Fareed Zakaria
Duhej t’i kisha kushtuar më shumë vëmendje mësuesit tim, Samuel Huntington, i cili dikur shpjegonte se amerikanët nuk e kanë pranuar asnjëherë që, në botën në zhvillim, më e rëndësishmja nuk është lloji i qeverisë – komuniste, kapitaliste, demokratike, diktatoriale – por shkalla e qeverisjes. Mungesa e qeverisë është ajo që po shohim sot, nga Libia, deri në Irak e Siri
Tek shihja filmimet e ekzekutimeve të tmerrshëm, ndjeva disa prej të njëjtëve emocione si pas 11 shtatorit. Barbarizmi përdoret për të provokuar zemërim, dhe ia doli. Por në shtator 2001, më bëri edhe të pyes: “Përse na urrejnë”? U përpoqa t’i përgjigjem asaj pyetjeje në një ese për të përjavshmen Neësëeek, që gjeti miratimin e lexuesve. E rilexova për të parë ku gabohesha dhe ku kisha të drejtë, dhe çfarë kam mësuar në 13 vitet e fundit.
Nuk është vetëm al Kaeda. Fillova duke vërejtur se terrorizmi islamik nuk është sjellje e izoluar e një grushti nihilistësh. Ka një kulturë më të gjerë që ka qenë bashkëfajtore, ose të paktën jo e gatshme ta luftojë. Gjërat kanë ndryshuar në këtë drejtim, por jo mjaftueshëm.
Nuk është një problem i Islamit, por një problem arab. Në fillimin e viteve 2000, Indonezia ishte shqetësimi ynë më i madh, për shkak të një serie sulmesh terroristë atje, pas 11 shtatorit. Por gjatë dekadës së fundit, xhihadi, e madje edhe fondamentalizmi islamik nuk kanë ecur në Indonezi – vendi më i madh në botë, më i madh në këtë kuptim se sa Iraku, Siria, Egjipti, Libia dhe shtetet e gjirit të marrë së bashku. Ose shikoni Indinë, e cila ndodhet “ngjitur” me qendrën e Aiman al Zavahirit në Pakistan, por shumë pak nga 165 milionë myslimanët e saj janë anëtarë të al Kaedës. Zavahiri ka shpallur një përpjekje të guximshme për të rekrutuar myslimanë indianë, por mendoj që do të dështojë.
Kalbja politike arabe. Tema qendrore e esesë ishte se arsyeja për bota arabe prodhon fanatizëm dhe xhihad është stanjacioni politik. Në 2001-shin, pothuajse çdo pjesë e botës kishte parë një progres të dukshëm politik – Europa Lindore, Azia, Amerika Latine, madje edhe Afrika kishin organizuar disa palë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por bota arabe mbeti një shkretëtirë. Në vitin 2001, shumica e arabëve kishin më pak liri se sa në vitin 1951.
Një aspekt i jetës që diktatorët arabë nuk mund ta ndalonin ishte feja, kështu që Islami ishte shndërruar në gjuhën e opozitës politike. Teksa diktaturat e “perëndimizuara”, laike të botës arabe dështonin – politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht – fondamentalistët u thanë njerëzve që “zgjidhja është Islami”.
Bota arabe mbeti me diktatura nga njëra anë, dhe grupe opozitarë thellësisht joliberalë nga ana tjetër – zgjedhja ishte: Hosni Mubarak, ose al Kaeda. Sa më ekstrem regjimi, aq më e dhunshme opozita. Ky kancer ishte më i thellë dhe më shkatërrimtar nga sa e mendoja. Pavarësisht largimit të Sadam Huseinit në Irak dhe pavarësisht Pranverës Arabe, kjo dinamikë mes diktatorëve dhe xhihadistëve nuk është prishur.
Shikoni Sirinë, ku deri së fundmi Bashar al Assadi kishte ndihmuar Shtetin Islamik duke blerë gaz dhe naftë prej tij dhe duke goditur me artileri të rëndë kunërshtarët, Ushtrinë e Lirsë Siriane, kur këto luftonin me njëra-tjetrën. Assadi po luante lojën e vjetër të diktatorit, duke i dhënë popullit një zgjedhje të qartë – ose me të, ose me Shtetin Islamik. Dhe shumë sirianë (pakica e krishterë, për shembull), kanë zgjedhur Assadin.
Frenimi më i madh ka ndodhur në Egjipt, ku një lëvizje islamike jo e dhunshme mori pushtetin por e çoi dëm shansin e saj, duke e tepruar. Por, duke mos pritur që ta linin Vëllazërinë Myslimane të dështonte në kutitë e votimit, ushtria egjiptiane e rrëzoi me forcë dhe u rikthye vetë në pushtet. Egjipti është sot një shtet policor më bbrutal, se sa në kohën e Mubarakut. Vëllazëria Myslimane është ndaluar, shumë prej anëtarëve të saj janë vrarë ose burgosur, pjesa tjetër jetojnë të fshehur. Le të shpresojmë që, pas 10 vjetësh, të mos gjendemi duke diskutuar shkaqet e një Shteti Islamik në Egjipt.
Cfarë nuk kisha kuptuar në atë ese 13 vjet më parë? Brishtësinë e këtyre shteteve. Nuk kisha kuptuar që nëse diktaturat lëkundeshin, shteti mund të pësonte kolaps, dhe që nën shtetin atje nuk kishte shoqëri civile – në fakt, nuk kishte as edhe një komb të vërtetë. Kur kaosi nisi të ulet këmbëkryq në Lindjen e Mesme, njerëzit u përpoqën të kapen jo pas identiteteve të tyre kombëtarë – iraken, sirian – por pas identiteteve shumë më të vjetër: shiit, sunit, kurd dhe arab.
Duhej t’i kisha kushtuar më shumë vëmendje mësuesit tim, Samuel Huntington, i cili dikur shpjegonte se amerikanët nuk e kanë pranuar asnjëherë që, në botën në zhvillim, më e rëndësishmja nuk është lloji i qeverisë – komuniste, kapitaliste, demokratike, diktatoriale – por shkalla e qeverisjes. Mungesa e qeverisë është ajo që po shohim sot, nga Libia, deri në Irak e Siri. /Washington Post/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL