Analiza

Përse e kemi të rëndësishëm dialogun me të kaluarën

Nikos Kostandaras

Ky është një dialog, një sintezë idesh, që ne mund ta kemi vetëm kur e kaluara mbijeton. Nëse Partenoni do të ishte shembur, nëse veprat e mendimtarëve grekë do të kishin humbur, nëse vetë mendimet e Freudit nuk do të ishin shkruajtur, ose nëse librat e tij do të ishin asgjësuar në vorbullën e madhe naziste që shkatërroi kaq shumë njerëz dhe ide, si do të ishte bota jonë sot?

akropoliNë fillim të shtatorit 1904, Sigmund Freudi vizitoi Athinën me vëllanë e tij më të vogël dhe shkoi në Akropol, për të parë rrënojat e tempujve dhe skulpturat. Të dy ishin aty pothuajse rastësisht, për shkak të këmbënguljes së një të njohuri që kishin vizituar në Trieste.
“Një ndjenjë habie u përzie me gëzimin”, kujtonte më vonë Freudi. Më pas, një mendim i çuditshëm i përshkoi mendjen, diçka që do ta intrigonte përgjatë gjithë pjesës tjetër të jetës. “Kur më në fund, pasditen e mbërritjes sonë, qëndrova në Akropol dhe hodha sytë rreth e rrotull për të parë panoramën, një mendim befasues më shndriti krejt papritur në mendje: ‘Pra, gjithë kjo ekzistoka vërtetë, ashtu si e kemi mësuar në shkollë’,” shkruante Freudi 32 vjet më vonë në një prej veprave të tij të fundit: “Një trazim i kujtesës në Akropol”.
Freudi ishte 48 vjeç kur vizitoi Athinën, dhe tashmë i kishte hedhur themelet e psikanalizës me “Interpretimin e Endrrave”, që propozonte se një pjesë e pandërgjegjshme e qenies sonë ka një efekt vendimtar mbi mendimet dhe veprimet tona. Në përpjekjen e tij të pafund për të analizuar vetveten dhe për të nxjerrë konkluzione  për të gjithë ne të tjerët, Freudi u intrigua prej mënyrës se si një pjesë e tija mund të kishte dyshuar që Akropoli kishte ekzistuar, ndërkohë që një tjetër pjesë shihte dhe përpiqej të gjende se nga kishte ardhur ky mendim.
Freudi konkludoi se kur ishte në shkollë, nuk e kishte vënë në dyshim ekzistencën e monumentit, por kishte besuar se nuk do ta vizitonte asnjëherë. E gjendur përballë realitetit, mendja e tij u rebelua dhe ai u pushtua prej një “ndjenje jorealiteti”.
Po përse kjo trazirë? Nga çfarë po përpiqej ta mbronte Freudin ndjesia që “ajo që po shoh këtu nuk është reale”? Më në fund e gjeti: “Ndoshta një ndjenjë faji i ishte bashkëngjitur kënaqësisë që kishte shkuar kaq larg”.
Duke qëndruar në këtë vend madhështor të lashtësisë klasike, Freudi ndjeu se ai dhe vëllai i tij kishin kaluar edhe babanë e tyre, një biznesmen që nuk kishte mbaruar universitetin dhe nuk kishte shkuar askund përtej Europës Qendrore: “Dukej sikur thelbi i suksesit ishte që të shkoje më tutje se babai, dhe sikur të shkëlqeje më shumë se babai ishte diçka e ndaluar”.
Akropoli është ende aty, një “dokument” i aspiratave të qytetit të tij; i mbijetuari krenar i luftës, plaçkitjeve dhe kohës, plagët e tij janë historia e tij. I ndërtuar mbi hirin e tempujve të mëhershëm të shkatërruar nga forcat perse në vitin 480 p.e.s., monumentet e Akropolit shpallën triumfin përfundimtar të Athinës ndaj pushtuesve dhe lidershipit të saj mbi qytet-shtetet greke.
Partenoni, i kushtuar Perëndeshës Athina, qëndron në këmbë mbi një det vizitorësh nën një qiell të pafund, shumë më i madh nga sa duket prej së largu. Me kalimin e shekujve, Partenoni ka qenë kishë, xhami dhe depo municionesh – e cila shpërtheu pasi mori një goditje në vitin 1687 nga një mortajë e forcave veneciane që rrethuan pushtuesit otomanë të Athinës.
