Nick Paton Walsh
Të thuash që ‘nuk ka fjalë’ të përshkruash tmerrin është irrituese, por tani të mos thuash asgjë është bërë mënyra e re e të shprehurit rreth luftës më tmerruese të botës.
Është kryesisht puna e Kombeve të Bashkuara të gjejnë fjalët – të artikulojnë mizorinë që po lëshohet përsëri mbi popullin e Sirisë. Në vend të saj, zyrtarët e saj lëshojnë një deklaratë që thotë: “Nuk ka fjalë që mund të përdoret për të përshkruar fëmijët e vrarë, nënat e tyre, baballarët e tyre dhe të dashurit e tyre”, pas një dite tjetër brutale në Ghouta.
Nuk është se masakra i shpëton kufijve të gjuhës së folur, por deklarata “nuk ka fjalë” aludon dy gjëra që janë shumë më të tmerrshme:
E para: pas 7 vitesh që dënon dhunën me “termat më të fortë të mundshëm”, OKB-ja – negociatori kryesor dhe furnizuesi i ndihmave – ka arritur në përfundimin që të mos thuash asgjë është mënyra e vetme me të cilën mund të tërheqë vëmendjen.
E dyta: OKB-ja në mënyrë efektive e pranon se nuk ka më rol në Siri.
Vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurisë së OKB-së pengon çdo rezolutë kuptimplotë – e cila shpesh hidhet poshtë nga regjimi i Assadit që përsëri akuzohet për përdorimin e gazit sarin, pavarësisht një rezolute që kërkon dorëzimin e të gjitha armëve kimike.
Aty ku paqebërësit dhe diplomatët duhet të kenë një mekanizëm për ulje përshkallëzimi dhe mëshirë, tani ekziston një hapësirë boshe e qëllimshme.
Departamenti Amerikan i Shtetit vetëm pak javë më parë artikuloi një strategji me shumë pika për Sirinë kaq të gjërë dhe gjithë-përfshirëse që në thelb angazhonte SHBA-në për një prezencë pak a shumë të përhershme në vend- si dhe largimin e Assadit.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit këmbëngul se administrata është “e angazhuar plotësisht” kur bëhet fjalë për situatën në provincën e Ghoutës, por megjithatë, kur pyetet se çfarë po bëjnë ekzaktësisht Shtetet e Bashkuara, ajo përgjigjet në një sallë të mbushur me gazetarë: “Nuk e di se çfarë prisni që ne të bëjmë.”
Në vetvete kjo është një deklaratë shumë e çuditshme, që presupozon se nevoja për një përgjigje të thjeshtë dhe të qartë për Ghoutën është një lloj fantazie e egër mediatike. Megjithatë është gjithashtu një përgjigje shumë e sinqertë. Çfarë mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të bëjnë në të vërtetë?
Madje edhe kur kancelarja Angela Merkel thotë që Gjermania ”duhet të bëjë çdo gjë që mundet që t’i japë fund masakrës”, më pas ajo propozon t’i bëjë thirrje një prej bashkë-sponsërve të saj, Rusisë.
E vërteta e këtyre deklaratave është se ato e pranojnë realitetin. Nëse Perëndimi nuk është i përgatitur të rrëzojë avionët e mbështetur nga Rusia nga qielli mbi Ghoutën për të vendosur një zonë ku ndalohet fluturimi, atëhere i ka duart e lidhura.
Kjo nuk është një seri e re taktikash nga regjimi sirian dhe Rusia: më parë ata kanë biseduar rreth një armëpushimi, para bombardimit, rrethimit dhe zbatimit të objektivave të tyre ushtarake – duke kërkuar përfundimisht që të gjithë banorët të largohen nga një territor i rrethuar. Kjo është ajo që bëjnë ata. Dhe atrofia e pafuqishme dhe konfuze është se çfarë po bën bota e jashtme në përgjigje të kësaj situate.
Kjo lloj masakre nuk u regjistrua sa duhet kur filloi në vitin 2012, as në 2013 kur barbarizmi u bë aq i egër saqë sirianët e dëshpëruar lejuan organizatën terroriste të Al Qaedës të dominonte disa zona dhe një grup të quajtur ISIS të marshonte në qytetin sirian Raqqa.
Në Homs, Hama, në lindje të Aleppos, madje edhe me përdorimin e gazit sarin në Ghouta në 2013 dhe Khan Sheikhoun në 2017, krimet nuk janë kurrë të mjaftueshme që të marrin një përgjigje serioze dhe të përkushtuar nga Perëndimi. Deri tani, Assadi ka humbur një aeroport dhe transaksionet bankare ndërkombëtare i duken të ndërlikuara. Asgjë tjetër.
Është shqetësuese të arrihet në përfundimin se diskutimi i përsëritur “kurrë më” dhe indiferenca perëndimore fsheh çështjen e vërtetë në rrezik në këtë rast. Ne thjesht nuk na intereson. Bota perëndimore do të veprojë vetëm nëse kryqëzata e Sirisë gjeneron një tmerr kaq ekstrem saqë militantët të kërcënojnë qytetet tona. Iluzioni që turpi dhe zemërimi ynë mund të ngadalësojë masakrën po i jep popullit të Ghoutës shpresa false.
Përpjekjet e Perëndimit ndoshta mund të vijnë në ndihmë për pasojat. Ne nuk jemi të aftë të bëjmë asgjë. Por ndërkohë ku mund t’i dërgojmë lulet? /Analizë e botuar në CNN/Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola/