MuzikePersonazhe

PERSONAZH / KURT COBAIN, i fundmi i punk-ëve

Screen Shot 2015-04-03 at 12.23.33 PM

Massimo Coppola*

Të shkruash për Kurt Cobainin. Sa frikë! Përfundojmë duke folur gjithmonë për veten, apo jo? Në fund të fundit, marrëdhënia që kemi me “The fuckin’ rockstars”, sic do të thoshte ai, është një marrëdhënie prej të barabartësh. Jemi ne dhe ata. I drejtohemi me “ti”, jo me “ju”. Gjithçka është në mendjen tonë, janë miqtë tanë imagjinarë, janë ata që shkruajnë këngët të cilat flasin për ne, që na thonë se cilët jemi. Në rastin e Kurt Cobainit, situata është edhe më e ndërlikuar. Ne jemi të mbijetuarit, që kemi mbetur këtu për të folur mbi mikun imagjinar që iku. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga vdekja e tij, një traumë për një brez të tërë, dhe të shkosh të shohësh “Montage of Heck”, filmin kolossal të xhiruar nga Brett Morgen është një përvojë shumë e fortë. Unë nuk kam patur asnjëherë kuriozitet për jetët private të heronjve të mi (më falni që shkruaj si një adoleshent, por duhet të më kuptoni). Më intereson jeta e tyre e përditshme – që po ta shohësh mirë është shumë e ndryshme nga ajo private. Pra, më interesojnë pjesët e mërzitshme: çfarë ka ngrënë për mëngjes, çfarë ka blerë në supermerkatë, çfarë libri po lexon. Por në jetën e Kurt Cobainit nuk ka pjesë të mërzitshme, as jetë të përditshme, vetëm një arrati pa destinacion, në mos atë të pashmangshmin, që nëse do, mund ta imagjinosh. E thotë ai vetë në një intervistë të patransmetuar më parë, por që shfaqet në film: nëse unë vras veten, ju do të keni heroin tuaj të përsosur të rock’n’roll-it.

Po, Kurt. Je shndërruar në heroin e përsosur të rock’n’roll-it. Por ndoshta do të kishim preferuar të të shihnim të bëheshe i madh. “Montage of Heck” të përplas gjithcka në fytyrë – tamam sikur të ishte një këngë e Nirvana-ve – zgjat më shumë se dy orë, dhe del prej tij i shastisur.

Provon të pyesësh veten për një herë të fundit se cili ka qenë, çfarë ka përfaqësuar në të vërtetë Kurt Cobaini, miku yt imagjinar, dhe përfundon duke pyetur se cili je ti vetë. 132 minuta të montuara në rend kronologjik, që megjithatë transformohen në një të tashme të përjetshme, në të cilën Cobaini lufton në çdo sekondë dy gjëra, shuma e të cilave është megjithatë e gjitha: botën dhe vetveten. E vetmja kthesë që rrëfen filmi është pikërisiht kalimi

nga lufta me botën – pak a shumë nga adoleshenca e hershme deri në lindjen e Nirvana-ve – tek ajo me vetveten – ose më saktë, që kur Nirvanat bëhen të famshëm deri tek BAM!-i final.

Pjesën e dytë e dimë përmendësh. Vlera e këtij dokumentari të gjatë qëndron në pjesën e parë. Pa e trazuar Tolstojin, kuptimi i filmit qëndron në kërkimin e atij lloji të veçantë të palumturisë së familjes së Kurtit, e projektuar tek “Endrra Amerikane”: “Ishte një periudhë kur askush nuk kishte problem të paguante faturat apo të mbushte serbatorin plot me benzinë”, thotë në fillim nëna e tij, pothuajse e lehtësuar.

Një ëndërr amerikane që regjisori e paraqet me një montazh – i pari në mijëra raste, por pikërisht për këtë arsye më i fortë dhe efikas – shtëpiakesh të lumtura e të dëshpëruara, spotesh televizivë,

ngjyrash të forta, raketash që nisen drejt yjeve të pafundëm, shpërthime pixel-ash që përpiqen të ngjeshin një epokë të tërë, ndoshta atë vendimtaren për formimin e kulturës së masës në shekullin që kaloi. Ata pixel-a ku janë transformuar super tetëshja e familjes së Kurtit dhe fotografitë e arkivit, pamje të “qëruara” pikërisht ashtu si kujtesa duhet të jetë, por që nuk do të jetë më, me kujtimet tanë të shekullit 21 të gjithë në High Definition. Kini kujdes me atë që bëni, pamjet e kujtimeve tona do të jenë më të mprehta se sa neuronet tona të shpërqëndruara, do të mbeten gjithmonë me ne, përsosmërisht të lexueshme dhe të dukshme. Dhe asnjëri prej nesh nuk është Kurt Cobaini.

Pra, dokumentari shndërrohet në roman formimi. Kurti është një djalë si shumë të tjerë, i gjallë, ndoshta shumë. Gjithë atë rrëmujë bën ky djalë:

hedh në krahë kitarra, pikturon, hidhet sa në një anë në tjetrën. Pra, një djalë potencialisht i lumtur. Por, prindërit nuk e mendojnë kështu. Ai nuk është një djalosh i lumtur. Eshtë një “gjemb mbas bythe”. Dhe kjo është pika e kthesës. Familja e Kurtit vendos që Kurti nuk duhet të jetë Kurt, por diçka tjetër, dhe as ata nuk e dinë se çfarë. E çojnë tek specialisti: “Doktori merr një dritë dore të vogël dhe ia vendos tek syri: Eh po, thotë, duhet të bëjmë diçka. Dhe kështu filluam t’i japim Ritalinë”.

Këtë e thotë nëna e Kurt Cobainit. Fjalët rrjedhin lirshëm nga buzët e saj kontradiktore, të thara dhe të ngjyrosura dhe nga sytë e munguar por të vetëdijshëm, të mbështjellë nga një ftohtësie paimagjinueshme për një nënë që ka humbur të birin. Një ftohtësi që bëhet monstruoze për një nënë, biri i të cilës ia ka hequr vetes me çifte.

Intervistat me prindërit e Kurt Cobainit janë ato që e bëjnë këtë film esencial. Qoftë kur flet për historinë e një mikut tënd dyqanxhi, qoftë kur flet për historinë e Kurt Cobainit, familja, kjo fjalë e pashqiptueshme, e domosdoshme dhe e mallkuar në aftësinë e saj për të thënë di alcunchéka të përcaktuar qartë, është gjithë sa ka rëndësi. Pamjet e prindërve të Cobainit janë pikërisht të tmerrshme. Një nënë e cila është karikatura e një figuranteje televizive; false, në mënyrë të dukshme dhe të padurueshme; një baba i papërshtatur, nervoz ndërkohë që fërkon krahët e divanit të tij të shëmtuar, i paaftë të thotë një gjë me mend për këtë bir gjenial që është vetëvrarë. Gruaja e dytë e babait, e ulur në krah të tij, e cila ka të paktën guximin të pranojë se ky djalë nuk donte askënd, por askënd ama. “Donte të rrinte vetëm me të

ëmën”, shton dhe, ja pra, ndërgjegja është në rregull. Eshtë faji i nënës që e ka dëbuar nga shtëpia, ne jemi të pafajshëm, apo jo i dashur? LOJA FATALE

