Ata janë aty në momente dhe negociata kyçe, përpiqen që të dëgjojnë çdo shkëmbim fjalësh dhe çdo ndryshim humori. Shpesh herë të harruar, përkthyesit janë dëshmitarë të mrekullueshëm të historisë
Rrëfimi i një mjeshtri të profesionit: Njeriu që ka punuar në oborrin e Stalinit, që ka qenë i pranishëm në takimet e Jaltës me Churchillin dhe Rooseveltin, dhe një ndër të parët që hyri në bunkerin e Hitlerit. “Si u vendos ndarja e kufijve. Dhe si e përdornin rusët vodkën e fortë, në pritje me diplomatë”
Chris Bowlby
Pak përkthyes kanë qenë dëshmitarë të momenteve të mrekullueshëm sa Hugh Lunghi, një përkthyes britanik rusishtfolës me banim në Moskë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ai mori pjesë në takime kyçë mes Churchillit, Stalinit dhe Rooseveltit dhe të tjerëve, si dhe ishte një prej të parëve perëndimorë që hyri në rrënojat e bunkerit të Hitlerit në Berlin në vitin 1945.
“Hyje në Kanceleri dhe mu në fund ishte një pirg i madh me gurë”, kujton ai. “Po të afroheshe, mund të shihje se ishte një tryezë, që ishte thyer e bërë copë” – një shkatërrim simbolik përfundimtar i pushtetit të Fyhrerit, i cili dikur drejtonte shtetin prej aty.
Lunghi ishte një ushtar i ri britanik që kish mësuar rusisht nga e ëma, një emigrangte ruse, pas revolucionit të vitit 1917. Ai ishte caktuar në Komisionin Ushtarak Sovjetiko-Britanik, që ish ngritur për të forcuar lidhjet mes aleatëve në kohë lufte. Mbresat e tij për BRSS ishin ndikuar nga propaganda e luftës në Britani, që fliste për rusë guximtarë që udhëhiqeshin nga “Xhaxha Xhoi”, që u bënin ballë nazistëve, si dhe imazhet që kish parë në Moskë, ku udhëheqësi sovjetik paraqitej si “heroik, i gjatë, shpatullgjerë”.
Kujtimet që ai ka për Stalinin dhe sundimin e tij në Moskë e bëjnë Lunghin, tani në të tetëdhjetat një vëzhgues unik. Ai kujton shumë mirë atmosferën që rrethonte vizitat që bënte me zyrtarë të lartë britanikë tek udhëheqësi sovjetik në Kremlin. Fillimisht, mbërrije në njërën anë të kompleksit: “Duhej të vazhdoje të ecje me makinë, i shoqëruar nga policia e fshehtë NKVD”. “Më pas duhej të ecje përgjatë korridorëve të gjatë e të heshtur, ku binte erë lakra dhe duhan rus”. Dhe më në fund, mbërritja jashtë dhomave të Stalinit, të ruajtura nga ndihmësi i tij personal, Aleksandër Poskrebishev, i cili përzgjidhte dhe vendoste se kush duhej dhe kush nuk duhej ta takonte Stalinin. Poskrebishev ishte bërë i njohur gjatë spastrimeve, atëherë kur kundërshtarët politikë vriteshin ose burgoseshin. Lunghi mësoi se ky njeri, që qëndronte përpara derës së Stalinit ishte “një vrasës i cili kishte nisur shumë njerëz për t’u likuiduar”.
I thirrur në zyrën e udhëheqësit në vizitën e tij të parë, Lunghi kujton befasinë pas shfaqjes së Stalinit: “ashtu si një xhaxha i moshuar dhe i imët – fytyrë me shenja, dhëmbë shumë të krimbur – dhe që kurrë nuk të shihte në sy. Ja tek ishte ky individ modest. Dhe në atë kohë ne nuk e kishim idenë që ky ishte një prej vrasësve më të mëdhenj të hsitorisë”.
