë dhe nuk ngrihet më. Kishte vdekur nga lodhja ekstreme. Ai u varros po aty, dhe ky rrëfim dhe në këtë pikë kuptohet se se sa tokë i nevojitet një njeriu. Aq sa për t’u prehur pas largimit nga kjo botë.
Çfarë është prona sipas From
Kjo lloj prone mund të quhet pronë private (nga latinishtja privare, të privosh nga), sepse personi ose personat që e zotërojnë janë zotëruesit e saj të vetëm, me fuqi të plotë për t’i privuar të tjerëve nga përdorimi apo gëzimi i saj. Ndërsa pronësia private supozohet të jetë një kategori natyrore dhe universale, ajo është në fakt një përjashtim dhe jo rregull nëse marrim parasysh të gjithë historinë njerëzore (përfshirë parahistorinë), dhe veçanërisht kulturat jashtë Evropës, në të cilat ekonomia nuk ishte shqetësimi kryesor në jetë.
Përveç pronës private, ekzistojnë: prona e vetë-krijuar, e cila është ekskluzivisht rezultat i punës së dikujt; prona e kufizuar, e cila kufizohet nga detyrimi për të ndihmuar të tjerët; prona funksionale apo personale, e cila përbëhet ose nga mjete pune ose nga sende për kënaqësi; pronë e përbashkët, të cilën një grup e ndan në frymën e një lidhjeje të përbashkët, siç është kibuci izraelit. (Erik From, Të kesh apo të jesh)
Prona private dhe mënyra e të pasurit
Mosbesimi ndaj pronës private dhe efekteve të saj mbi psikikën njerëzore nuk është një ide ekskluzive e From. Që nga kohët e lashta, filozofët kanë e theksuar se prona private është rrënja e shumë pakënaqësive në jetën e njeriut. Jezu Krishti thoshte: “Sërish po ju them: E ka më të lehtë një deve të kalojë në vrimën e gjilpërës, sesa një njeri i pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”(Mateu 19:24).
Ndërkohë filozofi i Greqisë së Lashtë Epikuri shkroi: Ai që i kupton kufijtë e jetës, e di se sa e lehtë është të gjesh mjaftueshëm sa për të hequr dhimbjen e mungesës, dhe për ta bërë të gjithë jetën të plotë dhe të përsosur. Prandaj ai nuk ka më nevojë për gjëra që nuk duhen fituar veçse me punë dhe konflikt.
Natyrisht, gjërat “të cilat nuk fitohen veçse me punë dhe konflikt” janë të mira materiale, të cilat njeriu mund t’i ndjekë gjatë gjithë jetës, pa marrë kurrë aq mjaftueshëm sa për të kënaqur epshin. Por duke qenë psikolog Erik From, shkon një hap më tej: Egoja jonë është objekti më i rëndësishëm i ndjenjës sonë pronësore, sepse ajo përfshin shumë gjëra: trupin tonë, emrin, statusin tonë shoqëror, pasuritë tona (përfshirë njohuritë tona), imazhin që kemi për veten dhe imazhin që duam të kenë të tjerët për ne.
Egoja jonë është një përzierje e cilësive reale, si njohuritë dhe aftësitë, dhe i disa cilësive fiktive që ne i ndërtojmë rreth një thelbi të realitetit. Problemi sipas From nuk është vetëm që ne kalojmë pjesën më të madhe të jetës sonë duke ndjekur të mirat materiale, por që e përkufizojmë veten përmes të mirave që zotërojmë.
A janë disa dëshira më të mira se të tjerat?
Epikuri besonte se mënyra më e besueshme për të qenë të lumtur është të pakësosh dëshirat, derisa të jetë e lehtë që t’i kënaqësh ato. Por kjo qasje ka jo pak probleme. Për shembull, humbja e pasurisë sonë materiale në ndonjë aksident, ndoshta në një zjarr apo një grabitje, do të kërcënonte thelbin e qenies sonë dhe do të asgjësonte veten tonë.
