2017 do të jetë një vit vendimtar për liderin rus. Në valën e një shkalle të lartë popullariteti prej mbi 80 përqind, Purtin do të shpallë thuajse me siguri pranverën e ardhshme, se dëshiron të rikandidojë për një mandat të katërt si president. Por ai e di se nuk do të mjaftojnë më sukseset e politikës së jashtme, nga Siria tek rihapja e mundshme e dialogut me Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjes së Donald Trampit, për t’i garantuar atij rizgjedhjen e pakontestuar, që do ta riçonte në Kremlin sërish të fortë dhe me një legjitimitet të plotë.
Është ekonomia, dhe aftësia e tij për ta materializuar sërish në mirëqenien e masës së gjerë të qytetarëve ajo që karakterizoi 10 vitet e tij të para në pushtet, në bazë të së cilës do të gjykohet Putin. Nuk do të jetë e mjaftueshme të evokohet patriotizmi, dhe krenaria e një protagonizmi të rigjetur në skenën ndërkombëtare, për të topitur pakënaqësinë popullore të përhapur në një vend me një rritje negative prej 3 vitesh tashmë, të gjunjëzuar nga rënia e çmimeve të energjisë dhe sanksionet perëndimore, e vendosura pas krizës në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë.
Që Putini e kupton këtë, kjo u pa qartë në fjalimin e tij vjetor në fillim të dhjetorit. Në Sallën e Shën Gjergjit, presidenti rus pranoi peshën e “problemeve të brendshme” në krizën ekonomike dhe prezantoi skemën e planit të rimëkëmbjes ekonomike, të bazuar mbi një qasje më të lehtë tek kapitali nga ana e sipërmarrësve, lufta ndaj korrupsionit, orientimin e ekonomisë drejt prodhimit të mallrave të konsumit, investimeve në teknologjitë e reja, dhe jo e fundit për nga rëndësia pajtimi me Perëndimin.
Këto janë programet e reformës të hartuara nga grupi i ekonomistëve liberalë, të udhëhequr nga ish-ministri i Financave, Aleksei Kudrin dhe zëvendëskryeministri Igor Shuvalov, i cili duket se e ka fituar betejën e brendshme në Kremlin kundër rrymës së konservatorëve, statistëve dhe centristëve. Ata synojnë t’i japin Putinit një dorë, në një situatë që në vitin 2017 lë pas gradualisht fazën më të vështirë.
Jo vetëm pse politika e “zëvendësimit të importeve” me prodhimet vendase, e vendosur për shkak të sanksioneve, i dha frytet e veta. Por mbi të gjitha, për shkak se rrikthimi i çmimeve të naftës bruto në mbi 50 dollarë për fuçi, i riktheu frymëmarrjen të gjithë ekonomisë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia ruse do ta mbyllë këtë vit me një rënie prej 0.6 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por do të rrikthehet tek rritja në 2017-ën me 1.1 përqind. / www.bota.al