Përmes punës së tij si një prej përkthyesve britanikë që jetonin në Moskë, Lunghi shihte nga afër zhvillimin e marrëdhënieve anglo-sovjetike – ashtu sikurse dhe marrëdhënien personale mes Churchillit dhe Stalinit. Ai kish dëgjuar se si Stalini fillimisht e kish kënaqur Churchillin teksa i shfaqte dijet e tij për paraardhësin e tij të njohur, Dukën e Marlborough. Churchilli, nga ana e tij, një herë ka thënë që “unë mendoj se Stalini është më humani nga të gjithë”. Kur u takuan për negociata, Lunghi vërejti stilet rivalë të të dy personave. Oratoria e Churchillit (“Më parë ne thoshim se mund të ndienim fjalët që formoheshin në trurin e tij dhe më pas poshtë deri tek goja”) binte ndesh me atë të Stalinit – “çuditërisht shum logjik, gjithmonë në temë dhe shumë i mirëinformuar”.
Ndërkohë që Stalini shfaqte miratimin e tij për, le të themi, premtimet e Churchillit për bombardim të Gjermanisë “ai herë pas here irritohej me Churchillin, pasi ai shkonte shumë larg!”
Lunghi ka qenë i pranishëm në konferencat e famshme mes Stalinit, Churchillit dhe Roseveltit, si dhe ministrat e tyre kryesorë. Si një përkthyes i ri ai gjendej shpesh nën një trysni të paprecedentë dhe të papritur. Në Teheran në vitin 1943, ai ishte duke përkthyer për Sekretarin e Jashtëm Britanik, Anthony Eden gjatë një darke me diskutime plot tension me homologun e tij sovjetik, Vyacheslav Molotov, në lidhje me të ardhmen e Turqisë dhe bazave sovjetike aty pranë. Eden, krejt papritur u kthye nga ai dhe i tha: “A je duke e mbajtu shënim këtë? Nuk e dija që duhej të mbaja minutat e takimit. Nisa të shkruaj mbi shaminë time”.
Në takime si ki përvijoheshin kufijtë e fuqive të pasluftës. Në Jaltë, Lunghi pa përgatitjet e kujdesshme të rusëve për organizimin e takimit, që nga pjatat e pirunjtë, kamerierët – gjithçka nën mbikëqyrjen e policisë së fshehtë – dhe deri tek ushqimet më të kushtueshëm që u sollçn nga Moska.
“Ishte tamam si monarkë të mesjetës që ndërronin pallatin”. Ai e kish kuptuar ndjesinë triumfaliste të Salinit në atë konferencë. “Ai ishte në majë të botës. Ushtritë e tij kishin dëbuar nazstët nga Bashkimi Sovjetik, dhe Ushtria e Kuqe kish nisur tashmë pushtimin e atyre që do të ishin shumë vende satelite të BS në Europën Lindore”.
Ishte pikërisht në darka të tilla diplomatike ku Lunghi kuptonte gjithashtu fuqinë e pijes së fortë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim. Dolli të pafundme me vodka ishin më se të zakonshme, kur bëhej punë me rusët. Dollia e Churchillit me vodka për “Stalinin e madh” e acaronte ndonjëherë Lunghin, por diplomatëve u ishte thënë që për të treguar respekt duhej që ta pinin gotën e vodkës me një frymë dhe me entuziasëm. Megjithatë, kur sovjetikët propozuan një varg me dolli të njëpasnjëshme, rezultati mund të kish qenë shumë i sikletshëm. “Diplomatë të lartë, duke përfshirë edhe një ambasador në një rast, ranë mbi tavolinë”, kujton Lunghi.
Stalini kishte një mënyrë shumë të mprehtë të eksplorimit të këtyre situatave. “Dikush kishte provuar pijen speciale të Stalinit dhe kish parë që aty kishte ujë”, thotë Lunghi. Ndërkohë që të huajt rrëzoheshin dhe hapeshin shumë në muhabete, ai pinte i qetë ujë për të qëndruar esëll, ndërkohë që të tjerët humbisnin kontrollin.
Teksa lufta i afrohej fundit në vitin 1945, Lunghi mësoi se si fati i Dresdenit u vulos në negociatat se cilët shënjestra duhej të goditeshin në Gjermani. Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë diskutuan se si rezistenca e fortë gjermane kishte ndalur sovjetikët në Silezi, kështu që britanikët propozuan që “duhej të bombardoheshin ato pika ku gjermanët dhe divizionet e tyre merrnin trenat për të shkuar në Lindje”. Dresdeni ishte një prej pikave të renditura. “Si Antonovi (një oficer i lartë sovjetik) dhe Stalini, me sa mbaj mend, thanë po, është një nyjë e rëndësishme hekurudhore. Churchilli dhe Roosevelti pohuan me kokë”.
