Poezia e mëposhtme dedikuar nënës është shkruar nga autori shqiptar Fatjon Kadillari. Është një poezi që nxjerr në pah gjithë vuajtjet e nënës gjatë jetës së saj, teksa i duhet të rrisë edhe fëmijët. Trajtuar si një bisedë në një lokal, kjo poezi është thellësisht emocionuese nga vargu në varg.
Të uleshim bashkë në tavolinën e jetës
E ftova një ditë nënën time.
Nguroi, për hir të së vërtetës,
-Bir, s’dua të të fut në shpenzime.
-Kamarier, të lutem, nëse mundesh
Më sill diçka për nënën time!
Një gotë jo me pije të mbushur
Por një gotë plot falenderime.
Kamarier, të lutem,
Më sill edhe një gotë sinqeritet!
E desha me pak lëng dashamirësie
Për rrahjet e zemrës të shtuara në jetë!
Më bëj një koktejl me shijen e mençurisë,
Hidhi edhe pak lëng dashurie.
Përzieje me ngjyrues durimi,
Mos harro t’i hedhësh edhe dy pika krenarie.
Për mua vetëm një gotë heshtje me butësi,
Mbushe pa t’u dridhur dora!
Është mirënjohje për të si njeri,
Paçka se vitet unë ia mora.
Të lutem, pjatën e gjerë të bujarisë,
Sille nga ajo që kapet nga dy anët e saj.
E nëse njëra dorë do i dridhet,
Me tjetrën, si dikur ajo mua, unë do t’ia mbaj!
Si pjatë të shpejtë për meze,
Na sill diçka të freskët!
Disa pjatëza plot buzëqeshje,
Në mund ta përshëndes sërish nesër.
Nënat janë si ora e dorës që vure,
Zhurmën e tyre askush s’do e dëgjojë,
Ato, asesi nuk ekspozohen nëpër mure,
Ia hedhim sytë veç në nevojë!
Vendosi dy meloditë më të famshme në botë,
Ato që janë më të bukura se vetë kënga.
Melodinë kur unë me të madhe qaja,
Dhe zërin, kur më pushonte nëna.