Bota

Pesë arsye pse Donald Trampi mund të bëhet vërtetë president i SHBA

Screen Shot 2016-05-18 at 09.02.23Gjashtë javë të kaluara në Universitetin e Çikagos, në kontakt me nxënësit dhe pedagogët e Institutit të Politikës, nënkuptojnë edhe një zhytje të plotë në fushatën zgjedhore amerikane. Nga pak e pranojnë të gjithë, nga Dejvid Akselrod, ish-strategu i dy fushatave fitimtare të Barak Obamës, tek Majk Mërfi, strateg i republikanëve, se fillimisht e patën nënvlerësuar fenomenin Tramp.

Ky i fundit jo vetëm ia doli të fitojë emërimin e Partisë Republikane, diçka për të cilën pak vetë do të kishin vënë bast, por rrezikon të jetë kandidati që do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, mbi të cilën do të diskutohet shumë nga tani deri në nëntor. Deri tani ka qenë kështu për 5 arsye të forta.

Komunikimi i “atypëratyshëm”

Sikurse u shpreh profesor Lerri Sabato “nuk mund të shqitësh vëmendjen nga ai”. Donald Tramp ka pushtuar thuajse të gjithë skenën politike amerikane dhe tashmë edhe atë evropiane. Nuk ka ditë,  madje do të thoja edhe orë, në të cilën mediat amerikane të privohen nga marka Tramp, të detyruara të përtypin lajmë të përsëritura për të ndjekur Tëitter dhe Facebook, të detyruar ta bëjnë këtë edhe kur nuk ka lajme.

Pra arsyeja e parë e suksesit të manjatit njujorkez, pikërisht aftësia e tij për të shfrytëzuar urinë e mediave. Ditën kur nuk kishte asnjë lajm, asnjë ndonjë tubim elektoral, Tramp u ofronte të përditshmeve të mëdha dhe rrjeteve televizive në krizë, sasinë e duhur të poastimeve të ashpra ne rrjetin social. 140 gërma të gatshme për t’u bërë kryetitull.

Komunikimi përmes fyerjeve

Rregulli i parë që strategët amerikanë u shpjegojnë klientëve të tyre politikë, është se fyerja gjatë fushatës zgjedhore kushton. Vite më parë, ishte e mjaftueshme të sulmoje, befasoje. Funksionoi për Silvio Berluskoni:njoftoi se në Romë, mes Finit dhe Rutelit, do të votonte për të parin, trashëgimtarin e Lëvizjes Socialiste Italiane të Almirantes. Asokohe, në vitin 1993, kjo do të thoshte të shkelje një tabu.

Më shumë se 20 vjet më vonë, duhet diçka tjetër për të habitur, pikërisht komunikimi përmes fyerjeve. Terren mbi të cilin jo të gjithë mund të lëvizin lehtësisht. Për shembull në Itali po e provon Mateo Salvini, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, Donald Tramp. Një mjeshtër. Një talent natyral. Një dallavere i lindur.

E filloi duke i rikujtuar Hilari Klintonit:”Si mund të pretendoni të respektoheni nga amerikanët, kur burri juaj ju tradhëtonte?” Dhe po vazhdon duke i mëshuar skandalit seksual Levinski. Në mes ishte përqindja imagjinare:”Në rast se Hilari nuk do të ishte grua, për të do të votonin vetëm 5 për qind e amerikanëve” dhe sulme të ndryshme kundër hispanikëve, grave dhe myslimanëve.

Në epokën e Snapchat, të qënit telegjinikë dhe komunikues nuk mjafton më. Lipset të kesh një personalitet.

Tramp ka zgjedhur fyerjen, teknikë e testuar në fillim për t’u bërë i njohur, vendosur në qendër të vëmendjes dhe tashmë e çuar përpara në faza të alternuara, kur nuk luhet pjesa e “kandidat për president”. Megjithatë teknika ka nevojë për origjinalitet:Tramp nuk reciton. Ai është fiks vetëvetja. Tek e fundit te shfaqja e njohur televizive “Talenti”, që e udhëhoqi për 11 vjet,  i pëlqente shumë fraza:”Jeni i pushuar!”.

