Speciale

PERSONAZH – Car IVANI, i tmerrshëm sa më s’bëhej

Screen Shot 2015-05-23 at 10.46.10

Regjistri sinodal i manastritit të Shën Cirilit në Beloozero liston 3470, nga të cilët 968 të cituara me emrin atëror. Në krah të shumë emrave shfaqet një shënim: “me gruan e tij”, “me djalin e tij”, “me fëmijët e tij”, ose: “më fëmijët e tij dhe dhjetë burrat që u kishin shkuar në ndihmë atyre”. Nganjëherë shënimi nuk përmban emra, por thotë pakashumë: “njëzet burra të fshatit Kolomensko”, “me urdhër të Moskës, 6 njerëz…”, “banorë të Pskov, me gratë dhe fëmijët e tyre, 30 persona”, apo: “Kujtohu o Zot për shpirtërat e shërbëtorëve të tu nga Novgorod, 1505 njerëz gjithësej”.

Masakra e Novgorodit e vitit 1570 ndoshta qe ajo që e impresionoi më shumë Evropën e kohës. Sikur ndonjë ta kish paditur Ivanin “për krime kundër njerëzimit” ka mundësi që do të kishte filluar me atë, siç ndodhi me procesin kundër Sadam Huseinit që nisi nga një “krim” gjithësesi i “vogël” si vrasja e 143 shiitëve të fshatit Xhubail në vitin 1982 si “ndëshkim kolektiv” pas atentatit ndaj personit të tij. Derikur Ivani vriste princat dhe bojarët, mund të konsideroheshin çështje të politikës së brendshme, derikur masakronte tartarët muslimanë dhe rrafshonte Kazanin ishte akoma “administrim normal”, futej në faktet e zakonshme të luftës të epokës. Por Novgorodi ishte një qytet i “tij”, me fe të pastër kristiane ortodokse si ajo e tij. Veç kësaj, falë pozicionit të tij prej udhëkryqi midis Balltikut dhe Perëndimit, më i pasuri dhe më i avancuari i qyteteve të Rusisë së atëhershme.

Ndoshta kishin trille separatiste dhe indipendentiste, por nuk është sqaruar, siç dyshonte Ivani, se qenë të gatshëm që t’i kalonin armë dhe municione Polonisë katolike të federuar me Lituaninë protestante. Në dyshim, Ivani e drejtoi personalisht në kulm të dimrit ushtrinë e tij Oprichniki (milicinë personale të tij) për të rrethuar qytetin. Refuzoi bekimin e Arqipeshkëvit Pimen, deri në atë moment një mbështetës besnik i tij, i cili i kish dalë përpara, në kortezh me kryqe dhe ikona, mbi urë nëpërmjet lumit. I la që të celebronin meshën për Epifaninë në katedralën e Shën Sofisë, bile mori pjesë në të, pastaj i arrestoi dhe i dërgoi në Moskë që të gjykoheshin nga një tribunal ekleziast. I dha udhë një masakre dhe plaçkitjeje sistematike të familjeve dhe të pronave të princave, tregëtarëve dhe manastireve lokale. Pajisjeve tradicionale u shtoi çdo metodë “sezonale” për të nxjerrë rrëfime tradhëtie të projektuar dhe për të vënë dorë mbi thesare të fshehura: hekura dhe soba në flakë, ujë të zier, ujë të akullt. Burra, gra, fëmijë, deri foshnje në pelena u lidhën me litarë dhe u kaluan nën akullin që mbulonte lumin. Ishte qyteti në të cilin shkëlqente pronësia private. Historiani Richard Pipes e bën njërin prej shembujve të llojit të rishpërndarjes “pasurore” që do të kishte bërë që në shekujt e mëpasëm Rusia të mbetej e papenetrueshmendaj demokracisë që kish shoqëruar afirmimin paralel të demokracisë, të të drejtave dhe të sigurisë të pronësisë private në Perëndim. Ka që beson se ka parë të njëjtën rrënjë të metodave të “shpronësimit” të zbatuara pak kohë më parë nga Putin ndaj manjatit të naftës Khodorkhovski.

