BotaMAIN

Perëndimi dhe iluzionet e rrezikshme

Beppe Severgnini

Një ditë dëgjojnë zhurma të çuditshme që vijnë nga dhoma ngjitur – vendosin t’i injorojnë. Në fund të fundit, mund të bëjnë edhe pa atë dhomë. Por zhurmat shtohen, lëvizin edhe në një dhomë tjetër. Pastaj në një tjetër akoma. Në fund, vëllezërit braktisin shtëpinë, të terrorizuar, pa e kuptuar se çfarë ka ndodhur.

Tregimi Casa tomada (Shtëpia e pushtuar) është shkruar në vitin 1946 dhe u botua në një revistë letrare të drejtuar nga Jorge Luis Borges. Autori, Julio Cortázar, ndoshta e shkroi si një reagim ndaj peronizmit, i cili e kishte lënë pa katedër. Por mësimi është i vlefshëm për të gjithë, edhe sot. Nga dembelizmi ose nga plogështia, shpesh zgjedhim të injorojmë sinjalet e përsëritura të alarmit. E dimë që po ndodh diçka e rëndë, por bëjmë sikur nuk shohim asgjë. Tërhiqemi në atë që na duket një hapësirë e sigurt. Derisa, papritur, ajo pushon së qeni e tillë.

Donald Trump, brenda më pak se një muaji, na ka bërë të kuptojmë se çfarë ka në mendje: të shkundë botën dhe të shohë se çfarë ndodh. Përjashtimi i Evropës nga negociatat për Ukrainën është një fyerje ndaj NATO-s. Shpërblimi i agresionit të Putinit do të thotë t’i japë Rusisë rolin e fuqisë dominuese në kontinent. Shkuarja në Mynih dhe tallja me liritë evropiane, siç bëri zëvendëspresidenti J.D. Vance, është fyese. Propozoimi për zbrazjen e Gazës për ta kthyer në një resort amerikan me pesë yje është, thjesht, çmenduri.

Perëndimi është shtëpia jonë e përbashkët, dhe Donald Trump po e pushton atë. Por të gjithë – dikush më shumë, dikush më pak – hezitojmë ta pranojmë këtë. Mendojmë se banojmë në një dhomë të largët dhe të sigurt, të mbrojtur nga ligjet dhe traditat; jemi të bindur se askush nuk do të përpiqet ta thyejë derën. Jemi të sigurt për këtë?

Iluzioni nuk është vetëm evropian. Është, para së gjithash, amerikan. Në SHBA po ndodhin gjëra të rënda: falja e sulmuesve të Kongresit, emërimi i një teoricieni konspirativ kundër vaksinave në krye të shëndetësisë, shkrirja e agjencisë që merret me ndihmat ndërkombëtare, shkarkimi brutal i nëpunësve civilë (njerëz me familje, jo robotë). Mediat e mëdha – me New York Times në krye – denoncojnë, kritikojnë, protestojnë: por nuk japin përshtypjen se e kuptojnë përmasën e ngjarjeve dhe seriozitetin e momentit. Të njëjtën gjë bëjnë shumë qytetarë me prirje demokratike, sidomos ata që jetojnë në dy brigjet: ata mendojnë se janë të sigurt. Po, por deri kur?

Edhe në Itali jemi dëshmitarë të një spektakli të ngjashëm. Lidhja jonë me SHBA-në nuk është vetëm historike, ushtarake, diplomatike, ekonomike, shkencore, kulturore. Është një lidhje e fortë psikologjike. Për disa është admirim, madje varësi. Për të tjerë habi, e përzier me mosbesim. Por të gjithë jemi të lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e kemi të vështirë të pranojmë se ato janë në rrezik.

Lexohen budallallëqe kolosale, dëgjohen naivitete të pabesueshme. “Donald Trump është i zgjedhur!”, thërrasin shumë. Harrojnë se demokracia nuk do të thotë diktaturë e shumicës. Fitorja në zgjedhje nuk të autorizon të injorosh ligjin kombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare; të ndëshkosh gjyqtarët ose gazetarët; të shpërfillësh shkencën. Të shtunën, në rrjetet sociale, Donald Trump shkroi: “He who saves his Country does not violate any Law” (Ai që shpëton vendin e tij nuk shkel asnjë ligj). Është një deklaratë e rrezikshme. Por shumë nuk e kuptojnë.

A keni frikë nga Donald Trump? Pak vetë në Itali do t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Pothuajse të gjithë do të mbështeten në atë që, në anglisht, quhet wishful thinking: do të ngatërrojnë gjykimet me dëshirat. Do të thonë se, në fund të fundit, Trump është një negociator i zgjuar, dhe kush e di se çfarë ka në mendje (për Ukrainën, për Rusinë, për Gazën). Se nuk do të përdorë forcën për të marrë Panamanë ose Groenlandën. Se do ta respektojë Kanadanë. Se nuk do të largohet nga NATO-ja. Se oligarkët e teknologjisë, në fund, do ta kthejnë në rrugën e arsyes. A jemi të sigurt?

Të gjithë i dëgjojmë kërcitjet e çuditshme brenda shtëpisë sonë të përbashkët. Por kemi frikë të hapim derën dhe të shohim se çfarë po ndodh. Qëndrojmë në dhomat tona, duke u mashtruar se jemi të sigurt. Deri kur?

Back to top button