Akropoli erdhi e u bë simbol i qytetërimit perëndimor, si vetë arkitektura e sistemit politik demokratik që vazhdon të formësojë botën tonë. Pa Akropolin dhe skulpturat e tij, është e debatueshme, për shembull, nëse lufta e Greqisë për çlirim nga turqit otomanë, e cila nisi në vitin 1821, do të kishte mbështetjen që ofruan europianët dhe amerikanët.
Ishte thjeshtë e natyrshme që Akropoli frymëzoi një farë analize të vetvetes tek Freudi.
I gjithë kuadri i referencës së tij, ashtu si historia e Edipit, ishte Greqia e lashtë dhe legjendat e saj, prototipet dhe tragjeditë. Ashtu si i pëlqente dhe vetë të thoshte, Freudi gërmoi si një arkeolog përmes shtresave të ndërgjegjes, në kërkim të sekreteve të mendjes; ai ndryshoi mënyrën si ne e shohim vetveten. I gjendur ballë për ballë me provat e mermerta të botës së lashtë, ai ktheu sytë nga vetvetja.
Ky është një dialog, një sintezë idesh, që ne mund ta kemi vetëm kur e kaluara mbijeton. Nëse Partenoni do të ishte shembur, nëse veprat e mendimtarëve grekë do të kishin humbur, nëse vetë mendimet e Freudit nuk do të ishin shkruajtur, ose nëse librat e tij do të ishin asgjësuar në vorbullën e madhe naziste që shkatërroi kaq shumë njerëz dhe ide, si do të ishte bota jonë sot?
Një përgjigje mund ta gjejmë në Siri dhe në Irak. Mesopotamia, një djep i qytetërimit perëndimor – ku u zhvillua bujqësia, ku u ndërtuan qytetet e parë dhe ku u shpik rrota, ku nisi letërsia dhe ku ligjet skaliteshin në gur – po shkatërrohet sot nga psikopatë me blinda, shpata dhe zell gjenocidist. Duke jetuar në të tashmen e përjetshme me rrënjë në të kaluarën e imagjinuar, militantët janë të fiksuar që të shkatërrojnë gjithçka që nuk është si ata.
Brenda pak ditësh, luftëtarët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, ose ISIS çrrënjosën një prej komuniteteve të krishterë më të vjetër të botës si dhe ndjekësit e besimit Jezid, edhe më të lashtë. Ata shkatërrojnë sistematikisht monumente të lashtë dhe vendet e shenjtë të besimeve dhe sekteve të tjerë – siç bënin talebanët në Afganistan.
Brutaliteti i ISIS-it sfidon jo vetëm qytetërimin perëndimor, por edhe vetë Islamin. Ky është iluzioni masiv i njerëzve që nuk kanë një kuadër referimi përveç vetëjustifikimit dhe vetëdrejtësisë së tyre. Ata nuk mund të qëndrojnë përballë thesareve të të kaluarës dhe të matin vetveten. Pavarësisht gjithë devotshmërisë së tyre hiperbolike, egërsia e tyre i paraprin fesë dhe qytetërimit.
Pikërisht këtu të gjithë ne përjetojnë një “trazirë të kujtesës”. Në epokën tonë të udhëtimit dhe tregtisë globale, ku teknologjia dhe media sociale na përfshijnë të gjithë në të njëjtin lak narrativ, është pothuajse e pamundur të pajtosh progresin e botës në dekadat e fundit me urrejtjen e Shtetit Islamik. “Nuk mund të jetë e vërtetë”, i themi vetes. “Gjërat nuk duhet të jenë kështu”.
Në Europë, ne nuk mund të pajtojmë dekadat e fundit të qetësisë me miliona varret e dy luftërave botërore gjatë 100 viteve të fundit, as edhe me një avion pasagjerësh që goditet në qiell. Ushtritë e të papunëve nuk mund të puqen me pritshmëritë tona për begati edhe më të madhe.
Trazira e madhe e kohës sonë tregon se sa të brishtë janë monumentet, librat, mendimet dhe parimet tanë. Gjithësesi, ata ekzistojnë – dhe ata janë udhërrëfyesi dhe mburoja jonë. Por nëse simbolet tanë humbasin, ne nuk do të jemi më mirë se ushtritë e injorantëve me kamionë nëpër pluhurin e pafund, atje ku kanalet, të tharë e të harruar, dikur e bënin shkretëtirën të lulëzonte. ?NYT/
* Drejtor dhe editorialist i të përditshmes greke Kathimerini
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button