Nurimet bashkëkohore ndryshojnë në mënyrë mbresëlënëse lidhur me numrin e viktimave. Schlichting, i cili mund të konsiderohet një “korrespondent i jashtëm” ante litteram, numëron 2771, Sër Xherom Horsi, i cili përfaqësonte në Moskë Kompaninë për Tregëtinë Britanike, shkruan deri 700000 (por kjo nuk e pengoi që të ngutej për të kërkuar në emër të Mbretëreshës së tij privilegje tregëtare në Novgorodin e “normalizuar”). Historianët bashkëkohorë e vlerësojnë në 2000 numrin e të ekzekutuarve. Jo dhe aq shumë, nëqoftëse krahasohet me atë që bënin në të njëjtën epokë në Holandën e po aq të pasur e të përparuar ushtarët e “shumëkristianit” Filip i II-të i Spanjës nën komandën e Dukës së Albas. Pjesën tjetër e bëjë i ftohti, uria, murtaja dhe kolera. Novgorodi në atë kohë kishte 30000 banorë. Ajo që u bë legjenare qe gjithësesi “metoda”. La një përshtypje jetëgjatë imazhi i Rusisë së përshkuar nga banda njerëzish me pelerina të gjata dhe kapuçë të zinj, të hipur mbi kuaj edhe ata të zinj (uniforma e oprichniki-ve përmbante një kokë të kafshuar qeni dhe një fshesë të varur në shalë, për të simbolizuar fundin e “tradhëtarëve” dhe veprën e tyre të “spastrimit”). Ka që i konsideron atentatet e të gjitha Okhrana-ve, GPU-ve. NKVD-ve dhe siloviki-ve si shpikjen e parë të policisë së lartë”, me një kult të veçantë të saj të Urdhërit dhe një mistikë besnikërie të saj ndaj shtetit dhe Carit.

Tërhoqi në radhët e saj edhe aventurierë nga e gjithë Evropa. Midis tyre, Hajnrih Von Staden, mercenar nga Vestfalia, i kaluar në shërbim të Ivanit pasi është përjashtuar nga shkolla pse ka vrarë një shok klase me një bizë. Ja sesi e tregon një shembull të ndërmarrjeve të tij në memorialin lidhur me “Tokën dhe qeverinë moskovite”, një prej dëshmive më të çmueshme të drejtpërdrejta që na kanë ardhur nga shekulli i XVI-të: “Arritëm në një vend ku ngrihej një kishë. Shërbëtorët e mi hynë në të dhe e plaçkitën. Aty afër ishte prona e një princi … Kur na panë, njerëzit ia mbathën me të katra. Qëllova menjëherë tek njëri dhe e kalova me shpejtësi dyert teksa nga kati i sipërm na gjuanin me gurë. Vrapova nëpër shkallë me një sopatë në dotë dhe u ndesha me një princeshë që bëri për mu hedhur tek këmbët. Por duke parë se fytyra më ishte vrenjtur, u kthye për t’u kthyer në dhomën e saj. E godita me sopatë në kurriz dhe u planods tek pragu i derës. Pas kësaj e kapërceva dhe përshëndeta damat e saj”. Për Von Stadenin dimë se bëri një punë të shkëlqyer edhe në Novgorod. Kish lënë Moskën me dy shërbëtorë dhe një kalë.

U kthye me 49 kuaj dhe 22 karroca të mbushura plot. Është në Moskë që konsumohet një verë pas masakrës së Novgorodit skena më spektakolare dhe kulmore e Grand Guignol të oprichnina-s. Në lëndinën e sheshit Polnaya, të përgatitur me kujdes si një skenë, Cari paraqitet “në ditën e Shën Jak Apostullit”, data 25 korrik 1570, i hipur mbi kalë, i veshur krejt me të zeza, i armatosur me hark, shigjeta dhe ushtë, i rrethuar nga 1500 strel’tsy (musketierë). I paraklojnë përpara vetes rreth 300 fisnikë të burgosur, sipas përshkrimit të një prej dëshmitarëve okularë, gjermanit Shlikting, “në gjendje të ndryshme shpërbërjeje, dëshpërimi dhe mjerimi”. Ivani dëshiron të japë spektakël. “Duke parë se populli ishte i frikësuar dhe nuk donte të asistonte në skena mizorie të tillë të frikshme”, nxiton që të “ecë me kalë, t’u thotë që të mos kenë frikë, t’i afrohen për të ndihmuar më mirë”. Kur njerëzit fillojnë të afrohen, Cari i pyet nëse mendojnë që është e drejta e tij të ndëshkojë njerëz që e kanë tradhëtuar. I përgjigjet një kor po-shë dhe “Rroftë Cari jonë”. Ivani urdhëron që 184 nga 300 të burgosurit të lirohen: “Po ua dhuroj, nuk e kam më me ta”, i thotë turmës. Pastaj fillon kasaphana. Disa lidhen nëpër shtylla dhe priten me copa, të tjerë torturohen duke i zhytur pa ndërprerje në ujë të valuar dhe ujë të ftohtë. “Disave ju nxorrën brinjët, të tjerë u rropën të gjallë apo u shkuan në hunj. Derikur në fund u avancua një plak që mezi qëndronte në këmbë. Ivani e goditi me ushtë, pastaj për 16 herë me radhë me shpatë dhe në fund i preu kokën. Përpara se të kishin kaluar katër orë, ishte ngopur deri në fyt dhe u tërhoq në pallatin e tij”. Spektakolarizimin e ndëshkimit shpejt do ta pasonte ajo e brerjes së ndërgjegjes.

Më pak se një vit më pas do të fillonin spastrimet e oprichniki-ve, me të njëjtën mizori spektakolare me të cilën ata i kishin shërbyer deri në atë çast. I akuzoi se e kishin lënë Moskën të pambrojtur përballë inkursionit të tartarëve të Krimesë, të cilën në vitin 1571 kishin arritur ta pushtonin dhe ta plaçkisnin qytetin, i kishin vrarë shumë prej banorëve dhe shumë ia kishin marrë si skllevër në largim. Kërcënimi islamik papritmas ishte bërë më aktual se ai perëndimor. Edhe njëherë akoma Cari hoqi instrumentet e torturës për të veshur rrobat e njeriut të përkorë dhe u kthye për të qarë e për t’u lutur, duke rrëfyer dhe duke kërkuar falje për mëkatet e tij. “Mëshirë për mua mëkatarin, dhembshuri për mua të dëshpëruarin…” është për shembull mënyra me të cilën Ivani i shkruan abatit Kozma të manastirit Beloozero në viti 1573, pikërisht në kulm të fushatës së terrorit kundër oprichniki-ve, deri pak kohë më parë të adhuruar, tani të mohuar. “U takon juve mësuesve të na ndriçoni, ne që kemi humbur rrugën tonë në errësirën e krenarisë, ne që jemi të burgosur të kotësisë mëkatare, të epshit dhe të dhunës. Kë do të mund të mësoja, çfarë do të mund të predikoja, me çfarë do të mund t’i ndriçoja të tjerët unë, qen i zgjebosur dhe i qelbur? Unë që gjithmonë jam zhytur në dehje, në prostitucion, në adulter, në psillëqe, vrasje, rrëmbime, shpronësime, urrejtje dhe çdo lloj të keqeje?”, vazhdon ai.

Nuk është mea culpa as e parë e as e fundit. Me rrëfime ekstreme dhe të dhembshura gëlojnë letrat e pafundme që u diktonte ushtrisë së tij të fjalimshkruesve të mbushura me urtësi testesh të shenjta, ato të dërguara patriarkëve dhe manastireve, shkëmbimet diplomatike me mbretërit dhe perandorët e Evropës, zënkat teologjike me emisarët e Papës apo ato të luteranëve, letrat rezervate dhe ato të destinuara për publikun e gjerë, si epistolari me princin Andrej Kurbskij. Ivan fshikullon dhe rreh gjoksin pa ndërprerje, pa cipë, me të shkruar, me zë, në shesh, me porta të mbyllura, në sekretin e rrëfyesores apo duke ulëritur me sa ka në kokë, ndoshta edhe kur flitet me veten. I mungon vetëm televizioni. “Megjithëse jam akoma në jetë, përpara Zotit veprimet e mia të turpshme më bëjnë një kufomë të shpifur e të qelbur. Kam kaluar kainin, vrasësin e parë! Kam imituar Esaùnin në tepritë e tij të turpshme! Ashtu si Ruben, kam përdhosur shtratin atëror…”. “Mëkatari më i ndyrë në faqe të Tokës… i korruptuar në arsyetim dhe me mendje kafshërore”, e quan veten në “testamentin” e vitit 1579. Do të vazhdojë kështu, duke alternuar mizori të padëgjuara, dallgë zemërimi të verbëra dhe të papritura (ose gjakftohtësisht të studiuara) dhe pendime e brerje ndërgjegjeje po aq të padëgjuara, deri në fundin e ditëve të tij. Tragjedia e madhe e fundit e jetës së tij dhe ajo që e ka ndezur më shumë imagjinatën popullore është tejet personale. Në një shpërthim zemërimi në nëntor të vitit 1581, kur tashmë nuk i kanë mbetur vetëm pak vite për të jetuar, vret djalin e madh, i quajtur edhe ai Ivan, trashëgimtari i destinuar në suksesionin e fronit, duke ia hapur kafkën me skeptrin e tij të rëndë prej hekuri.

I paqartë shkaku i grindjes: sipas një versioni, careviçi duket se kish këmbëngulur për një luftë të re kundër polakëve dhe lituanëve; sipas një tjetri, të kundërt, duket se kish ndërhyrë në mënyrë të pamatur për t’u ankuar për torturat e shkaktuara të burgosurve lituanë; sipas thashethemeve të pallatit të mbledhura nga jezuiti Posevino, i dërguar nga Papa për të kërkuar që të bindnin për t’u shpallur luftë turqve në vend të polakëve, duket se kish ndërhyrë për të mbrojtur të shoqen shtatzënë të rrahur brutalisht nga i jati. E sigurtë e pamungueshme edhe në këtë rast, skena kryesore e pendimit. Një kuadër i shkëlqyer i piktorit Ilija Rjepin e paraqet Carin, të thyer më dysh nga dhimbja, që e përqafon me dhembshuri viktimën e tij. Gjithmonë sipas rrëfimit të Possevino, Ivani duket se është hedhur në dëshpërimin më të thellë, i kalon netët në lot, duke ulëritur nga ankthi, duke gërvishtur muret me thonj; në mëngjez mblidhte bojarët duke u paraqitur si i padenjë për të mbretëruar, duke ju lutur që të zgjidhnin një Car tjetër, lutje ndaj së cilës, siç e donte zakoni… ata përfundonin duke e lutur që të qëndronte në pushtet.

Është vërejtur se pjesë e mizorive më të këqija dhe më falas që i atribuohen – fantazia e pashtershme në ndëshkimet, e përshkruar me imtësi detajesh në libra me ilustrime të botuar në Gjermani e Hollandë, veçanërisht perversionet private e publike me sfond seksual, mund të jenë ekzagjerime propagandistike të futura në qarkullim nga kundërshtarët e tij. Por ai, në këtë imazh që i ngjitej në kurriz, duket se kënaqej. I qëndron lojës, bile e ngre më shumë pazarin. Të vjen të pyesësh nëse është apo bën. Nëse është i çmendur, paranojak, sadist, apo nëse bën të çmendurin, duke shpikur dhe duke interpretuar mrekullisht një rol shakespearian. “Është dashur të vendoset një tregues marrëzie në tendencat e Ivanit për t’u rrëfyer deliktet e veta, duke i ekzagjeruar”, vëren Kazimierza Valizhevski në biografinë e tij të shkëlqyer të fundit të Tetëqindës. Por shprehet e bindur se “nuk është marrëzi: është thjesht aktrim, shumë i shpeshtë në temperamentet të zënë pre nga të gjitha pasionet dhe, për pasojë, edhe në ekzibicionizmin vetëshkatërrues”. Një tjetër eksegjet shumë i kulturuar rus i epokës së Katerinës së II-të, princi Mikhail Berbatov, gjente se Ivani tregonte aq shumë fytyra të ndryshme sa të ngjallte dyshimin “se nuk bëhej fjalë për të njëjtin njeri”. Sido që të jetë, Ivani e luan rolin e tij me përsosmëri.

Ekzistojnë letra të tij në të cilat kënaqet ta quajë “i sëmurë mendor”. Ka dëshmi në të cilat tregon sesa kënaqej dhe dëfrehej duke luajtur personazhin kryesor në një parodi të një urdhëri murgëror. I pëlqen të befasojë. I pëlqen çmendurisht coup de théâtre. Adhuron konfuzionin e gjinive midis tragjikes dhe komikes, potpuritë e stileve, edhe letrare. Kalon në mënyrë indiferente nga shënjtori më solemn në rolin e palaços së oborrit. I ndodh të dyshojë për princin Ivan Fedorov Aeliadin, “gjyktësi i vetëm në të gjithë Rusinë që kishte famë për ndershmëri”. E thërret në oborr. Por nuk ju beson gjaksorëve. Në vend të kësaj, në prani të të gjithëve zbret nga froni, e urdhëron që të ulet në vendin e tij, e nderon duke u përkulur deri në tokë dhe duke e quajtur Car. Pastaj papritmas nxjerr thikën dhe ia ngul në gjoks: “Doje të zije vendin tim? Ja ajo që meriton”. Një prej gangove më të pëlqyer, Vassili Griaznoi, kapet nga tartarët. I shkruan me tallje: “Duhet të shkoje, Vasiuçka, jo pa motiv në fushimet e të pabesëve dhe mos fli me grushtat shtrënguar siç e ke zakon. Besoje se po shkoje për gjueti lepurash me qentë e tu, por në fakt tartarët të kanë futur në thes dhe të kanë varur në shalë. Shiko mirë që të mos shfryjnë siç bëni ju… Do të gjoja pikërisht që t’i ngjanit, atëhere nuk do të kisha më frikë qw t’i shikoja të më shfaqeshin në Moskë…”. Por pastaj ia paguan “gjobën”. Pëlqen skenat e mëdha.

Nuk numërohen herët që shpall botërisht se heq dorë nga froni, se do të bëjë murgun, se do të largohet nga Moska dhe shpesh bile edhe e bën. Mund t’i lejonte vetes që të dorëhiqej në mënyrë të përsëritur, për t’u thirrur pastaj me unanimitet popullor. Arriti që të bëjë një car për shaka, Simeon Bekbulatovin, duke i shtirur nënshtrim për një vit e gjysëm. Rolet që luan me virtuozizëm të madh janë ato të rrëfimit dhe të pendimit, të cilave duke se ia ka nuhatur shumë kohë më përpara nesh modernëve pushtetin e dyfishtë. I përdor si shpatë kundër kundërshtarëve. “Të kujtoj me përvujtje, o princ: mbaje parasysh madhështinë e mturisë hyjnore, e cila pret konvertimin tim nga mëkatet tona dhe sidomos nga paudhësitë e mia, pasi e kam shkelur ligjin më keq se Manassi, me përjashtim të apostasizë. Por unë nuk dyshoj në mëshirën e krijuesit, në të cilën do të gjej shpëtimin… Nëqoftëse dhe paudhësitë e mia janë më të shumta se rëra e detit, besoj në faljen e prehërit hyjnor: në abisin e faljes së tij mund të mbys paudhësitë e mia…”, sokëllin në letrën e dytë për Kurbskijn, të shkruar në një moment në të cilin gjërat e ecin mirë, i duket se po i sistemon “jo Rusia e vetme, por edhe gjermanët, lituanët, tartarët dhe shumë popuj të tjerë”. Argumenti vendimtar, me të cilin ndan shapin nga sheqeri, është se “Zoti ia jep pushtetin kujt të dojë”. Sot ndoshta do të thoshte: “Më kanë zgjedhur”.

Midis të gjitha teksteve që na kanë mbrritur, letërkëmbimi midis Ivanit dhe princit Andrei Kurbskij, fillimisht favorit dhe më pas “tradhëtar i Shtetit” i kaluar në shërbim të armikut polak, domethënë një lloj Trockij i tij, është më misteriozi, më i çuditshmi dhe njëherazi më magjepsësi. Janë pesë letra që çuditërisht bijnë në pothuajse një njëzetvjeçar: ajo fillestare e Kurbskijt që shpjegon ikjen e tij nga “Cari torturues”, përgjigjia shumë e gjatë e Ivanit dhe replica e shkurtër, një e dytë e kthyer 13 vjet më vonë. Mund edhe të jenë apokrifë, një falls I ruajtur një shekull më pas (është teza, shumë e argumentuar në një libër të vitit 1971, e sllavistit të Harvardit, Eduard Kinenit), por kritika më e vonshme tenton që t’i konsiderojë autentike. Ajo që I bën vecanërisht magjepsëse nuk është vetëm se mund të konsiderohen si ekuivalenti rus i “Princit” të Makiavelit, por që lexohen si një tekst letrar, një “klasik” i vogël në të cilin çdo faqe është e aftë ta frymëzoje lexuesin sipas momentit në të cilën lexohet, gjithçka, por edhe e kundërta e gjithçkaje. Gëlon me teologji, propagandë, shkëmbime të ashpra akuzash dhe anatemash, por flet për politikë. Përplasen dy “programe qeverisjeje”.

Ivani shpjegon idenë bazë të “autokracisë” së tij mizore: të shmangë që Moska e tij, “Roma e tretë” që ëndërron, të përfundojë si e “dyta”, Kostandinopoja, kur “prej mëkateve tona, të ne popullit kristian, ai Mehmet i I-rë i pabesë shoi fuqinë greke dhe si erë e furtunë e fuqishme bëri të zhdukej çdo gjurmë”. Për rënien e Kostandinopojës, në vitin 1453, pothuajse një shekull më parë, kristianizmi ortodoks ruan një kujtim shumë më të traumatizuar se ai perëndimor. Vazhdohet të pyetetet sesi ka mundur të ndodhë një gjë e tillë e jashtëzakonshme e kësaj natyre. Ivani e ka një përgjigjë të tijën të saktë, “mëkatet” që ka në mendje janë politike, jo religjioze: “Merrni në konsideratë këtë dhe reflekto se çfarë lloj qeverie krijohet kur kanë zotërime dhe pushtete të ndara: atje carët u bindeshin heparkëve e senatit dhe u zhytën kështu në shumë shkatërrim. Ndoshta na këshillon edhe neve që të kalojmë një shkatërrim të ngjashëm? Dhe ndoshta kjo do të ishte devocion, të mos mbash perandorinë, të mos mbash nën fre keqbërësit dhe të lejosh shkatërrimin e të huajve?”. Ivani kishte neokonët e tij, si puna e Ivan Peresvetov, që ia atribuonte rënien e Kostandinopojës “ndrojtjes” së tepruar të lidershipit të tij dhe e këshillonte që të merrte mësim nga metodat e forta të Sulltanit: “Nuk mund të jeshë Car pa terror, një perandori pa terror është si kali i Carit pa përvaza”. Ivani ndjehet i pushtuar nga një “mision” që shkon shumë përtej personit të tij. Edhe shumë përtej Rusisë, e mbetur gardiania e “fesë së vërtetë”, Ortodoksisë, në një botë kristiane, që midis Papës dhe Luterit “po shkërmoqet copa – copa”.

