Ekonomi

Përse Eurozona ka marrë sërish udhën drejt katastrofës

Screen Shot 2016-04-09 at 3.48.19 PMPër pak muaj në vitin 2015, gazetarë dhe komentatorë i kushtuan shumë vëmendje politikës së eurozonës.

Dukej sikur Greqia më në fund do të detyronte elitat europiane që të ndreqnin disa prej defekteve të zonës së monedhës së përbashkët. Partia e majtë Syriza, e udhëhequr nga Kryeministri Alexis Tsipras dhe Ministri i Financave, Varoufakis, përbënë një sfidë ndaj të mëdhenjve të eurozonës të dominuar nga Gjermania. Me situatën ekonomike në Greqi, më keq se sa Depresioni i Madh – dukshëm rezultat i masave shtrënguese të imponuara – dhe me pjesën më të madhe të eurozonës që kishte një ecuri vetëm pakëz më të mirë, ata kërkuan t’i jepej fund programit të kursimit dhe të ndodhte rikthimi tek rritja ekonomike dhe begatia e përbashkët.

Shpresat e internacionalistëve kudo në botë u hodhën në erë.

Elitat, kryesisht përmes Bankës Qendrore Europiane që i mbajti “armën tek koka” sistemit bankar grek, e detyruan Syrizan të kapitullojë dhe të heqë dorë nga programi i reformave, edhe pasi fituan një referendum popullor. Varoufakisi dha dorëheqjen, Tsiprasi u duk i kënaqur që të shërbente si administrator lokal, për një perandori ekonomike të menaxhuar nga teknokratët e eurozonës, dhe politika ra në ujdi.

Megjithatë, qetësimi është vetëm i përkohshëm. Forca politike e kundër-masave shtrënguese është ende aty, në pritje për t’u marrë prej një lëvizjeje politike të guximshme. Nëse teknokratët janë me fat, do të jetë një qeveri e majtë më e mirëpërgatitur. Nëse nuk janë, do të jenë fashistët.

Varoufakisi ka dalë sërish me një libër të ri, në përpjekje për të shtruar një rrugë daljeje nga kriza e vazhdueshme, dhe sipas rrëfimit të tij, të mëdhenjtë e eurozonës nuk janë aspak të interesuar për asnjë argument të pavarur. Në vend të kësaj, sipas tij, i gjithë “diskutimi” ishte përqëndruar se si të detyrohej Greqia që të pranonte dominimin e teknokratëve:

“Komunikata të parapërgatitura, votime të parafabrikuara, një koalicion solid ministrash të financave përreth Schäubles, që ishte i papenetrueshëm për debatin racional; ky ishte rendi i ditës dhe më shpesh, i netëve të gjata, shumë të gjata. Në asnjë moment nuk pata ndjesinë që bashkëbiseduesit e mi ishin të interesuar për rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë, ndërkohë që ne diskutonim politikat ekonomike, të cilat duhej të implementoheshin në vendin tim”. [The Guardian].

Eshtë një rrëfim që i shërben atij, por tingëllon i vërtetë. Praktikisht, çdo politikë ekonomike madhore e bërë në eurozonë që nga viti 2010 është konsideruar e marrë sipas standarteve akademike, dhe më pas katastrofat kanë ardhur pikërisht ashtu si parashikohej. Nëse ndokush do të donte një shembull të menaxhimit nga një grusht të paaftësh irracionalë, të cilët janë imunë ndaj argumentit racional, eurokratët vështirë se do të kishin bërë një punë më të mirë.

Për më tepër, eurozona është përmirësuar shumë pak që kur Syriza u dorëzua në vitin 2015. Rritja e GDP-së së eurozonës u rrit vetëm me 0.6% që nga fillimi 2015, dhe që atëherë ka rënë sërish në 0.3%. Papunësia në Greqi është ende mbi 24%. Në Spanjë është pothuaj 21%. Në Portugali është mbi 12%. Në Itali është afro 12%.

Dhe në ndërkohë, kriza e refugjatëve sirianë ka shtuar një tjetër emergjencë ulëritëse për një sistem edhe kështu të lëkundur. Ndonëse për të qenë të drejtë, kjo krizë është përballuar në mënyrë shumë më të barabartë se sa ajo ekonomike. Prapëseprapë, disa prej vendeve më në vështirësi e kanë pësuar më keq.

Kështu vendet që vuajnë një Depresion të Madh të dytë, i imponuar nga jashtë për shkak të politikës së kalbur dhe injorancës kokëboshe, tashmë u duhet të përballen me qindra-mijëra refugjatë të huaj. Tradicionalisht, pikërisht kështu zhvillohet një rast i rëndë i ekstremizmit të djathtë.

Edhe bërthama e ekonomisë së eurozonës, Gjermania, tani po duket shumë e lëkundur. Bota në zhvillim ka shkuar nëpër një rrugë të vështirë ekonomikisht, dhe kështu ata po blejnë shumë më pak eksporte gjermane cilësore – një situatë që mund të vazhdojë pafundësisht, teksa vende si Kina transformohen, nga një model i orientuar tek eksportet, tek një model i bazuar në konsumin. Në fakt, kjo është një gjë që edhe vetë Gjermania mund ta provojë – punëtorët e saj janë ndër më pak të paguarit në Evropë, dhe një farë rritje ekonomike e brendshme dhe shpenzime mund të ndihmojë në uljen e ëprfitimeve elektorale të të djathtës ekstreme gjermane, e cila ka marrë energji prej faktit që më shumë se një milionë refugjatë kanë hyrë në vend gjatë vitit të fundit.

Në çdo rast, e gjithë kjo është për të thënë se çdo strukturë politiko-ekonomike që nuk mund të rregullojë kushtet ekstreme të depresionit, ose do të reformohet, ose me kalimin e kohës, do të pësojë kolaps. Dështimi i përpjekjes së Varoufakisit për të bindur eurokratët thjeshtë ka mbyllur paraprakisht një rrugë të mundshme. Në këtë kuptim, eurokratët duhet të veprpojnë duke ndjekur arsyen, por sinqerisht, nuk ka arsye të presësh këtë gjë. Disa lëvizje të ardhshme, ndoshta në Spanjë apo Greqi, apo ndoshta edhe në Gjermani ose Francë, do ta thyejnë këmishën e forcës të masave shtrënguese, dhe do të përmbysin kontrollin e eurokratëve. Eshtë vetëm çështje kohe dhe vullneti.

The Week – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button