Christopher Walker
Robert Orttung
Popullariteti i presidentit rus Vladimir Putin duket se po i reziston ligjeve të fizikës politike. Pavarësisht rënies së çmimit të naftës nën 50 dollarë për fuçi dhe reçesionit tanimë të dukshëm të ekonomisë ruse, pëlqyeshmëria për Putinin vazhdon që të jetë mbi 80 përqind, duke sfiduar dukshëm edhe “ligjin e gravitetit”. Por numrat nuk duhet të merren në vlerën e tyre nominale.
Një shqyrtim më i thellë është veçanërisht i rëndësishëm, sepse sa më shumë përmendet popullariteti i madh i Putinit, aq më tepër kjo çështje shndërrohet në një urtësi të pranuar.
Analistët e mediave perëndimore raportojnë shpesh mbi lajme të tilla, pa qenë kritikë mbi kontestin ku bazohen sondazhet.
Së pari, popullariteti i Putinit është arritur falë një vakuumi të dukshëm informativ. Disa praktika jozyrtare të censurës zbatohen në mënyrë aktive nga Kremlini, çka e bën praktikisht të pamundur diskutimin e çështjeve të rëndësishme, apo edhe pyetjet nëpërmjet medias ndaj zyrtarëve të lartë për veprimet e tyre. Sot, zërat e pavarur rrallë arrijnë tek shtëpitë e rusëve të zakonshëm.
Muajt e fundit, qeveria ka përforcuar masat e saj, duke ushtruar presion ndaj disa mediave online, gazetës “Vedomosti” dhe stacioni televiziv privat të Moskës “TV Rain”.
Ndërkohë, propaganda e ethshme shtetërore ushqen përditë audiencën e televizioneve ruse me një rrjedhë informacioni të rremë e të pakundërshtueshëm, i projektuar qëllimisht për të nxjerrë udhëheqësit e vendit në një dritë më pozitive, duke bërë përgjegjës për problemet “fashistët”, “agjentët e huaj” dhe “Kolonën e Pestë”.
Së dyti, represioni politik i Putinit e bën të sigurtë që vetëm individët më trima dhe më së shumti të vetë-sakrifikuarit, të jenë ata që sfidojnë sundimin e tij. Liderët e rinj të opozitës mënjanohen, korruptohen apo kooptohen diku në ndonjë detyrë shtetërore, para se të fitojnë popullaritetin e mjaftueshëm për të paraqitur ndonjë kërcënim. Një figurë me një popullaritet mbi 80 përqind thjesht na tregon që rusët nuk mund të konceptojnë një alternativë ndaj Putinit.
Së treti, profesionistë të mirë-arsimuar janë duke u larguar masivisht nga Rusia. Sipas “Rosstat”, Shërbimi Federal i Statistikave Ruse, më shumë se 300 mijë njerëz janë larguar nga vendi në vitet 2012-2013, një migrim që përkon me rrikthimin e Vladimir Putinit për një mandat të tretë presidencial. Shkalla e largimit u rrit edhe më shumë pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Ukraina vitin e kaluar. Sa për një krahasim, vetëm rreth 70 mijë njerëz u larguan në vitet 2010-2011. Ajka e shoqërisë ruse ka zgjedhur të “votojë” përmes këtij gjesti, duke braktisur vendin dhe lënë pas një mjedis të zymtë, gjithnjë e më shumë të korruptuar dhe shkuar drejt “kullotave të gjelbra” në Perëndim, që i mundësojnë atyre të praktikojnë në mënyrë produktive talentet e tyre.
E katërta ka të bëjë me mbështetjen tek taktikat e diversionit, sikurse ishte edhe aneksimi i Krimesë, për të shmangur vëmendjen nga thellimi i problemeve ekonomike të vendit. Në të shkuarën, Kremlini mbështetej tek çmimi i lartë i naftës, për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve. Përqafimi i papritur i nacionalizmit dhe ekspansionizmit territorial nga ana e Putinit, flet për një lëvizje të tij të dëshpëruar, për të evituar rënien e popullaritetit.
E gjitha kjo duhet të na thotë diçka. Sot, Kremlini duhet të punojë shumë më tepër se më parë, për të garantuar mbështetjen ndaj regjimit. Propaganda e tij e ashpër dhe represioni i rreptë, tregojnë se popullsia ruse është më pak e gatshme të pranojë Putinin. Për të kompensuar këtë, aparati shtetëror është detyruar që të lodhet tej limiteve normale. Ndërsa frika dhe “perdja” që rrethon sistemin rus na pengojnë ne perëndimorëve të njohim shkallën e vërtetë të popullaritetit të Putinit, dimë ndërkaq se autoritetet aktualë atje kanë ndërmend që të mbeten në pushtet për një kohë të pacaktuar, pavarësisht performancës së tyre.
Rusët e zakonshëm e kuptojnë këtë mjaft mirë. Investimet masive shtetërore të shtrëngimit dhe manipulimit janë të nevojshme, për shkak se udhëheqjes së vendit i mungon një mandat i vërtetë demokratik. Shqyrtimi me kujdes i sondazheve që prodhon vetë Kremini mbi popullaritetin e Putinit është thelbësor, edhe sepse vëzhguesit perëndimorë bien shpesh në grackën e të parit president rus, si një lider i zgjedhur në mënyrë demokratike.
Pavarësisht kontekstit shtrëngues që nënvizojnë sondazhet e Putinit, shpesh mediat perëndimore raportojnë në mënyrë të shkujdesur gjetjet e tyre, madje ndonjëherë edhe me një ndjenjë magjepsjeje dhe frike, duke u shprehur se politikanët në vendet demokratike do të ishin shumë të gëzuar po të kishin nivele të tilla mbështetjeje.
Por kjo presupozon se udhëheqësit ziliqarë demokratikë do të duan të shtypin elementët themelorë të demokracisë, duke përfshirë median e pavarur, shoqërinë civile dhe opozitën politike, për të arritur “popullaritetin” që ka aktualisht Putini. Ne nuk duhet të pranojmë një përkufizim të popullaritetit që është arritur nëpërmjet shkopit, censurës dhe propagandës. Putini mund të ruajë shumë mirë mbështetjen e segmenteve të caktuara të popullsisë ruse. Por duke pasur parasysh shkallën e kontrollit shtetëror në “prodhimin” e natyrshëm dhe më pas gjenerimin “popullaritetit” të tij, raportimi jokritik i shifrave stratosferikisht të larta mbi pëlqyeshmërinë e Putinit, na ushqen me idenë e gabuar se ai është i pakundërshtueshëm.
Liderët mendjemprehtë e kuptojnë fare mirë perceptimin e modelimit të pushtetit dhe ndikimin e tij në realitet. Makina propagandistike e Kremlinit mund të ndihmojë për të formësuar këtë perceptim për audiencën e brendshme që e ka robëruar. Por vëzhguesit që janë jashtë ndikimit të Kremlinit, nuk e kanë këtë justifikim dhe duhet të marrin një pozicion shumë më kritik ndaj imazhit të Putinit. /THE WASHINGTON POST/
Shënim: Christopher Walker është drejtor ekzekutiv i Forumit Ndërkombëtar për Studime Demokratike. Robert Orttung është zv.drejtor i Institutit për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike në Uashington
a.g./www.bota.al