Ndjehet përgjegjës për të gjithë, ndryshe nga Perëndimi ku “secili ka në zemër vetëm interesat e tij”, beson fuqimisht se duhet të pësojë gjykimin universal jo vetëm “për të gjitha mëkatet e mia me dashje apo padashje”, por, mbi të gjitha “jo vetëm të të miave, por edhe të atyre të shtetasve të mij duhet t’i mbaj parasysh, nëqoftëse kanë mëkatuar prej neglizhencës sime”. Është teoricieni i parë i terrorit të pastër në emrin e të mirës së të gjithëve: “Si ka mundësi të mos e kini kuptuar këtë, që të fuqishmëve nuk u ka hije të egërsohen si bisha, por as edhe të cedojnë…? Siç ka thënë apostulli: “Me ata që diskutojnë jinni dashamirës, shpëtoni të tjerët me frikën…”. Nuk shikon se apostulli urdhëron të shpëtojmë me frikën? Kështu edhe midis carëve më të mëshirshëm, në epokat e tyre, do të gjesh shumë ndëshkues shumë mizorë. E si domethënë, sipas të arësyetarit tënd të çfrenuar, mund të jesh Car duke vepruar një mënyrë të vetme dhe jo në konformitet me një periudhë të përcaktuar?

Atëhere të gjitha mbretëritë do të binin në çrregullime dhe luftëra të brendshme”. “Cari nuk ngjall frikë poër veprime të mira, por për ato të këqija”, këmbëngul. Por rivendikon edhe të drejtën për t’u kundërshtuar dhe penduar, duke dhënë një hapësirë të madhe manovre, me kthesa të papritura, me rimendime sipas rrethanave: “Gjithmonë u vjen për shtat carëve që të jenë dyshues, nganjëherë shumë të ndrojtur, nganjëherë të dhunshëm; me të mirët u përshtaten në fakt falja dhe ndrojtja, me të këqinjtë tërbimi dhe torturimi, sepse kush nuk është i aftë nuk është Car”. Argumenton si teolog suprem, por njëkohësisht, në mënyrë të habitshme, nuk beson tek teokracitë, saktësisht siç bëhet vigjilent lidhur me katastrofat e lënies shumë në dorë “guvernatorëve të qyteteve dhe mbikëqyrësve lokalë”. E konsideron pushtetin si një mission tepër delikat sa që mund t’u besohet teologëve dhe priftërinjve: “asnjë vend nuk mund të gjesh që të mos shkojë drejt shkatërrimit një mbretëri e lënë në duart të priftërinjve”. Ose ushtarakëve: “Nëqoftëse nuk ka më parë një qeveri të mirë në tregëti, si mund të luftohen siç duhet luftërat?” Grozni, i “tmerrshem”, jo aq në kuptimin gjakatar, sesa të atij që “bën t’i kihet frika”, arrin kështu të ushtrojë lidership.

Por Grozni është edhe titulli i Arkangjelit Mikhail, që drejton legjionet qiellore kundër atyre të së Keqes, të Shën Gjergjit që mund dragoin në ikona. Kurbskij i përgjigjet me një argument që duket shumë më “modern”, duke e akuzuar që e ka “mbyllur mbretërinë e Rusisë, domethënë natyrën e lirë njerëzore, si brenda një fortese ferri”. Për shekuj me radhë është zhvilluar ashpër polemika mbi atë se cili nga të dy ishte më “progresisti”, “reformisti” i vërtetë. Dhe nuk ka mbaruar. Vëllimi i fundit në librari mbi “Ivan the terribile, First Tsar of Russia” i sllavistes së University of London, Isabel de Madariaga, është një minierë në kuptimin e vërtetë të fjalës, një lloj enciklopedie në valim e sipër që mund të titullohej edhe “gjithçka mbi atë që do të donit të dinit, që dihet dhe që është thënë mbi Ivanin e Tmerrshëm”. Konkluzioni është që mbretëria e Ivanit do të “tipizonte një epokë eksperimentimi politik në Rusi”. Gabimi i madh, gjëja vërtet e tmerrshme, është që “eksperimentimet” ndoshta nuk kanë përfunduar. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button