Vera të freskëta, dimra të ngrohtë e të lagësht, vjeshta pa shira. Ja përse as edhe moti nuk është më ai i njëherë e një kohe. I nxehtë mbytës në lojrat Olimpike dimërore në Soçi të 2014-ës, shira konstante në muajin maj në Bosnje, flakë në pyje në Norvegji të shkaktuara nga thatësira
Një pyetje që ka dalë nga mjediset e bisedave në bare (duke parë që përballë kapuçinos sot nuk flitet për tjetër gjë) dhe që tani ka gjetur edhe një përgjigje: Përfundimisht po, thonë klimatologët, stinët kanë ndryshuar. Duke ofruar edhe një shpjegim të mekanizmit. Ato që godasin “motorrin e klimës” janë në fakt rrymat shkulmuese dhe shtjellat polare, binarët në atmosferën e lartë në të cilat lëvizin me shpejtësi turbullirat, duke sjellë re dhe kohë të bukur. Të modifikuara nga ngrohja globale, këto rryma nuk e bëjnë më detyrën e tyre dhe enden, deri sa krijojnë zona të bllokuara nga i nxehti, i ftohti, ose edhe thatësira dhe lagështira. Të vështira edhe për t’u parashikuar.
VAPË DHE ERRËSIRË
Si ndikon ngrohja globale në tërësinë e Planetit? Duke shkaktuar stuhi të mëdha dhe uragane kolosale, ose duke dobësuar rrymat detare, edhe pse për atmosferën pika jetësore, sipas meteorologes Jennifer Francis nga Universiteti Rugers në Nju Xhersi, është arktiku. Akulli që mbulon detin mbi Polin e Veriut është duke u zvogëluar, që nga fundi i viteve shtatëdhjetë, me më shumë sesa 35.000 kilometra katrorë në vit, duke lënë kështu zbuluar një sipërfaqe më të errët, atë të detit të lirë. Nga ana e tij, jo më i mbrojtur nga akulli, deti përthith rrezet diellore, duke u bërë edhe më i ngrohtë dhe duke shkrirë edhe më shumë akull. Një rreth vicioz që ka përshpejtuar humbjen e sipërfaqeve të bardha në Polin e Veriut. Fenomeni është përkufizuar “amplifikimi arktik” dhe i referohet faktit që Arktiku vetë (dhe Antarktida) janë më të ndjeshme ndaj shtimit të temperaturës, se sa rajonet e tjera të planetit.
Jemi akoma larg, fizikisht, nga gjerësitë tona gjeografike. Lidhja megjithatë egziston, dhe sipas Jennifer Francis quhet “shtjella polare”. “Një seri erërash në lartësi, shumë të shpejta, rrotull Polit të Veriut i cili është bërë i paqëndrueshëm, ndoshta për shkak të ngrohjes globale”, saktëson Antonello Provenzale, nga Isak/Cnr e Torinos, dhe shton: “Që fenomeni të jetë shkaktuar vetëm nga zvogëlimi i akujve polare, kjo është ende në diskutim, por askush nuk e kundërshton paqëndrueshmërinë e tij”.
Në praktikë, në vend se të jetë një lloj unaze e vazhdueshme që rrethon Polin e Veriut, kjo shtjellë fillon të zvogëlohet dhe kështu shkakton valë më të thella e të gjera, që munden edhe të thyhen. Shtjella Polare nga ana e saj influencon edhe ecurinë e të ashtuquajturave rryma “jet stream”, të tjera rryma ajri shumë të shpejta dhe në lartësi të mëdha; në fund, jet stream bien në kontakt me turbullirat që “kontrollojnë” klimën. “Këto dallgë më të thella sjellin sulmin e ajrit polar drejt lartësive më të ulta, dhe të ajrit të moderuar drejt veriut ”, vazhdon eksperti.
Vitin që shkoi, për shembull, në Nju Jork ka patur një stuhi të fortë bore, ndërkohë që në Europë bënte shumë vapë. “Arinjtë e murmë, në Skandinavi, dilnin madje më parë nga letargjia”, thotë Provenzale. E gjitha, siç ndodh shpesh për fenomenet atmosferike me afat të gjatë dhe shumë të gjatë, mund të konsiderohen në thelb mjaftueshëm normale: gjithmonë ka ndodhur që shtjellat polare të fillonin të bënin kthesat gjarpërushe e madje të “thyheshin”. “Duket megjithatë që kjo paqëndrueshmëri të jetë duke u amplifikuar. Në Arktik meteorologjia është bërë më e ndryshueshme dhe e vështirë për t’u parashikuar”, vazhdon Provenzale. Madje Inuitët të cilët i bazojnë daljet e tyre për gjah mbi parashikimet e motit, e konsiderojnë tashmë të gjithën, shumë të komplikuar.
DIELL, SHI DHE ERË
Dhe pasojat, për stinët tona në Europë, cilat mund të jenë? Në përgjithësi pritet një ndryshueshmëri më e gjerë e motit, për shkak të pranisë në ambient të energjisë së madhe; është ajo që ka buruar, thotë shkenca, nga “mbulimi” i gazit karbonik që pengon rrezet infra të kuqe të ikin nga planeti. Parashikimi për vitet e ardhshme flet kështu për një shtim absolut të ngrohtësisë. Do të ketë një rritje “në bllok” të të gjitha temperaturave dhe si pasojë një shtim të ekstremiteteve të ngrohtësisë, por jo të atyre të të ftohtit. Valët e të nxehtit që kanë goditur Europën në 2003-shin dhe Russinë në 2010-ën, duke shkaktuar shumë të vdekur, bëhen më të shpeshta.
Për shirat çështja është më komplekse; në nivel global, planetar për ta thënë më mirë, nuk ka prova që shirat të ndryshojnë si sasi. Vetëm sa janë modifikuar rajon për rajon: Saheli Afrikan, për shembull, është bërë më i thatë, ndërkohë që musoni Indian është duke u dobësuar dhe në Mesdhe është tendenca tani për tani, për një thatësi të lehtë. E duket se janë shtuar ekstremet: zonat e thata janë bërë më të thata, ato të lagështa janë goditur nga shira më të dëndura. Por edhe në të njëjtin vend reshjet ndryshojnë. Shtohet në fakt intensiteti i shirave dhe periudhat e thatësirës. Do të thotë që do të ketë stuhi më të dhunshme (të famshme janë “bombat e ujit” të pagëzuara nga gazetarët televizivë), që do të shkojnë të godasin një tokë shumë të thatë.
SHKULME ERE NË QIELL
Nuk mbaron me kaq: “Valët e mëdha” të cilat do të ngadalësohen dhe shumëfishohen, do ia nënshtrojnë një vend të caktuar, të njëjtit lloj moti për periudha më të gjata, duke gjeneruar më me lehtësi thatësi, ose madje faza të gjata me shi, të nxehtë ose të ftohtë”, thotë Cat Berro. Formohen kështu “dhoma atmosferike” që asnjë trazirë nuk ia del t’i spostojë. Është fenomeni i bllokimit atmosferik, për të cilin diskutohej në vitet tetëdhjetë, shpjegon Provenzale, por që ngadalësimi dhe formimi i shkulmeve të mëdha të erës në qarkullimin atmosferik duket ta ketë amplifikuar. Në normë këto zona të bllokuara janë të freskëta, sepse humbasin shumë ngrohtësi duke u dorëzuar ndaj terrenit: por në këto vitet e fundit ka patur shumë nxehtësi. Një shembull mund të jetë thatësira e jashtëzakonshme e Kalifornisë në dy vitet e fundit, apo i ftohti në lindje të SHBA, apo shirat shumë të shpeshta në Europë.
Të gjitha këto fenomene nuk bëjnë tjetër veçse konfirmojnë atë që është mbështetur nga klimatologët, të cilët krijojnë modelet: “Ajo që thonë modelet fillon të konfirmohet edhe në të dhënat e vëzhgimet tona”, konkludon Provenzale. Stinët nuk janë më ato të njëherë e një kohe.
Focus – Bota.al