Më poshtë do të keni mundësinë të lexoni një ndër poezitë më të bukura frymëzuese për femrat, se si duhet të qëndrojnë të forta përpara çdo situate kur i ulin të tjerët. Në këtë poezi, autorja Maya Angelou është munduar të jetë sa e brishtë, aq dhe e ashpër ndaj të tjerëve që e ulin dhe duan ta shohin të rrënuar. Në fund, ajo e mbyll poezinë me mesazhin më të madh “Unë përsëri ngrihem”, duke mos njohur disfata. Ajo nuk njeh humbje, për sa kohë në fund e gjen forcën të ngrihet përsëri dhe të ecë përpara edhe mëfuqishëm se më parë.
Mund të gëzohesh se po më braktisë,
Se nga dhimbja e gjitha po mpihem
Ti mendon se po më shkel me këmbë,
Por si pluhur, unë përsëri do ngrihem.
Të shqetëson kryelartësia ime?
Ç’gjë të shkaktoi, papritur mërzinë?
Se unë rri sikur kam puse me naftë,
Që burojnë aty poshtë në kuzhinë?
Njësoj si dielli, njësoj si hëna
Në baticat në harmoni
Njësoj si shpresa që çohet lart,
Unë do ngrihem përsëri.
Dëshiroje të më shihje të thyer,
Me kokë të ulur e sy me lot,
Me supe varur si lule tharë,
Grua e mjerë që një fjalë se thotë?
Mos të lëndon krenaria ime,
Mos ndoshta kujton se po lajthis,
Se qesh sikur kam miniera ari,
Atje prapa, në oborrin e shtëpisë?
Mund të më qellosh me fjalët e tua,
Mund t’i plagosësh syte e mi,
Mund të më vrasësh me urrejtjen tënde,
Por njësoj si era do ngrihem përsëri.
Brengosesh se jam e bukur, seksi,
Pse te kapi papritur habia?
Se une eci sikur kam diamante
Aty ku takohen kofshët e mija?
Nga kasollet e turpit te historisë
Unë ngrihem
Nga e kaluara e hidhur, mes bukurisë
Unë ngrihem;
Jam ujëvarë e lartë, e zezë, freskuese,
Po fryhem e derdhem po aq tmerruese.
Duke lënë pas frikën e natës së gjatë
Unë ngrihem
Në një agim mrekullisht të qartë
Unë ngrihem
Duke bartur dhuntitë e të parëve të mi
Jam ëndrra dhe shpresa e skllaves për liri
Unë ngrihem përsëri,
përsëri ngrihem
Ngrihem përsëri!