Dhe kështu nis loja fatale. Nëna e dërgon tek i ati, i cili e mban për pak kohë dhe i premton që nuk do të martohet kurrë (përse kurre e pastaj, a do jetë e vërtetë?); më pas rimartohet, bën fëmijë të tjerë dhe gruaja e tij e re e dëbon Kurtin. Dhe nuk kuptohet asnjëherë përse, çfarë gjëje të papranueshme ka bërë ky djalosh për t’u dëbuar si një bezdi, një bir i trajtuar si një sëmundje ngjitëse, për t’u dërguar që të jetojë gjetkë jetën e tij të mutit, të lumtur dhe absurde. Kurt shkon tek gjyshërit, dajat, kthehet tek e ëma, dëbohet sërish – nuk kuptohet asgjë, siç është e qartë, humbet qartësia e kësaj gjeometrie tragjike të dhimbjes. E ndërkohë Kurti merret me

pikturat e tij, i bie kitarës së shtrembëruar, hedh në letër shfryrje pseudopoetike. Arrestohet sepse shkruan në një mur: “Zoti është homoseksual”. Pastaj shkolla. Filmi i preferuar i Kurtit ishte “Luftëtarë të rinj”. I dalë në vitin 1979 në gjysmë fshehtësi dhe i shndërruar shumë shpejt në kult, filmi flet për revoltën e studentëve të një shkolle të mesme. Pas një serie “ngjarjesh tragjike”, prindërit mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme. Janë të shqetësuar për fëmijët e tyre. Nuk bëjnë shumë pyetje për veten – ndoshta është pak faji i tyre që “fëmijët e tyre” qëllojnë me gurë makinat e policisë? Po sigurisht që jo. E ka fajin shkolla. E ka fajin droga. E ka fajin fakti që në fund të fundit, këta fëmijë janë të poshtër. A është e mundur të jenë të tillë fëmijët tanë? Nuk i kishim programuar kështu! Dhe ndërkohë që nënat dhe baballarët shqiptojnë të

shqetësuar, por edhe të kënaqur shprehjen e tyre sterile “C’duhet të bëjmë?” fëmijët vendosin që të sulmojnë shkollën. Bijtë kundër etërve.
Me goditje shufrash, djegie automobilësh, plumba. Pak mekanike, por efikase. Sigurisht, shumë joshëse për të riun Kurt, dhe kushedi për sa të tjerë si ai.

Ja pra çfarë ëndërronte Kurti. Kurti ëndërron. Kurti nuk bën asgjë. Kurti lë të jetojë. Kurti zbulon marijuanën: “Më qetëson – shkruan në ditarin e tij – kalon më shumë kohë mes një krize nervash dhe një tjetre”.

Por për të gjetur drogën e lehtë i duhet të frekuentojë njerëz që nuk i pëlqejnë, nuk bëhet mik i asnjërit prej tyre, izolohet, është i terrorizuar nga fakti që është i vetmi që ende nuk ka shkuar me një femër dhe përfundon duke u përpjekur të shkojë në

shtrat me një vajzë që ka çrregullime mendore. Nuk ia del, largohet prej shtëpisë së saj i neveritur dhe më i vetmuar se më parë. Këto pjesë janë rindërtuar nga regjisori, duke u nisur nga ditarët apo intervistat e Cobainit, dhe të vëna në skenë me kartonë të animuar.

Kurti i animuar shkon në mënyrë të përsosur me imazhin që ne kemi për të, me mikun tonë imagjinar. Ditën tjetër, në shkollë, Kurt Cobaini ynë i animuar bëhet zyrtarisht “ai që shkon me të marrat”. Pra, i zhytur thellë në m… dhe i vetmuar si një qen. Ku ka përfunduar djaloshi i qeshur, bjond dhe bukurosh, që kishte në sy premtimin e gëzimit? Askush nuk e bën pyetjen, ndoshta as ai vetë. Kurt Cobaini është një djalosh, gjenialiteti i ardhshëm i të cilit është ende krejt i pashprehur në mos logjikisht i pamundur, duke parë situatën ku

ndodhet. Eshtë i vetëm. Nuk ka një mik. Nuk ka një të dashur. Dhe sipas mendimit dominues, është një sociopat me probleme seriozë të shëndetit mendor dhe një prirje të rrezikshme për të konsumuar drogëra, që megjithatë, si e pranon edhe ai vetë “fillojnë të mos bëjnë me efekt”. Fundi i kapitullit të parë.