Meqenëse ne jemi të vetëdijshëm për këtë mundësi gjithmonë të pranishme, jetët e njerëzve që jetojnë në këtë “mënyrë të pasuri” do të jenë gjithnjë në ankth, nën hijen e frikës ekzistenciale jo vetëm humbjes së një grumbulli gjërash, por të vetë identitetit të tyre. Pra i asaj që i përcakton ata si qenie njerëzore por që i jep vlerë jetës së tyre.
Të jetosh siç je
Por ka pasur gjithmonë njerëz që e kanë jetuar jetën e tyre si shembuj tipik se si mund të jesh i lumtur pa pasur, pa i privuar të tjerët nga përdorimi i pronës së tyre “private”. Filozofi i lashtë grek Diogjeni jetonte në një qyp të madh prej qeramike në tregun e madh të Athinës, duke refuzuar që të transferohej në një shtëpi normale.
Një ditë, teksa po merrte rreze dielli para qypit të tij, Aleksandri i Madh (student i Aristotelit) shkoi që të takonte njeriun e famshëm. Aleksandri, i zilepsur nga jeta e shkujdesur e Diogjenit, e pyeti atë se çfarë mund të bënte për të. Në atë moment Aleksandri ishte një nga njerëzit më të pushtetshëm, ndoshta ekuivalenti i presidentit të SHBA-së sot.
Pa e ngritur kokën për ta parë, Diogjeni iu përgjigj me zë të ulët mbretit të famshëm: “Lëviz pak anash, se po bllokon rrezet e diellit!”. Ka edhe shumë shembuj modernë të njerëzve që në një moment e kanë kuptuar se jeta e tyre brenda shoqërisë sonë kapitaliste nuk çon askund dhe që u larguan për të gjetur lumturinë në ndjekje të tjera, larg luftës së pafundme për të mirat materiale.
Njëri prej tyre është Brendon Grimshou, ish-gazetar dhe sipërmarrës, që braktisi jetën dhe punën e tij komode dhe u transferua në ishullin e vogël Mojen në Sejshell për të kaluar pjesën tjetër të jetës duke mbjellë pemë dhe duke rikrijuar xhunglën origjinale në atë ishull.
Thelbi i argumentit të From kundër mënyrës kapitaliste të jetesës, nuk është se ne të gjithë duhet të dalim të jetojmë rrugëve duke pasur me vete vetëm një çante shpine. Përkundrazi, duhet ta shikojmë jetën tonë të përditshme në një mënyrë më kritike, duke u përpjekur të shohim se ku nevoja jonë për të zotëruar gjëra bëhet shkatërruese për mirëqenien dhe shëndetin tonë mendor.
“Idetë dhe besimet mund të bëhen një pronë, ashtu si edhe zakonet. Për shembull, kushdo që ha të njëjtin mëngjes, në të njëjtën kohë çdo mëngjes, mund të shqetësohet edhe nga një ndryshim i lehtë në atë rutinë, sepse zakoni i tij është kthyer në një pronë, humbja e së cilës rrezikon sigurinë e tij”.(Të kesh ose të jesh).
Prandaj duhet të shfrytëzojmë rastin që duke nisur nga fundjava e ardhshme të distancohemi sadopak nga orientimi ynë material në jetën tonë. Le të përpiqemi të zbulojmë gëzimin e jetës, siç na kanë treguar njerëz të çuditshëm dhe ndoshta të mençur, nga Diogjeni dhe Epikuri dhe From: le të përpiqemi të jetojmë një fundjavë pa shpenzuar para.
Si të jetosh një jetë aristoteliane
Teoria e Aristotelit mbi lumturinë mbështetet në tre koncepte: virtytet; phronesis ose urtësia praktike; dhe eudaimonia ose lulëzimi. Nëse keni nevojë të kujdeseni për një familje, bëni pazaret që të premten në mbrëmje, në mënyrë që të mos keni nevojë të prekni paratë të shtunën dhe të dielën.
Nuk po ju thotë njeri të vdisni nga uria, dhe nëse keni nevojë të hani diçka të fituar nga puna vazhdoni. Por është një sport interesant, të mendosh se si mundet të mbijetosh në botën tonë të sotme për një fundjavë pa konsumuar gjë. A mund ta zëvendësoni një vizitë në një kafene ose në një vend tjetër argëtimi me një shëtitje në natyrë? / “Daily Philosophy” – Bota.al