Analiza

PERSONAZH / Nga getot e Bristolit, në drejtim të Downing Street

personazh javidNga ferri, në qeveri. Nga getoja pakistaneze e Stapleton road, në Downing Street: a është e mundur? Kur e pyesin nëse është vërtetë e mundur që të zgjidhet kryeministër, ai përgjigjet: “Britania e Madhe ka qenë i pari vend i Europës që ka patur një grua kryeministre. Eshtë një prej shoqërive më të hapura dhe tolerante të botës. Këtu nuk kanë rëndësi ngjyra e lëkurës, seksi, raca, feja, këtu ka rëndësi vetëm talenti”. Dhe ai, padyshim që talent ka shumë

Babai i tij edhi në Angli nga Pakistani me vetëm një stërlinë në xhep, ai është rritur në rrugën më të rrezikshme të vendit, dhe mësuesit, kur përfundoi shkollën e detyrueshme, i sugjeruan të bëjë një kurs si elektroteknik për të riparuar televizorë. Nuk ishte një këshillë krejt e gabuar, pasi tani praktikisht Sajid Javidi merret me televizorë, ndonëse në një kuptim më të gjerë: në cilësinë e ministrit të ri të Kulturës, e gjithë industria televizive britanike varet prej tij. Por opinioni dominues është që Javidi është i destinuar për një tjetër profesion: atë të kryeministrit të parë mysliman të Mbretërisë së Bashkuar. Dhe ndonëse nuk është një ndjekës i “thekur” i Islamit, gjithësesi është i ushqyer sipas parimeve të Kur’anit. Një gjë është e sigurtë: në Britaninë e Madhe ka lindur një yll. Dy ditë më parë, Financial Times dhe The Guardian i kanë dedikuar nga një faqe. Por ylli në ngjitje i Javidit shkon përtej politikës.

E tija duket një histori romanesh, e shkruajtur ndoshta nga Dickensi: një David Coperfield aziatik. I ati, Abdul, emigroi në Angli në vitin 1961 nga Pakistani, pa asnjë dyshkë në xhep. Në Bristol, ku në vitin 1970 i lindi Sajidi, i kanë vënë nofkën “Natë e Ditë”, për arsye se bën gjithfarësoj punësh, në cdo lloj ore, deri kur gjen një punë fikse: shofer autobusi. Rruga ku banon familja pakistaneze, Stapletonroad është përshkruar në këtë mënyrë disa vite më parë nga The Daily Mirror: “Një gropë ferri pa ligje, ku vrasjet, vjedhjet, atentatet, trafiku i drogës, prostitucioni, therjet dhe rrëmbimet e armatosur janë gjë e përditshme”.

Por ai është i vendosur të dalë nga gropa. Në moshën 14 vjec, në bibliotekën e lagjes, studion kuotimet e bursës në Financial Times dhe me një hua që ka marrë fillon të luajë në Bursë. “Fillova me 500 stërlina dhe pas pak kohësh kisha një portofol të mirë”, kujton Javid. Prirja për financën dhe notat e mira në shkollë e bindin që të injorojë këshillën e mësuesve: në vend të kursit të elektroteknikës rregjistrohet në gjimnaz, më pas për Ekonomi në Universitetin e Exeter. Pas diplomimit, kërkon punësim në Bursën e Londrës: tek Rothschild, gjashtë menaxherë të bardhë e shohin nga lartë poshtë dhe i tregojnë derën. Por në moshën 25 vjec pranohet nga Chase Manhattan në Nju Jork, ku bëhet presidenti më i ri në moshë në historinë e bankës, për të kaluar më pas në drejtimin e degës së Deutsche Bank në Singapor. Pyetjes përse e ka pranuar, shefi i tij i parë në Nju Jork iu përgjigj: “Kishte uri”. Për afirmim, për sukses, për para: në 20 vite të karrierës si bankier, fiton 20 milionë stërlina. Por nuk “i merr koka erë”. “I telefononte të ëmës përditë”, thotë ish shefi i tij tek Deutsche Bank.

Në vitin 2009, për befasinë e shumëkujt, Javidi e lë vendin e artë në bankë, për të kandiduar për dhomën e ulët me konservatorët. “Do të kthehet në gjirin tonë brenda një viti”, vinin bast bankierët. Gaboheshin. Do të bënte karrierë edhe në politikë, fillimisht mes këshilltarëve të George Osborne, numri dy i konservatorëve, më pas si nënsekretar i Thesarit. Dhe këtë javë, kur Ministrja e Kulturës, Maria Miller dha dorëheqjen për shkak të një skandali që lidhej me shpenzimet, David Cameron i ofron postin e saj: i pari aziatik në një qeveri britanike. Një përrallë me fund të lumtur për të birin e një shoferi pakistanez, por shumëkush parashikon se 44-vjecari Javid nuk do të ndalet. Që dy vjet më parë The Guardian profetizonte që do tëbëhej i pari kryeministër mysliman britanik: tani askush nuk mendon më që kjo është hipotezë e guximshme. Tamam mysliman në të vërtetë nuk është, ose më mirë nuk është më: thotë se është “krenar që jam lindur mysliman britanik”, por e quan veten laik, e shoqja është e krishterë ashtu si dhe katër fëmijët e tij. Dhe në vitin 2012, i ka thënë një lobi proizraelit se, nëse do të largohej nga Britania ndonjëherë, do të shkonte të jetonte pikërisht në Izrael.

Nga ferri, në qeveri. Nga getoja pakistaneze e Stapleton road, në Downing Street: a është e mundur? Kur e pyesin nëse është vërtetë e mundur që të zgjidhet kryeministër, ai përgjigjet: “Britania e Madhe ka qenë i pari vend i Europës që ka patur një grua kryeministre. Eshtë një prej shoqërive më të hapura dhe tolerante të botës. Këtu nuk kanë rëndësi ngjyra e lëkurës, seksi, raca, feja, këtu ka rëndësi vetëm talenti”. Dhe ai, padyshim që talent ka shumë. Duke parë historinë e tij, ka nga ata që e krahasojnë me Obamën. Por modeli i tij është një tjetër: Margaret Thatcher, të cilën e adhuronte që kur ishte i ri, i bindur se liberalizimet e saj ishin rruga e duhur për modernizimin e vendit. Kështu, pas një udhëheqësi konservator si Cameron, i dalë nga Eton, Oxford dhe nga festat me frak në Bullington Club, një ditë në krye të konservatorëve mund të jetë Copperfield-i pakistanez, djali i një shoferi autobusi. Duke mos harruar që heroina e tij, “Zonja e Hekurt”, ishte një bijë bakalli.

Leave a Reply

Back to top button