Motivuese

“Pesha e një gote”. Histori filozofike me një mesazh të fuqishëm…

Një ditë prej ditësh, një profesoreshë filozofie hyri në një sallë leksionesh, ndërkohë që studentët po e prisnin në të. Në dorë ajo mbante një gotë dhe të gjithë prisnin të pyeste: “Mendoni se gota është gjysmë plot, apo gjysmë bosh?”, por jo. Me një buzëqeshje në fytyrë, profesoresha i pyeti studentët e saj: “Sa e rëndë mendoni se është gota që po mbaj në duar?”.

Studentët në sallë po jepnin ide nga më të ndryshmet. Në gjithë zhurmën e krijuar, profesoresha ndërhyri duke thënë: “Sipas mendimit tim, pesha absolute e kësaj gote nuk ka rëndësi. Ajo varet nga sa gjatë unë e mbaj në duar. Nëse unë e mbaj për një minutë, apo për dy, pesha e saj është shumë e lehtë. Nëse e mbaj për një orë, mund të fillojë të më lodhet krahu e nëse e mbaj për një ditë, krahu im do të të dhembë, duke më detyruar edhe ta hedh gotën në tokë për të mos e ndjerë më dhimbjen. Në secilin rast, pesha e gotës nuk ndryshon, por sa më gjatë ta mbaj unë atë, aq më e rëndë do të më duket”.

Ndërkohë që studentët po e miratonin me kokë zyshën e tyre, ajo vazhdoi: “Stresi dhe problemet tuaja në jetë janë pak a shumë si kjo gotë me ujë. Nëse i mendoni për pak kohë, nuk ndodh asgjë. Nëse i mendoni pak më gjatë, do të ndiheni keq. Nëse i mendoni për gjithë ditën, do të ndiheni tmerrësisht keq dhe të lënduar, të paaftë për të bërë asgjë derisa ta hiqni atë barrë nga supet tuaja”.

Mesazhi: Është e rëndësishme të kujtoheni të lini mënjanë stresin dhe problemet tuaja. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh përgjatë ditës, lëreni atë mënjanë dhe kaloni një mbrëmje të qetë. Mos i mbani problemet dhe streset tuaja me vete edhe gjatë mbrëmjes, apo edhe në mëngjeset tuaja, sapo jeni zgjuar. Nëse ende e ndjeni peshën e diçkaje stresuese nga dita e djeshme, kujtohuni se ka ardhur koha ta rrëzoni “gotën e stresit” përtokë. / bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close