Analiza

Përse harta e botës u duket ndryshe rusëve

Nick Robins
RUSSIA-UKRAINE-POLITICS-CRISIS-HISTORY-WWII-ARMYParalajmërimi i fundit i NATO-s, se Rusia mund të ketë në plan të përdorë “pretekstin e një misioni humanitar apo paqeruajtës” si arsye për të pushtuar Ukrainën duket ogurzi, por frika nuk është aspak e pabazë. Aktualisht ka 20 mijë trupa ruse të grumbulluar në kufirin me Ukraiën, dhe ka një histori shqetësuese të ndërhyrjeve post-sovjetike nga ana e Rusisë në ish territoret e saj.
Që nga viti 1990 ka patur jo më pak se 5 operacione të Rusisë në shtetet fqinjë, ose përmes një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak (në 2008 me Gjeorgjinë), ose përmes marrëveshjeve të armatimit dhe mbështetjes së heshtur për grupe paraushtarakë (si në Ukrainë). Siç argumenton Jeffrey Mankou tek Foreign Affairs, rezultati përfundimtar ka qenë gjithmonë krijimi i rajoneve të pavarur prorusë, të cilët praktikisht nuk i njeh askush, përveç… Rusisë.
Ndërkohë që bota pret për të parë nëse Putini do të nisë vërtetë një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës, ja një histori e shkurtër e rrëmbimeve të territoreve nga Rusia në periudhën post-sovjetike. Këta janë vende që e bëjnë hartën e botës të duket ndryshe për rusët.
1. Oshetia e Jugut
GEORGIA SOUTH OSSETIAHistoria: Oshetia e Jugut, një rajon i diskutuar përgjatë kufirit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, ishte skena e tensionit më të fundit mes Perëndimit dhe Rusisë. Në fillim të 1990, oshetianët luftuan për pavarësi nga Gjeorgjia, dhe për vetëvendosje për rajonin e tyre unik, nga pikëpamja kulturore dhe historike: duke qenë se nuk e arritën pavarësinë, krijuan kushte për tensione të mëtejshëm. Kriza më e fundit erdhi pasi Rusia vendosi të nisë pushtimin e Gjeorgjisë në gusht 2008, gjoja si një mision humanitar për të mbrojtur oshetianët nga agresioni i gjeorgjianëve. Siç shpjegon Charles King tek Foreign Affairs, në fakt kish patur një forcë paqeruajtëse ruse në territorin gjeorgjian që prej viteve 90, pjesërisht për të mbrojtur oshetianët, por edhe për të mbështetur lëvizjen e tyre për shkëputje. Kur qeveria gjeorgjiane reagoi me forcë ndaj sulmeve të separatistëve oshetianë në gusht 2008, Rusia u kundërpërgjigj me një pushtim në shkallë të gjerë.

Rezultati: Inkursioni ishte një katastrofë humanitare dhe diplomatike. Siç shpjegon King, “u vranë qindra vetë, mijëra refugjatë u lanë pa çati mbi krye, dhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA mbërritën pikën më të ulët që prej kohërave të errëta të Luftës së Ftohtë”. E gjendur nën një trysni ndërkombëtare në rritje, Rusia i dha fund operacionit pas pesë ditëve luftë, duke shpallur Oshetinë e jugut një shtet të pavarur.

A e njeh ndokush? Jo. Rusia është një prej të vetmëve shtete që e pranon rajonin si legjitim, ashtu si edhe Venezuela, Nikaragua dhe ishulli-komb i vogël në Paqësor me emrin Nauru.

2. Abkhazia

ruset 2
Historia: Ashtu si dhe Oshetia e Jugut, Abhkazia është një enklavë etnike ku ka patur një prani ushtarake kohëgjatë të Rusisë, pas një lufte civile të dhunshme në Gjeorgji në fillimin e viteve 90, kur populli abhkaz u përpoq të krijojë shtetin e tij. Siç shkruan Kimberly Martin tek Washington Post, forca paqeruajtëse ruse e autorizuar nga OKB nisi të shfaqë “shenja shqetësuese të veprimtarisë ofensive me kalimin e viteve”, duke e përgatitur zonën për konfliktin që do të vinte. Kur dhuna në Oshetinë e Jugut shkaktoi ndërhyrjen e Putinit në 2008, Abkhazia u fut shpejt në luftime, teksa “Rusia e përdori me shpejtësi rajonin për të hapur një tjetër front me Gjeorgjinë”, siç shpejgon BBC.

Rezultati: Abkhazia u shpall shtet i pavarur (bashkë me Oshetinë e Jugut) pas konfliktit ruso-gjeorgjian. Se sa “e pavarur” është Abkhazia kjo është e dyshimtë, pasi Rusia kontrollon kufijtë e saj dhe ka një marrëveshje për të mbajtur trupat atje edhe për 45 vitet e ardhshëm.

