Personazhe

Marlon Brando: Ikonë, mit, fantazmë…

Screen Shot 2015-05-19 at 11.23.54

Ikonë, mit, fantazmë. Vetëm një njeri ka ditur të jetë të gjitha këto gjëra së bashku, ndërkohë që ishte ende midis nesh: MARLON BRANDO. Dy Oscar-ë, tre martesa, fëmijë të ndryshëm e dhjetëra gra që futeshin në shtratin e tij dhe e trajtonin si Jezusin (“Por unë nuk doja të përfundoja në kryq”-thoshte ai), ai “vrau” shëmbëlltyrën e tij prej një të riu rebel, për t’u katandisur në një plak 160 kg, i sëmurë dhe i vetmuar. Por, edhe 11 vjet pas vdekjes, Brando vazhdon të jetë një model i paimitueshëm. Unik!

TERESA CIABATTI

“Besoni se nuk e di çfarë ju ndodh? Keni nevojë për mua për një transfuzion. Sepse gjaku ju është kthyer në pluhur dhe ju ka bllokuar zemrën. Vetëm prej botës time, ju mund të merrni frymë”, thotë Marlon Brando, teksa luan Don Zhuanin DeMarco, nga Jeremy Leven.

Vetëm ai mund të shqiptonte këto fjalë. Vetëm ai mund t’i thoshte me autoritet. Jemi në vitin 1994, Marlon Brando e ka reduktuar prej vitesh shfaqjen jashtë dhe brenda trupës së xhirimeve, duke ushqyer mitin e vetvetes. Shpall tërheqjen, pastaj kthehet, pastaj zhduket sërish. Por askush nuk e harron. Elton John-i shkruan për të: “Mirupafshim, Marlon Brando. Ikonë, Mit, Fantazmë”.

Ekzaktësisht si Marilyn Monroe, vetëm se ajo ka vdekur me të vërtetë. Askush përpara Marlon Brando-s nuk ia ka dalë të bëhet ikonë, duke qenë ende gjallë. Ai ia doli duke u kristalizuar në një të tashme të përjetshme, rinie dhe suksesi. Ndal kohën e ekranit, ndërkohë që ajo e jetës reale ecën. Ndalet djaloshi në kanotiere – ai i “A streetcar named desire”, nga Elia Kazan, i vitit 1951, e që ka imponuar një model të ri mashkullor: antikonformist, brutal, por edhe sentimental.
Ndalet Johnny, Rebeli i “The Wild One” me regjisor Laslo Benedek, i vitit 1953, që pyetjes: “Kundër kujt rebeloheni?” i përgjigjet: “Kundër jush”. Me xhaketë lëkure të zezë, syze të errëta, e mbi të gjitha një motoçikletë, një “Triumph 6T Thunderbird”, Marlon-Johnny bëhet imazhi i një brezi të tërë. Madje, ai është pararendësi i ‘68-ës. Kundër kujt rebeloheni? Kundër jush. Aty ku “Ju” janë të gjitha rregullat, konformizmi, sistemi.

Marlon Brando “I egri” bëhet menjëherë reklama e një epoke dhe e një brezi që zien: “Duam të ikim, larg madje: e shtuna na gjen me shoqëri dhe na dilet jashtë. E rëndësishme është t’ia mbathim, ndonjëherë të shkojmë me gazin shtypur në maksimum”.

Rënia është pjesë e nevojshme në mitologjinë e këtij mashkulli, të këtij të riu rebel, e gjitha realizim i forcës fillestare: Rezistencës. Në rezistencë qëndron heroizmi. Prandaj, edhe jashtë skenave, Marloni ushqen imazhin e heroit. Madje në çështjet më intime dhe të përditshme: vendosi, për shembull, të bëhet synet dhe i kërkoi mjekut ta operojë pa anestezi.

Jeta e tij është një demonstrim i vazhdueshëm që dhimbja mund të kontrollohet, ose të paktën ai, Marlon Brando, mundet ta bëjë. Po kështu edhe dështimi. Vitet e filmave mediokër nuk e përkulin. Dikush thotë se Marlon Brando ka mbaruar. Gabohen. Rilind në vitet ‘70, madje për të qënë të saktë, rigjallërohet. Rigjallërohet Marloni i egri, rebeli, pikërisht ai, ikona: me “Kumbarin” nga Francis Ford Coppola, “Tangon e Fundit në Paris” nga Bernardo Bertolucci dhe “Tani, Apokalipsi”, përsëri nga Coppola.

