Në fillim të viteve 1600, astronomi Johannes Kepler parashtroi tre ligjet e tij të lëvizjes planetare, që për herë të parë, ofronin një përshkrim të saktë e të bazuar mbi prova, të lëvizjes së planetëve në Sistemin Diellor, përreth Diellit. Deri në fund të shekullit, Isak Njutoni ndoqi shembullin e Keplerit me tre ligje të tijët, duke përshkruar marrëdhënien mes një objekti dhe forcave që veprojnë mbi të. Ishte ai pra, që hodhi themelet e mekanikës klasike. Pothuaj treqind vjet më vonë, Carlo M. Cipolla, një profesor i historisë ekonomike në Universitetin e California-Berkeley, parashtroi një seri ligjesh që nuk janë më pak zbulues, se sa ata të Keplerit apo Njutonit: Ligjet Themelore të Budallallëkut Njerëzor.
Ndërkohë që këta ligje nuk mësohen në shkolla, ata gjithësesi mbartin mësime që meritojnë reflektim në këtë epokë moderne. Budallallëku sot shfaqet më shumë se kurrë më parë: në televizion, në YouTube, apo edhe në rrugët e qytetit, që i frekuentojmë pothuaj përditë. Që të reagojë më mirë dhe të shmangë një sjellje të tillë të marrë, njeriu duhet që më parë ta kuptojë atë. Dhe pesë ligjet e Cipollas janë një udhërrëfyes i dobishëm.
Ligji i tij i parë, është ai që “përgatit skenën”.
“Gjithmonë dhe pashmangshmërisht, gjithësecili prej nesh nënvlerëson numrin e individëve budallenj që janë në qarkullim”.
Tejet pesimist, ligji i parë duhet që të na përgatisë për atë që gjejmë “atje përjashtë”. Dhe “atje përjashtë”, do të gjejmë hordhi njerëzish që bëjnë budallallëqe, shpesh pa e vënë re as vetë. Dhe ka gjithmonë më shumë nga sa mund të mendoni.
Ligji i dytë i Cipollas kontribuon jo pak për të parin.
“Probabiliteti që një person i caktuar të jetë budalla, nuk varet nga asnjë prej karakteristikave të tjera të atij personi”.
Cilido, qoftë intelektual apo injorant, jakëblu a jakëbardhë, i mençur prej librave a i mençur prej rrugës, mund të jetë budalla. Veç kësaj, idiotësia gjendet në përmasa pothuaj të barabarta, në të gjitha shtresat e shoqërisë. Përqindja e budallallëkut mes fituesve të Çmimit Nobel është po aq e lartë, sa edhe mes notarëve meshkuj, në ekipin olimpik të Shteteve të Bashkuara.
“Pasojat e Ligjit të Dytë Themelor janë të frikshme”, shkruante vetë Cipolla. “Ligji nënkupton se, qoftë kur lëviz në qarqe të spikatura, qoftë kur gjen strehë mes gjuetarëve të Polinezisë, qoftë nëse mbyllesh në një manastir, apo vendos të kalosh pjesën tjetër të jetës nën shoqërinë e grave të bukura dhe epshndjellëse, gjithmonë do të të duhet të ndeshësh të njëjtën përqindje budallenjsh – që (në përputhje me Ligjin e Parë), gjithmonë do i tejkalojnë pritshmëritë e tua”.
Si është e mundur kjo gjë? Mund të marrë më shumë kuptim, po ta shohësh në dritën e përcaktimit të budallallëkut, që Cipolla e ofron në ligjin e tij të tretë. Dhe është e kuptueshme që, duke patur parasysh formimin e tij, Cipolla e këqyr termin, nga një perspektivë ekonomike. (Shih figurën më poshtë, për një shpjegim pamor të këtij përcaktimi).
“Një budalla është një person që i shkakton humbje një tjetër personi apo grupi personash, ndërkohë që vetë nuk fiton asgjë, madje mund të pësojë edhe humbje”.
Tipi brutal që nis një sherr në lokal; shoferi që përplas makinën; futbollisti që kryen një faull flagrant; lojtari në videolojë, që nxehet dhe vendos të sabotojë ekipin e tij; të gjithë këta janë “budallenj”. Veprimet e tyre janë kaq të pamend dhe të paarsyeshme, saqë individët e arsyeshëm e kanë shumë problem që të kuptojnë, se si mund të funksionojnë këta lloje njerëzish, këmbëngul Cipolla.
“Jeta jonë e përditshme është e mbushur kryesisht me raste ku, ne humbasim para dhe/ose kohë dhe/ose energji dhe/ose oreks, gëzim dhe shëndet, për shkak të veprimeve të disa krijesave, të cilat nuk kanë asgjë për të fituar, dhe në fakt nuk fitojnë asgjë duke na shkaktuar telashe, vështirësi apo dëme. Askush nuk e di, kupton apo mund të shpjegojë përse kjo krijesë absurde, bën atë që bën. Në fakt, nuk ka shpjegim – ose më mirë të themi, ka vetëm një shpjegim: personi në fjalë është budalla”.
Me ligjin tjetër, Cipolla qorton pjesëtarët e shoqërisë që duke heshtur nxisin budallallëkun. Shumica prej nesh jemi fajtorë.
“Njerëzit jobudallenj gjithmonë nënvlerësojnë fuqinë dëmtuese të individëve budallenj. Në veçanti, jobudallenjtë harrojnë vazhdimisht se në çdo kohë dhe në çdo vend, si dhe në çdo rrethanë, të merresh dhe/se shoqërohesh me budallenj, është një gabim i kushtueshëm”.
Kur ne kemi një ide të qartë se kush janë budallenjtë, ne sërish rrijmë me ta, edhe pse kjo është në dëmin tonë, thotë Cipolla.
“Përgjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve, në jetën publike dhe atë private, individë të panumërt nuk ia kanë dalë që të marrin parasysh Ligjin e Katërt Themelor, dhe kjo gjë i ka shkaktuar njerëzimit humbje të pallogaritshme”.
Dhe ligji i pestë i Cipollas për budallallëkun, është i paekuivok.
“Një budalla, është lloji më i rrezikshëm i një personi”.
Po, më i rrezikshëm edhe se një bandit (shihni figurën më lart), i cili u shkakton dëme të tjerëve, por të paktën përfiton për vete. Budallenjtë tërheqin poshtë shoqërinë si një e tërë, këmbëngul Cipolla.
“Budallenjtë shkaktojnë dëme për të tjerët, pa nxjerrë fitime për veten e tyre. Si pasojë, shoqëria varfërohet.
Eshtë përgjegjësia dhe barra e gjithë të tjerëve, sidomos njerëzve inteligjentë, që t’i mbajnë nën kontroll. / Përgatiti: Ermal Gjinaj / bota.al