KAPITULLI I DYTE
Dhimbja e stomakut. Pamje stomakësh dhe zorrësh që lëvizin. “Guts”, në anglisht. Që do të thotë edhe kurajë. Stomaku i Kurtit është një katastrofë. Lidhet me një tipe që e intervistuar sot duket krejt jashtë vendit me fustanin e saj me lule, pak qime mbi buzë dhe teprinë e mishit në gjoksin e saj. Kjo ishte e dashura e Kurt Cobainit, “heroit të universit”? Po. Jetojnë bashkë dhe Kurti nis të marrë heroinë, por ajo nuk e kupton, të paktën

kështu thotë. Ky kalim pakëz konfuz con direkt e tek Nirvana, që shfaqen në një filmim të parë super amator, ndërkohë që bëjnë rrëmujë në një dhomë të vogël dhe më pas në një sallë provash. Kurti është i lumtur. Për një moment të shkurtër, gjërat që shkruan në ditarët e tij shndërrohen në shpresë dhe kuptim. Lufta me botën ka marrë fund, ka gjetur një vend të rehatshëm. Por ashtu si në cdo tragjedi, ky është vetëm një iluzion.

Nirvana thjeshtë ndodh dhe Kurti fillon të kuptojë se lufta me botën është luftë me vetveten. Ose të paktën këtë thotë filmi. Eshtë thënë shumë në lidhje me paaftësinë e tij për të kontrolluar suksesin: prej këtu filmi na thotë gjëra që tashmë i dinim, deri kur hyn në skenë Courtney Love, e urryer më parë, e ndoshta pas këtij filmi edhe më shumë, nga “jetimët” e Kurt Cobainit. Love shfaqet

si një përparim i trishtë, një grabitqar i ngopur, me fytyrën e shtrëmbëruar dhe të ribërë kushedi sa herë. Ngjan si përfituesja e vetme. Flet shumë, tymos duhan, pi ujë gjithë bulgaritet nga një shishe që ka pranë, me fjalët e saj që shoqërohen prej skenave më të forta e ndoshta të tepruara të filmit. Novoselic – i vetmi që të ngjan i sinqertë në rrëfimin e një dhimbjeje për një humbje të papranueshme – përmend faktin që projekti i dashurisë mes Kurtit dhe Courtneyt bazohej mbi faktin që ishin junkie, të droguar. E thotë me trishtim, nuk ka hije turpi në shikimin e tij. Më në fund një qenie njerëzore. Jonjerëzore janë pamjet e ciftit dhe bijës së tyre. Courtney ka gjithmonë nëj telekamerë në dorë, të dy janë pothuajse gjithmonë në banjë. Të bërë. Në një prej skenave më të dhunshme, Kurti përpiqet të mbajë në këmbë të bijën pa ia dalë për shkak të

heroinës, ndërkohë që Courtney përpiqet t’i presë flokët. Vogëlushja qan. Ose Courtney e merr si një kukull dhe flet me një zë të frikshëm për Nirvanat dhe Guns’n’Roses. E gjitha para kamerës. Më pas mish, mish kudo, një oqean mishi i shfaqur në të gjithë ekranin. Gjoksi i Courtneyt, trupi gjithnjë e më i hollë i Kurtit, Francesi e vogël, gjithnjë lakuriqe, ndonjëherë e lumtur, e pavetëdijshme, të paktën deri në ditën kur ka parë këto pamje, se në cfarë lloj situate ndodhej.

E ekzpozuar, lakuriqe, e pafuqishme. Mishi i stomakut të Kurtit, obeziteti i asaj vajzës me probleme mendore, sisët gjigande dhe lulet e të dashurës së tij të parë, eksibicionizmi i gjithëpranishëm i Courtneyt, gjithmonë gjysmë lakuriqe, gjithnjë e bërë, por padrone e situatës me gjoksin jashtë, ndërkohë që Kurti duket se po

zhduket nga dita në ditë, a thua nuk e ka patur asnjëherë një trup të tijin. Love rrëfen: “Një ditë më tha: dua të afitoj tre milionë e më pas të mbyllem në shtëpi e të pikturoj”. Pak rëndësi nëse Kurti e ka thënë vërtetë këtë. E thotë Courtney, dhe për herë të parë shfaq pak butësi edhe ajo, në mungesën totale të vetvetes, që është tipari i saj thelbësor, e forcuar dhe e pamohuar prej manisë së protagonizmit, prej xhelozisë së saj ndaj Kurtit, ndaj qenies së tij.