Fundi i meritokracisë amerikane

Natyrisht kandidati Tramp e bazon suksesin e tij, edhe mbi nevojat reale të asaj që është bërë elektorati i tij. Nevoja më emergjente? Vetmia, ndjenja e të qënit “të lënë mënjanë”. Asnjë parti nuk mendon për ne. Kujdesen vetëm për punët e tyre. Siç shkruan Eduard Lumen në ‘Financial Times”, në artikullin e titulluar me vend “Fundi i meritokracisë amerikane”, në 60 vitet e fundit amerikanët kanë besuar tek ëndrra amerikane, tek ashensori social që do t’i lejonte fëmijët e tyre të bënin më mirë se prindërit.

Sot pjesa më e madhe e klasës së mesme të bardhë ballafaqohet me realitetin:në universitetet më të mira shkojnë Malia Obama (Harvard) dhe Çelsi Klinton. Fëmijët e të rëndësishmëve e kanë rrugën e shtruar. Të tjerëve u rezervohet një e ardhme në të cilën siç më shjegoi një pedagog nga Universiteti i Çikagos, “nëse je mashkull, i bardhë dhe pa arsimimin e mjaftueshëm, ke shumë mundësi të mbeteni të papunë përgjatë gjithë jetës”.  Zezakët dhe hispanikët, nëse janë të aftë dhe ambiciozë, mund të shpresojnë tek kuotat. Të bardhët e Mesperëndimit të de-industrializuar, të zhgënjyer nga republikanët dhe demokratët, shpresojnë dhe votojnë Trampin.

Efekti Berluskoni

Ekonomisti italian, Luixhi Zingales, profesor në “Chikago Booth Schol” shkroi së fundmi në të përditshmen “Chicago Tribune:”Për të kuptuar tërheqjen e amerikanëve ndaj Trampit, shikoni pse Italia zgjodhi Berluskonin”. Krahasimin mes të dyve e pëdora si temë të seminarit të parë që mbajta në Institutin e Politikës, dhe në fakt Tramp po përsërit (kopjon?) të gjitha lëvizjet, përmes së cilave në vitet 1993-1994 Berluskonin arriti të korrte suksesin e parë politik.

Asokohe në Itali ai dukej si një risi absolute. Dhe risi iu duket sot amerikanëve Tramp, të befasuar nga një personazh televiziv që i imponohet një partie (Berluskoni e krijoi partinë nga e para), një miliarder populist i aftë të bindë të papunët.

Kur Tramp thotë:”Jam vetë i pasur, s’kam nevojë të varem nga sistemi i donacioneve” të tjerët e besojnë. Përveç faktit që tani, në prag të konventës republikane, i njëjti Tramp po josh lidershipin republikan që mban fijet në çantë. Gara tashmë fillon të kushtojë, dhe pa investime të tjëra nuk mund të rezistohet deri në nëntor. Por, dhe në fakt edhe ky është lajm. Edhe për këtë javë Tramp do të ushqejë mediat.

Mungesa e efektit Hilari

Për të qëndruar tek krahasimi Tramp-Berluskoni, në vitin 2016 Hilari Klinton ka gjasa që të përfundojë si Akile Oketo i kësaj fushate presidenciale amerikane. Nuk mund të përfitojë plotësisht nga efekti i “gruas së parë në Shtëpinë e Bardhë”, pasi Tramp është më i ri, tallës dhe shpotitës me të. Në këtë pikë ajo vetëm mund të shpresojë që votuesit amerikanë do të zgjedhin njeriun e provuar si mënyra më e sigurtë. Por në këto kohë, përveç Gjermanisë, prirja nga Austria në Spanjë, shkon në drejtimin e kundërt. /Il Messaggero – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button