Tetë herë kandidat për “Oscar”, të cilin e fiton dy herë, të fundit duke dërguar një indian që të tërhiqte statujën në vendin e tij, si gjest proteste kundër padrejtësive të ushtruara ndaj amerikanëve vendas.

Autografët e tij vlejnë jashtëzakonisht shumë aq sa çeqet e firmosur prej tij nuk arkëtoheshin asnjëherë. Më i çmuar autografi, se sa çeku.

Kishte gjithsej njëmbëdhjetë fëmijë (gjashtëmbëdhjetë, natyralë e të adoptuar, të gjithë të përmendur në testament), tre gra, qindra dashnore dhe vila, madje një ishull i gjithi i tiji, Tetiaroa, në detin e Polinezisë. Fëmija i tij i parë ishte Christian, “biri i zënkave”, i rrëmbyer nga e ëma, i rimarrë mbrapsht nga i ati, për t’iu besuar më pas dadove. Po ai fëmijë që, kur u rrit, vrau të fejuarin e motrës nga babai, Cheyenne. Ky fëmijë i dënuar me dhjetë vite burg, i cili nga qelia do të rrëfente: “Nëse nuk do të kisha patur një baba të tillë, jeta ime do të kishte qënë ndryshe. Shumë ndryshe”. Ndoshta nuk do të kishte vrarë. Ndoshta askush nuk do të kishte vdekur. Sepse pas vdekjes së shokut të Cheyenne, është radha e Cheyenne të mbajë varur telefonin në shtëpinë e së ëmës. Një seri të vdekurish, figura të një tragjedie Shekspiriane.

Po babai, Marlon Brando? Ikonë, mit, fantazmë.
Ai i përbuz të gjithë, duke filluar nga vetvetja: “I kam sytë, si ato të një derri të vdekur. E vetmja arsye për të cilën mbetem në Hollywood është se nuk kam kurajën morale për të refuzuar paratë”. Ose: “Të aktrosh është një gjë prej rrugaçi. Ndalesa, largimi nga aktrimi është një akt maturimi”. Nga vetvetja, për vitet më të mira, Brando kujtonte: “Kinemaja vret individin. Shumë vite të hedhura tutje. Më kanë ngarkuar fizikisht, mendërisht, shpirtërisht”. Ndërkohë që gjithë të tjerët, pleqtë e mëdhenj, i kujtojnë me nostalgji, ai i denigron: “Gjeta gra që më futeshin në shtrat, gjithandej. Arrinin deri aty sa të më ofronin para. Ofroheshin të më lanin këmbët, si Jezusit. Por unë nuk desha të përfundoja në kryq”.

“Eshtë si të aktrosh me Zotin”, deklaron Al Pacino, pasi ka qënë me të në trupën e filmit të “Kumbari”. Marlon Brando nuk do të jetë as Jezui, as Zoti. Përkundrazi, dëshiron të jetë Mbreti Lir. Në gjyq, i shëndoshë, me dhimbje, dëshmon në procesin kundër të birit. Thotë se nuk ka qënë një baba i mirë, dhe e thotë duke qarë. E mbron djalin e vet të madh duke akuzuar, për aq sa mundet, vetveten: nuk kam qenë një baba i mirë!

Në vitin 2004, në moshën 80 vjeç, ikën nga kjo botë. Peshon 160 kilogramë, është i sëmurë dhe i vetmuar. Por publikisht ka vdekur shumë kohë më parë. Ai vetë e ka vrarë Marlonin e ri dhe rebel. Duke u tërhequr nga skena në momentin e shkëlqimit maksimal, në vitin 1979, pas “Tani, Apokalipsi”, për të cilin merr një “Oscar”. Përdor vdekjen gjatë jetës, vetëm që të mbetet ikonë, mit, fantazmë.
Ai e di se bukuria dhe suksesi zgjasin pak. Paralajmërojnë keqardhjen. Dhe Brando nuk do keqardhje. Eshtë ai që vendos se kur bukuria dhe suksesi marrin fund.

Nuk mjafton pra, bukuria dhe talenti për të qënë ai, nevojiten dëshira e arratisjes, rebelimi, ndërgjegja, dhe ndjesia e tragjedisë. Nuk mjaftojnë bukuria e talenti, duhet mallkimi, palumturia.

“Kundër kujt rebeloheni?” Kundër nesh, do të ishte përgjigja e vërtetë, ajo që Marlon Brando ka thënë me gjithë ekzistencën e tij jashtë ekranit./GQ/

e.xh./Bota.al

Screen Shot 2015-05-19 at 11.23.42 Screen Shot 2015-05-19 at 11.23.09 Screen Shot 2015-05-19 at 11.22.36

 

Leave a Reply

Back to top button