Underground
Pak muaj më vonë lufta kishte marrë fund dhe Lunghi mbërriti në Berlin përpara të tjerëve për negociatat e Potsdamit. Ishte pikërisht në atë kohë që ai u ftua prej mikpritësve sovjetikë që të vizitonte atë që kish mbetur nga kanceleria e Hitlerit, atë që dikur kish qenë qendra e pushtetit të tij dhe që më parë ish mbajtur shumë e fshehtë nga personeli perëndimor.
Lunghit i thanë se ishte i pari vizitor sovjetik që lejohej të hynte brenda. Ai zbriti në bunkerin e Hitlerit, aty ku lideri nazist kish kaluar ditët e fundit, teksa afroheshin trupat sovjetike. “Mbante shumë erë, ishte shumë lagësht. Erdha një herë rrotull dhe mora nga libraria e Hitlerit dhe tërhoqa një vëllim të enciklopedisë Brockhaus, e cila sigurisht që ishte përdorur”. Sovjetikët e lejuan që ta mbante atë vëllim, ashtu sikurse dhe një telegram nga një kuzhinier i acaruar, i cili pyeste nëse do të duhej të kishte peshk në menunë e Hitlerit në fund të të cilit ishte shkruajtur “Heil Hitler!”
Marrëdhënie të ngrira
Lartë, sovjetikët nuk donin ta lejonin që t’i tregonin vendin në kopështin e kancelerisë, ku trupat e Hiterit dhe Eva Braunit ishin djegur nga besnikët e tyre pasi këta ishin kryer vetëvrasje, në 30 prill 1945. Sovjetikët donin gjithmonë që të mbanin nën kontroll informacionin mbi atë çfarë kish ndodhur me Fyhrerin dhe çdo lloj prove e dërgonin menjëherë në Moskë.
Përreth, në rrënojat e kancelerisë, Lunghi gjeti “një sallë të madhe të mbushur me ato që në fillim mu dukën si gjethe vjeshte. Ishin si zarfa të vegjël ngjyrë kafe që mbanin kryqe të hekurt dhe dekorata të tjera, që ishin rrëzuar përtokë”. Kasafortat e boshatisura në mure kishin patur më parë dekorata me diamantë, por këto ishin marrë prej sovjetikëve.
Pikërisht në negociatat e Potsdamit Lunghi ndjeu ngrirjen e parë e asaj që do të bëhej Ngrica e Luftës së Ftohtë, teksa fuqitë perëndimore nisën të debatojnë me liderët sovjetikë. “Të gjithë takimet ishin jo të këndshëm”, kujton ai. Duke punuar me ambasadën britanike në Moskë ai vërejti se si lidershipi sovjetik e ashpërsonte qëndrimin e vet. Lunghi kujton një rast kur Marshalli Montgomery shkoi tek Stalini, dhe me vete kish marrë një kuti me uiski. “Montgomery, në një mënyrë disi të çuditshme, i tha: të kam sjellë një dhuratë”. Dhe Stalini, pa e parë fare në sy, iu përgjigj: “Ah, vërtetë? Dhe çfarë do?”
Në fund, Lunghi ishte më se i kënaqur që u largohej vështirësive të jetës në Moskën e Luftës së Ftohtë, teksa kufizimet ndaj të huajve sa vinte e shtrëngoheshin dhe paranoja politike sa vinte e rritej. Por ai ende kujton me saktësi ngjarjet dhe personalitetet që pa në ata vende. Përkthyesit, na kujton ai, mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në momente kritikë.
“Ashtu si një instrument në një orkestër, të krijohet përshtypja sikur je kompozitor, pa qenë. Përpiqesh të hysh në mendjen e kompozitorit”. Dhe mendjet e Churchillit, Stalinit, Montgomeryt dhe të tjerëve në ato kohëra shumë të rëndësishme për fatet e globit vazhdojnë të jenë objekt magjepsjeje për shumëkënd.
Pershtati: BOTA.AL