A e njeh ndokush? Abkhazia njihet vetëm nga Rusia, Venezuela, Nikaragua – dhe sërish, Nauru.

3. Transnistria
ruset 3Historia: Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, u rritën tensionet mes Moldavisë qendrore, dhe rajonit gjuhësor, në mos tërësisht etnik, rus në Transnistri. Lufta shpërtheu mes qeverisë qendrore dhe Transnistrisë, pasi rajoni u përpoq të shkëputet në 1990.

Rezultati: Qindra vetë vdiqën në konflikt, i cili u zgjidh vetëm në vitin 1992, kur trupat ruse “erdhën dhe mbështetën separatistët”, shpejgon Shaun Turton tek Slate. Pas një armëpushimi, 1500 trupa ruse u vendosën në rajon, aty ku kanë qëndruar që atëherë. Rajoni është në një situatë të tensionuar por të ngrirë, teksa Transnistria vetëshpallet një shtet i pavarur.

A e njeh ndokush? Jo. As edhe Rusia, pavarësisht një referendumi të vitit 2006 ku 96% e rajonit votoi që dëshiron të bëhet pjesë e Rusisë.

4. Nagorno-Karabakh
ruset 4Historia: Me vendndodhje në një varg të diskutuar malesh mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, Nagorno-Karabaku është pak i ndryshëm nga rajonet e mësipërm të kësaj liste, pasi nuk është shtet i pavarur, por një rajon që e pretendojnë dy kombe. Etnikisht armen, rajoni u përpoq të shkëputet nga Azerbajxhani në 1988, gjë që shkaktoi një luftë rajonale.

Rezultati: Vite të tërë lufte pllakosën në Nagorno-Karabak, teksa Rusia mbështeste në mënyrë indirekte ata që kërkonin shkëputjen, duke mbështetur Armeninë. Por, siç shkruan Brenda Shaffer tek Foreign Affairs “Moska i armatosi të dy palët dhe i hodhi kundër njëri-tjetrit”. Pasi janë vrarë afro 30 mijë vetë, Rusia ndërmjetësoi një armëpushim në 1994. Por The Guardian shkruan se luftimet vazhdojnë edhe sot, dhe “çdo vit, dhjetëra vetë gjejnë vdekjen në përplasje përgjatë vijave të kontrollit”. Këtë javë ndodhën luftime shumë të ashpër, me afro 15 të vdekur sipas BBC.

A e njeh ndokush? Eshtë një rast pak ndryshe nga të tjerët, pasi është më shumë një zonë e diskutuar, se sa një rajon që kërkon autonomi të plotë. Por, jo, askush nuk e njeh. Ndonëse mendimet se kujt i përket janë të ndryshëm, as edhe Armenia nuk ka zgjedhur ta njohë si shtet të pavarur.

5. Krimea
ruset 5Historia: Krimea, një gadishull ngjitur me Ukrainën, është rasti më i fundit i një inkursioni të Rusisë në shtetet fqinjë. Krimea u bashkua me Ukrainën në kohën e BRSS, dhe ajo votoi formalisht për të qenë pjesë e Ukrainës në 1991 (ndonëse vetëm 54% e popullsisë votuan pro). Ky referendum reflektonte faktin që shumë banorë të Krimesë kishin lidhje më të forta me Rusinë se sa me Ukrainën, diçka që do të bëhej e rëndësishme pasi revolucioni rrëzoi presidentin prorus në Kiev, Viktor Janukoviç. Ndërkohë që trazirat në Kiev erdhën e u shtuan, Rusia shfrytëzoi rastin për të dërguar trupa të maskuara, të armatosura rëndë në Krime, për ta aneksuar rajonin.

Rezultati: Komandot rusë pushtuan me shpejtësi bazat në Krime, duke e siguruar gadishullin nën kontrollin rus. Siç shkruan The Guardian, zyrtarë të SHBA pranuan se “Rusia ka kontroll total operacional në gadishullin e Krimesë”, dhe u përpoqën të limitojnë inkursione të mëtejshëm, në vend që të përpiqeshin të rikthenin gadishullin. Në mars, Krimea votoi të bashkohet me Rusinë në një referendum ku pjesëmarrja ishte e ulët dhe i ciliu dënua prej liderëve ndërkombëtarë. Putini firmosi zyrtarisht marrëveshjen për marrjen e Krimesë në 18 mars.

A e njeh ndokush? Jo tamam. Siç shkruan Joshua Keating tek Slate, të vetmet vende që kanë mbështetur rrëmbimin e Krimesë nga Rusia, deri tani, janë Siria dhe Venezuela. Nuk është tamam një skuadër ëndrrash, por gjithësesi të krijon një ide se kush do të ishte në radhë për të mbështetur Rusinë, nëse Putini vendos të pushtojë Ukrainën lindore. /ëorldpost/
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button