Analiza

Po luhet për një pakt më të gjerë sesa vetëm për Iranin

Screen Shot 2015-03-17 at 1.32.44 PM

Nga Jackson Diehl

“Uashington Post”

Ka një kontradiktë demaskuese tek mbrojtja paraprake që administrata Obama i ka bërë marrëveshjes, e cila pritet të nënshkruhet me Iranin, për programin bërthamor të këtij të fundit. Shtëpia e Bardhë thotë se kritikët izraelitë dhe republikanë nuk kanë alternativë tjetër, përveçse luftës. Por presidenti Obama kohët e fundit ka përsëritur se është i gatshëm t’i “qëndrojë larg” një marrëveshjeje të keqe, dhe se shanset janë që Irani do të pranojë kushtet e tij.

Pra, a është lufta e vetmja alternativë për Obamën? Duket se jo. Kur zv.këshilltari i sigurisë kombëtare, Ben Rodes, kohët e fundit u pyet sesi SHBA-ja do të parandalonte Iranin nga gara për të ndërtuar armën bërthamore, pasi të mbaronte afati i marrëveshjes, ai tha: “Fakti është se të njëjtat opsione, që ne kemi sot për të parandaluar Iranin nga krjimi i një armë bërthamore, do të jenë në dispozicion të presidentit amerikan edhe pas 10 apo 15 vjetësh”. Ai shtoi se këto mundësi gjithashtu do të jenë në dispozicion brenda 10 deri në 15 javësh, nëse është e nevojshme.

Sanksionet, sabotimi e kërcënimi me veprime ushtarake, të kombinuara me një shërbim inteligjent efektiv dhe inspektime ndërkombëtare, kanë parandaluar Iranin nga ndërtimi i armës dhjetëra vitet e fundit. Ndonëse infrastruktura e tij bërthamore është zgjeruar, inspektorët dhe agjencitë e inteligjencës perëndimore nuk kanë zbuluar që nga viti 2003 ndonjë “dimension ushtarak” të këtij programi.

Ndërsa është e mundur që Irani t’i kundërpërgjigjet ndërprerjes së bisedimeve, duke ndërtuar bomba, kjo nuk do të ishte në përputhje me praktikën e tij të mëparshme. Nga ana tjetër, s’do të jetë e lehtë për ta ndërmarrë atë hap, në kushtet kur ekonomia iraniane po vuan aktualisht pasojat e rënda për shkak të rënies së të ardhurave nga nafta, por edhe prej sanksioneve ndërkombëtare.

Historia sugjeron se Teherani do të realizojë sërish shfaqjen e rradhës me instalimin e centrifugave të shumta, duke qenë i kujdesshëm për të mos shkelur ndonjë vijë të kuqe, të shenjuar nga Izraeli apo Shtetet e Bashkuara. Administrata Obama do të argumentojë se marrëveshja e saj do të ofrojë më shumë siguri se Irani do të mbetet jo-bërthamor për dekadën e ardhshme, me më pak kosto dhe rrezik për Shtetet e Bashkuara.

Në varësi të kopsitjes si duhet të kësaj marrëveshje, kjo mund të jetë e vërtetë. Por e gjitha kjo, pastaj, bëhet një diskutim jo mbi luftën dhe paqen, por mbi rreziqet dhe tregtinë e humbur. Një Iran i kufizuar nga një marrëveshje do të ishte i pafrenuar nga sanksionet ekonomike. Inspektimet do të ishte më rigoroze, por pandehma se Irani mund të ketë mashtruar, mund të kërkojë sërish pëlqimin e Rusisë, Kinës dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndërmarrjen e ndonjë mase ndëshkimore.

Dallimi më i rëndësishëm, mes marrëveshjes dhe mungesës së saj, është një Obamë që është përpjekur ta mbajë këtë çështje në errësirë. Kjo është lloj i marrëdhënies që Shtetet e Bashkuara do të kenë me Iranin në vitet e ardhshme dhe do përcaktojë strategjinë e Uashingtonit për rivendosjen e rendit në një Lindje të Mesme, të shpartalluar dhe infektuar nga terrorizmi.

Në një shkrim të fundit, Martin Indik nga Instituti “Brookings”, një ish-i dërguar i Obamës në Lindjen e Mesme, argumenton, sikurse edhe unë se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin, mes ndërtimit të një rendi të ri rajonal me Iranin, apo kundër Iranit. Nga ana tjetër, kjo zgjedhje varet nga marrëveshja bërthamore. “Pa një marrëveshje është e pamundur të imagjinohet një bashkëpunim me Iranin për çështjet rajonale. Me një marrëveshje, bashkëpunimi. . . bëhet i mundur” – shkruan Indik.

Potenciali për një bashkëpunim të tillë është thellësisht alarmant në Izrael, Arabinë Saudite dhe armiqtë e tjerë të Iranit në Lindjen e Mesme, për të cilët forcimi i aftësive të tij bërthamore përbën kulmin e një procesi për t’u kthyer në fuqinë hegjemone të rajonit. Për rrjedhojë, Obama e ka minimizuar këtë aspekt të diplomacisë në javët e fundit. Sekretari i Shtetit Xhon Kerri ishte për vizitë edhe në Arabinë Saudite, për të deklaruar se “ne nuk po kërkojmë një ujdi të madhe”.

Megjithatë, pasojat gjeopolitike të një marrëveshje të tillë janë të pashmangshme. Pa të, Irani do të mbetet pa mëdyshje një fuqi armiqësore që duhet përmbajtur. Me këtë marrëveshje, administrata Obama ka të ngjarë të kërkojë mirëkuptim me Iranin, mbi të ardhmen e Irakut dhe Sirisë, dhe çdo veprim kundër Republikës Islamike do të duhet të peshohet me potencialin e Teheranit për të hedhur në erë marrëveshjen. Kështu që shumëçka varet nga shpresa se pakti bërthamor ”mund të çojë drejt një politike më të moderuar të Iranit, që do të ishte mirë për Shtetet e Bashkuara, Izraelin, dhe për gjithë rajonin” – sikurse nënvizon Rodes.

Indik argumenton troç se “është e çuditshme të imagjinojmë se Shtetet e Bashkuara mund të bindin Iranin të shndërrohet nga pushteti më kërcënues revizionist i rajonit, në një vend partner për krijimin e një rendi të ri”. Ai favorizon një strategji amerikane të rindërtimit të stabilitetit, me aleatët e saj tradicionalë. Kjo sigurisht do të ishte e natyrshme, nëse bisedimet prishen, por a mund të balancohet me një marrëveshje bërthamore?

Ndoshta – propozon Indik “duke siguruar një ombrellë parandaluese bërthamore për Izraelin dhe Arabinë Saudite”. Çështja është, se bisedimet e Obamës me Iranin, nuk janë vetëm në lidhje me atë, nëse ky i fundit do të ndërtojë apo jo armën bërthamore; ato janë për të ardhmen e Lindjes së Mesme. Pavarësisht nga ajo që tjerret në Shtëpinë e Bardhë, rezultati i pakti nuk ka gjasa të çojë në luftë në të ardhmen e afërt. Por kjo marrëveshje, mund të përcaktojë se kush fiton në një periudhë afatgjatë, garën për ndikim mes Mesdheut dhe Gjirit Persik.

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button