“Ata që kanë pyetur vazhdimisht, nëse ishte e domosdoshme që të merrej seriozisht kandidatura e Donald Trumpit, më në fund e kanë përgjigjen e pyetjes së tyre”, shkruante Gary Younge tek The Guardian. E qartë që ai është një “klloun”, retorika e të cilit shtë po aq “qesharake” sa edhe modeli i flokëve; deri tani gjatë fushatës, ai i ka quajtur meksikanët “përdhunues”, kinezët si hileqarë dhe arabët e Amerikës si simpatizues të terroristëve; ai ka vënë në lojë këdo, që nga personat me aftësi të kufizuara, deri tek të burgosurit e luftës. Por javën e kaluar, pas sulmit me frymëzim nga ISIS, në San Bernardino, Trumpi shkoi një hap më tutje, kur bëri thirrje për “një ndalim total të hyrjes së myslimanëve në SHBA”. Amerikanët janë mësuar me fjalë të tilla “të helmëta” nga prezantuesit në radio apo opinionistët e televizioneve kabllorë. Por t’i dëgjoje nga një kandidat republikan për president, ishte shqetësuese. Dhe fakti që shumë votues bien dakord me të, është i tmerrshëm. Sipas sondazheve më të fundit, Trumpi është ende shumë përpara në garën për kandidim brenda partisë, me afro 40% të votave të republikanëve. Rivalët e tij duken se nuk duan, ose nuk munden të sfidojnë ballë për ballë fanatizmin e tij.
Trumpi është ende shaka për mua, shkruante Charles Krauthammeri tek “Uashington Post”. Kohët e fundit ai zbuloi se si do të funksionojë politika e tij e re. Zyrtarët e imigrimit në SHBA do të pyesin të huajt që vijnë, nëse janë myslimanë. Ata që thonë po, do të ndalohen të futen në SHBA. “Në këtë logjikë qëndron edhe metoda magjike se si Donald Trumpi do të mbaj xhihadin larg prej Amerikës”.
Eshtë “sikletosëse” që të duhet të merresh me kësi propozimesh patetikë. Njerëzit kanë nxituar menjëherë ta censurojnë apo ta përqeshin, shkruante Stephen Glover tek The Daily Mail.
Pasi Trumpi deklaroi se policët ishin shumë të trembur të vizitonin disa pjesë të Londrës, për arsye se këto ishin kaq shumë të Islamizuara, afro 500 mijë britanikë firmosën një peticion ku bënin thirrje që ai të ndalohej të hynte në Mbretërinë e Bashkuar – ndërkohë që Boris Johnsoni, kryebashkuaku i Londrës, tha me shaka se ka pjesë të Nju Jorkut që nuk do të donte t’i vizitonte, nga frika se mos takonte Trumpin.
“Për të qeshur”, sigurisht, por është gabim të mos merresh me argumentat e Trumpit. Ai po flet për shqetësimet reale të votuesve në SHBA, por edhe në Britani. Eshtë e qartë që disa prej miliona refugjatëve që vijnë nga Siria do të jenë xhihadistë. Dhe ai ka bërë thirrje vetëm për një ndalim të përkohshëm, “deri kur ne të jemi në gjendje ta përcakotjmë dhe kuptojmë këtë problem” – pra, një ide jo dhe aq qesharake.
“Bota duhet të qetësohet në lidhje me Donald Trumpin”, shkruante Tim Stanley tek The Daily Telegraph. Ai nuk është fashist. “Ai është një yll televizioni që fiton më shumë kur flitet për të”.
Eshtë e vërtetë se retorika e tij për ta bërë sërish SHBA madhështore, si dhe sulmet e tij ndaj imigrantëve, joshin shumë amerikanë që ndihen të lënë pas dore. Por në fund, ai nuk do të jetë president. Ai nuk do të fitojë as kandidimin brenda partisë së tij. Kandidatët e retorikës së ashpër zakonisht ecin mirë në fillim, por në fund republikanët kanë prirjen që “të gjejnë një kompromis”. Natyrisht, Trumpi nuk ka aq vlerë sa të ndalohet të hyjë në Britani, shkruante David Mitchell tek The Observer. Gjëja më e keqe që mund të bëjmë tani është “të pushojmë së konsideruari Donald Trumpin qesharak dhe argëtues”.TheWeek/Bota.al