Më pas Kurt Cobaini, pasi ka provuar pa sukses në Romë, vdes. Qëllon veten në fytyrë. E thotë një shënim në fund të filmit. Vdekja nuk shfaqet. Sepse është rrëfyer tashmë? Për modesti? A është vdekja e Cobainit më pak e turpshme se sa vitet e tij të fundit të jetës, që na shfaqen pa asnjë hezitim? më falni, por nuk di të përgjigjem.

E pashë filmin bashkë me një mik, në një sallë shumë të madhe për ne. Ndizen dritat dhe ngrihem në përpjekje të mbledh veten. Cfarë kam parë? Cfarë mund të rrëfej për atë që kam parë? Ndoshta Kurt Cobaini është panku i fundit që ka ekzistuar ndonjëherë. Ndoshta kush e ka dashur, do ta dojë edhe më shumë pasi ka parë këtë film të fuqishëm, të ëmbël. Kush nuk e ka dashur, do ta dojë, dhe kush nuk e ka kuptuar, dicka do të kuptojë. “Montage of Heck” nuk është një film i bukur. Eshtë më pak dhe më shumë. Mendoj për ata që as nuk kishin lindur kur vdiq Kurt Cobaini dhe pyes nëse mund ta përdorin në një farë mënyre për të përmirësuar jetën e tyre. Ai do të ishte i lumtur. Sepse, gjithnjë d he kudo, bëhet fjalë për mua dhe Kurt Cobainin. Dhe unë jam ju, jemi ne, jemi të gjithë ata që kur kemi dëgjuar këngët e para të

Nirvanave, kemi menduar, thjeshtë, çfarë mrekullie. Ndoshta është vetëm një mënyrë për të mbajtur larg idenë që janë më të mirët ata që vuajnë më shumë. Ngushëllohem poshtërsisht, duke menduar për faktin që, duke mos qenë unë kushedi çfarë, mund të jem relativisht i sigurtë. Dua vetëm të mbetem i lidhur me atë që shihet pak përpara se të dalë shënimi për vdekjen e tij. Cobaini ndodhet në studiot e MTV duke rregjistruar Unplugged.

Në këtë pjesë, ata të televizionit janë më të mirët. Kushedi sa janë munduar ta bindin të provojë të bëhet i madh, të bëjë një koncert të vogël pa thyer asgjë, të bëjë të dëgjohet për mirë zëri i tij unik, të prodhojë një prej disqeve më emocionues të të gjithë kohërave.

Sa herë e kam parë, dëgjuar, ridëgjuar, por me të drejtë besoj: në një prej shënimeve të ditëve të para

të Nirvanave Kurti shkruante: “Mbaj mend që të mos mësosh t’i biesh mirë një instrumenti”. Kurti, i fundmi i punk-ëve, në studiot e MTV-së sheh rreth e rrotull, ndërkohë që të gjithë shohin atë, të ndricuar nga qindra qirinjtë e një prej skenografive më të thjeshta të historisë së muzikës. Kurti buzëqesh. Duket i lumtur. Ndoshta nuk është keq të bëhesh i madh? Thërret në emër dikë nga stafi: “Uluni këtu përpara ju lutem, më pëlqen të shoh fytyra njerëzish që i njoh kur i bie kitarës”. Ja pra Kurt, jemi këtu në radhën e parë. “Nuk do të ecësh asnjëherë i vetëm”.

Dhe dëgjo: na fal nëse të kemi dashur shumë”. /“Rolling Stone Magazine”
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button